Demiri: Situata në klinikën e Kardiokirurgjisë është serioze, nuk ka asnjë kalkulim politik në shkarkimin e drejtorit

Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri mohon se bëhet fjalë për kalkulim politik lidhur me shkarkimin e drejtorit të Kardiokirurgjisë shtetërore. Ai thotë se situata është shumë e rëndë dhe se duhet sjellë një ekspert cilësor nga jashtë për të edukuar kuadrot e reja, transmeton Portalb.mk. “Shteti sillet shumë korrekt, ka dhënë fonde që në vitin […]

maj 31, 2024 - 17:01
 0  4
Demiri: Situata në klinikën e Kardiokirurgjisë është serioze, nuk ka asnjë kalkulim politik në shkarkimin e drejtorit
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri. konferenc për mediat, foto nga Portalb.mk

Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri mohon se bëhet fjalë për kalkulim politik lidhur me shkarkimin e drejtorit të Kardiokirurgjisë shtetërore. Ai thotë se situata është shumë e rëndë dhe se duhet sjellë një ekspert cilësor nga jashtë për të edukuar kuadrot e reja, transmeton Portalb.mk.

“Shteti sillet shumë korrekt, ka dhënë fonde që në vitin 2011 që kardiokirurgët me famë botërore të vijnë të na mësojnë kardiokirurgjinë. Që nga viti 2011 janë tre breza specialistësh të rinj që duhet të punojnë në kardiokirurgjinë shtetërore. Ku janë fëmijët tanë që nga viti 2011 kanë kryer specializimin në kardiokirurgji dhe anestezi të destinuara për ndërhyrje kardiokirurgjikale. Janë 14 vjet”, pyeti Demiri në emisionin “Win-win” në TV Telma.

Ministri tha se nuk e di se sa ka shpenzuar kjo Klinikë në vitet e kaluara, por theksoi se kjo duhet të zbulohet nga Prokuroria dhe të prezantohet në opinion.

Lidhur me klinikat kirurgjikale që nuk punojnë prej 13 ditësh, Demiri tha se i ka dërguar një letër Qeverisë duke kërkuar që urgjentisht të shpallet tender për stacionin e kompresorit.

“I kam shkruar një letër që ia kam dërguar Qeverisë sepse është pronare e Shërbimit për Shërbime të Përgjithshme. I kam dërguar edhe shkresë drejtorit të Shërbimeve të Përgjithshme që të hapet një procedurë tenderimi për të filluar urgjentisht ndryshimin e plotë të stacionit të kompresorit dhe rrjetit të rrënuar të shpërndarjes”, tha Demiri.

Ai shtoi se deri në zgjedhjen e ministrit të ri nuk do të marrë pjesë në seancat parlamentare edhe pse i është verifikuar mandati si deputet i Frontit Evropian.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike do të hetojë nëse ka vepër penale në atë që tash më një javë nuk punojnë sallat e operacionit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.

Sipas informatave të para të publikuara javën e kaluar, disa nga arsyet për mosfunksionimin e sallave është era e pakëndshme e cila është përhapur përmes sistemit të ventilimit dhe problemi me furnizimin me oksigjen.