Berisha: Do të zgjidh marrëveshjen e detit me Greqinë
Sikundër deklaroi përpara emigrantëve në Athinë, Sali Berisha thotë se pas ardhjes në pushtet do të përfundojë marrëveshjen e detit me Greqinë. Në një intervistë të dhënë për gazetën greke “Manifesto”, kreu i opozitës shprehet se pakti do të jetë në të njëjtën frymë bashkëpunimi që shoqëroi edhe dokumentin e firmosur në Prill të vitit […]

Sikundër deklaroi përpara emigrantëve në Athinë, Sali Berisha thotë se pas ardhjes në pushtet do të përfundojë marrëveshjen e detit me Greqinë.
Në një intervistë të dhënë për gazetën greke “Manifesto”, kreu i opozitës shprehet se pakti do të jetë në të njëjtën frymë bashkëpunimi që shoqëroi edhe dokumentin e firmosur në Prill të vitit 2009 nga qeveria e tij dhe ajo e kryeministrit të kohës Kostas Karamanlis.
“Nëse Partia Demokratike fiton zgjedhjet marrëveshja do të përfundojë dhe marrëdhëniet Greqi-Shqipëri do të jenë të shkëlqyera. Sigurisht që kjo çështje do të zgjidhet përmes dialogut dhe frymës së mirë, sikundër bëmë edhe në vitin 2009, me vullnetin e plotë për ta zgjidhur këtë problem mes dy vendeve tona”, tha Berisha.
Berisha bën përgjegjës Kryeministrin Rama si minues të marrëdhënieve me Athinën zyrtare përmes rrëzimit të marrëveshjes së detit.
“Ishte një marrëveshje ku të dyja palët dilnin të fituara. Sigurisht që nuk kishte asnjë arsye që as Greqia dhe as Shqipëria të humbnin, por Rama për hir të palëve të treta, dhe për veten e tij ushtroi presion dhe e prishi atë. Ai i tha qeverisë së Tsiprasit se kemi një marrëveshje më të mirë dhe nisi negociatat nga e para, por pas dy vitesh kur palët u bënë gati për të firmosur tha se nuk e lejonte vendimi I gjykatës që të nënshkruante marrëveshjen me Greqinë. Sigurisht, Kotzias ishte shumë i zemëruar, edhe unë e denoncova. Nuk mund të sillesh kështu, kur ti e din vendimin e gjykatës. Duhet të jesh serioz”, tha Berisha.
Berisha premtoi se çështja e pensioneve të emigrantëve që jetojnë në Greqi do jetë një tjetër prioritet i qeverisë së tij sapo të ulet në karrigen e Kryeministrit, teksa tha se ruan marrëdhënie të mira me aleaten e saj “Partinë Demokracia e re” të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis./ Tv Klan