Deputetët e VMRO-së propozuan ndryshime në Ligjin për Prokurime Publike, të cilat do të rrisin korrupsionin, alarmojnë shoqatat kundër korrupsionit
Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit kërkon që të ndërpritet menjëherë nisma për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurime Publike, e dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga një grup deputetësh më 5 dhjetor të vitit 2024 me procedurë të shkurtuar, transmeton Portalb.mk. Ata thonë se amendamentet e propozuara […]
Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit kërkon që të ndërpritet menjëherë nisma për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurime Publike, e dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga një grup deputetësh më 5 dhjetor të vitit 2024 me procedurë të shkurtuar, transmeton Portalb.mk.
Ata thonë se amendamentet e propozuara ligjore me të cilat hiqet kontrolli administrativ i prokurimeve publike të cilin e kryen Byroja e Prokurimeve Publike paraqesin një kthim të madh prapa në mbrojtjen nga korrupsioni në një situatë kur, sipas vlerësimeve të të gjithë aktorëve përkatës ndërkombëtarë dhe vendas, korrupsioni në prokurimet publike është i përhapur gjerësisht.
“Kështu që, në vend që sipas rekomandimeve të përforcohet kontrolli administrativ dhe të zgjerohet mbulimi i tenderëve që do të kontrollohen në bazë të “flamujve të kuq” ekzistues për rreziqe nga korrupsioni, ky kontroll hiqet pa asnjë argument. Prezantimi i të ashtuquajturit kontroll administrativ ngjason me mekanizmin e vjetër që tashmë ishte në funksion dhe ishte objekt i shumë polemikave dhe kritikave nga të gjitha institucionet përkatëse”, thotë Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit.
Po ashtu, ata shtojnë se edhe pse propozimi është tërhequr një herë, sërish parashihet ndërprerje e mandateve të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Ankesa për Prokurimet Publike pa u plotësuar kushtet për shkarkim dhe pa konsultime publike.
“Një ndërhyrje e tillë në punën e institucioneve, të cilat sipas modelit të tyre duhet të jenë të pavarura nga pushteti qendror, paraqet një precedent të rrezikshëm dhe shkakton partizim shtesë të institucioneve”, thonë nga Platforma.
Posaçërisht për ata shqetësues është momenti se kur propozohen këto dhe një sërë ndryshimesh të tjera të Ligjit, pra me një buxhet historikisht më të lartë, me kredi të reja dhe me indikacione të përditshme për abuzim me paratë publike, kështu që ndryshime të tilla janë një hap prapa në ndërtimin e një sistemi që mund ta parandalojë dhe sanksionojë efektivisht korrupsionin.
“Por, për çfarë do synimi për ta ndryshuar legjislacionin në fushën e prokurimeve publike, ne insistojmë që të organizohet një proces konsultativ në të cilin do të marrin pjesë të gjitha institucionet kompetente, si Byroja e Prokurimeve Publike, Komisioni Shtetëror për Ankesat për Prokurimet Publike, Ministria e Financave, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe organizatat e shoqërisë civile që merren me çështjet kundër korrupsionit”, theksojnë nga latforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit.
Ata nënvizojnë se praktika e miratimit të ndryshimeve ligjore me procedurë të shkurtuar, pa proces konsultativ, e sidomos për zgjidhjet që mund të ndikojnë negativisht në luftën kundër korrupsionit, është e papranueshme dhe në kundërshtim me përpjekjet evropiane për një krijim demokratik, gjithëpërfshirës dhe profesional të politikave publike.