Bislimi kërkon trajtim serioz për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e mirëpriti raportuesin për Kosovë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras. Në njoftimin e lëshuar nga qeveria thuhet se Bislimi e uroi eurodeputetin për pozitën e tij të re si dhe e falënderoi Parlamentin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, si në procesin e liberalizimit të vizave, progresit dhe avancimit të


Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e mirëpriti raportuesin për Kosovë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras.
Në njoftimin e lëshuar nga qeveria thuhet se Bislimi e uroi eurodeputetin për pozitën e tij të re si dhe e falënderoi Parlamentin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, si në procesin e liberalizimit të vizave, progresit dhe avancimit të Kosovës, si dhe rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Më tej, theksoi arritjet e qeverisë përgjatë këtij mandati, nga progresi demokratik e rritja ekonomike, deri te avancimi me zbatimin e reformave në procesin e integrimit evropian. Ai tha se ERA II arriti një shkallë zbatimi prej 72% nga 45% sa ishte në qeverisjet e kaluara, ndërsa në Programin Kombëtar për Integrim Evropian, niveli i zbatueshmërisë së reformave vitin e kaluar arriti në 66.12%, duke përfshirë dhe shumë reforma të papërmbushura me vite me radhë e që gjetën epilog gjatë këtij mandati”.
“Zëvendëskryeministri Bislimi nënvizoi rëndësinë e avancimit të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së dhe trajtimit serioz dhe meritor të aplikimit të Kosovës të dhjetorit të vitit 2022”, thuhet në njoftim.
Në takim u diskutua dhe rreth sfidave dhe perspektivës në këtë proces, potenciali i Kosovës për progres dhe zhvillim, angazhimi në Planin e Rritjes si dhe procesi i dialogut.