‘Tragjedi urbane’: Tetova mbeti e betonizuar dhe pa park, Komuna nuk ka zgjeruar hapsirat e gjelbra
Ndonëse Tetova është një nga qytetet më të mëdha në vend, nuk ka park të qytetit. Aktivistët e mjedisit me vite kërkojnë që autoritetet lokale të gjejnë zgjidhje, por kjo nuk ka qenë prioritet për pushtetin lokal edhe pse në programin zgjedhor kanë premtuar zgjerim të hapsirave të gjelbra. Kryetari i Komunës së Tetovës thotë […]


Ndonëse Tetova është një nga qytetet më të mëdha në vend, nuk ka park të qytetit. Aktivistët e mjedisit me vite kërkojnë që autoritetet lokale të gjejnë zgjidhje, por kjo nuk ka qenë prioritet për pushtetin lokal edhe pse në programin zgjedhor kanë premtuar zgjerim të hapsirave të gjelbra. Kryetari i Komunës së Tetovës thotë se park do të ketë me miratimin e planit gjeneral urbanistik të ri, i cili as këtë vit nuk pritet të kryhet, shkruan Portalb.mk.
Pavarësisht se nuk ka park të qytetit, edhe ata pak parqe të vogla që janë, shpesh nuk mirëmbahen si duhet.
Krijimi i një parku publik nuk është luks, por cilësi për jetën e qytetarëve. Kështu vlerësojnë nga nisma “Më Mirë për Tetovën” (MMPT) për Portalb.mk.
Ata thonë se Tetova jo vetëm që mbetet pa një park, por për fat të keq, po humb edhe ato pak hapësira publike që i kanë mbetur.
“Në vend që të angazhohen për krijimin e zonave të gjelbra dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në një qytet që ka probleme serioze me ndotjen e ajrit, autoritetet vazhdojnë të ndjekin një politikë të shkatërrimit sistematik të hapësirave publike. Për vite me radhë, prerja e drunjve në këto zona ka vazhduar pa asnjë ndalesë, duke u hapur rrugë ndërtimeve të reja, pa asnjë plan urbanistik që merr parasysh mjedisin dhe nevojat e komunitetit”, thonë nga MMPT.
Ata shtojnë se janë dëshmitarë të shitjes së hapësirave publike, që në fakt u takojnë të gjithë qytetarëve, për shuma qesharake.
“Kjo situatë nuk është vetëm e papranueshme, por një tragjedi urbane që dëmton rëndë të ardhmen e Tetovës”, shtuan nga atje.
Para tre viteve, në vitin 2022 u hodhën dy ide për krijimin e parkut të qytetit.
E para nga nisma “Tetova do Park” për parkun në hyrje të qytetit prej 16 hektarësh. Sipas planit, parku parashikohet të formohet në anën e djathtë të bulevardit “Video Smilevski-Bato” nga udhëkryqi me rrugën “29 nëntori”, rruga “Boris Kidriç, si dhe në anën e majtë dhe të djathtë të të njëjtit bulevard deri në udhëkryqin me rrugën “Pish” apo hapësira e njohur si Qendra sportive, parku i gruas, Monopoli dhe hapësira “Shik Jellak”. Ideja për këtë park të qytetit përfshin katër blloqe urbane dhe për këtë është e nevojshme ndryshimi i planit gjeneral urbanistik.
Ndërsa ideja e dytë u dha nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për shndërrimin e Kazermës së Qytetit në park. Ai kërkoi nga pushteti i atëhershëm qendror që kjo hapësirë t’i jepet komunës me synimin që ta shndërrojnë në park.
Megjithatë, asnjëra nga këto dy ide ende nuk është implementuar në terren.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i pyetur nga Portalb.mk për këto dy nisma, theksoi se këto dy ide vazhdojnë të bisedohet si ide, duke mos qenë konkret se kur do të ketë përgjigje konkrete.
“Për të dy lokacionet jemi në bisedime me Qeverinë që të krijojmë kështu hapsira, dhe nëse do kemi zgjidhje përfundimtare që objektet publike të jenë te Shik-Jellaku, atëherë do të vazhdojë iniciativa që Kazerma të jetë park i qytetit, nëse do vazhdojë ideja që në Kazermën e qytetit të kemi kështu institucione, atëherë ka mundësi që te Shik-Jellaku të kemi një park të vogël, edhe pse nuk i plotëson kushtet për një park më të madh”, tha Kasami.
Ai shtoi se të dy lokacionet janë në kombinim për këto dy destinime të cilat janë më se të nevojshëm për Tetovën. Ai theksoi se kjo ide vazhdon dhe se kanë përkrahje nga Qeveria, ku janë në fazën e gjetje së zgjidhjes formale juridike.
Zgjidhja pritet të jepet pas miratimit të planit të ri gjeneral urbanistik për qytetin.
“Përafërsisht sa u përket të dy lokacioneve, janë çështje që duhet të zgjidhen me plan gjeneral, në bazë të debatit publik që do të jetë në bazë të planit gjeneral, do të përcaktohet se cila nga këto lokacione është më e përshtatshme për institucione publike dhe cila për park. Atë që mund të garantoj që të dy këto lokacione do të jenë hapësira në interes të qytetit”, tha Kasami.
Plani gjeneral urbanistik i ri për qytetin pritet të miratohet në vitin e ardhshëm 2026, pas zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.
Përndryshe, në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe krijimin e tregjeve për shitjen e produkteve bujqësore.
Te pjesa e urbanizmit, konkretisht në faqe 22 thuhet se do të revidohet dhe zgjerohet Plani Urbanistik për të lejuar ndërtimin e komplekseve banesore, apo edhe qendrave biznesore, sipas standardeve ku së paku 1/3 e hapsirës të jetë me pjesë të gjelbëruar dhe me zona rekreacioni.
Ndërkaq në faqe 26 premtohet: Plan afatmesëm për zgjerimin e hapsirave të gjelbërta.
Por, tre vite e disa muaj më vonë prej kur Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës, këto pika të programit nuk janë realizuar në terren.
- LEXO: Rasti i Monopollit: Ka qenë në dorë të Kasamit të vendosë nëse aty do të ndërtohen banesa, apo jo
- LEXO: Kasami kërkoi që Kazerma të shndërohet në park të qytetit, kritikuan nga nisma “Tetova do Park”
- LEXO: Tetova do park: Këshilltarët e komunës folën më shumë për probleme dhe pengesa se sa për zgjidhje
- LEXO: Tetovë, nisma e re qytetare kërkon krijimin e parkut të ri prej 16 hektarësh