Deputetja e VV-së i kërkon ShBA-së e BE-së të jenë më të arsyeshme
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar raportin lidhur me masat e vendosura ndaj Kosovës më shumë se një vit më parë, vendeve anëtare të BE-së. Në kontekstin e këtij raporti, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kishte deklaruar se edhe veprimet për mbylljen e njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri […]
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar raportin lidhur me masat e vendosura ndaj Kosovës më shumë se një vit më parë, vendeve anëtare të BE-së. Në kontekstin e këtij raporti, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kishte deklaruar se edhe veprimet për mbylljen e njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, mund të ndikojë në përmbajtjen e raportit.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka kritikuar deklaratat e Stanos, teksa ka theksuar se disa shtete të BE-së mbështesin heqjen e masave ndaj Kosovës.
Kryeziu-Hyseni ka nënvizuar se veprimet e institucioneve kosovare kanë qenë të drejta dhe të nevojshme për të luftuar paligjshmërinë në pjesën veriore të vendit.
“Këtë e ka thënë Peter Stano nëpër deklarimet e tij, nuk është se këtë mendim e kanë përfaqësuesit e disa shteteve të BE-së. Një pjesë e tyre e konsiderojnë që ky ka qenë një veprim i duhur që institucionet e Kosovës e kanë bërë, sepse e kanë luftuar paligjshmërinë që ka ekzistuar në pjesën veriore të Kosovës. Mendoj që kjo është çështje e brendshme e institucioneve tona, nuk do të duhej të dilte në diskutim brenda debateve që krijohen në BE,” ka thënë Kryeziu-Hyseni.
“Edhe mendimi i DASH-it mund të vijë për shkak se konsultohet prej një grupi të caktuar që mund të jenë të kyçur në krijimin e atij raporti në një moment të caktuar. Por kjo nuk do të thotë që SHBA-ja tërë mendojnë që ky ka qenë një vendim i gabuar ose një veprim i gabuar. Edhe mund të kenë një mendim të tillë dhe mund të dalë një raport i tillë që e kritikon, por unë prapë mendoj që institucionet e Kosovës kanë bërë veprim të duhur. Madje, një veprim i tillë është dashur të bëhet shumë kohë më parë dhe jo t’ju lejohet këtyre institucioneve bankare që vepronin gjatë Kosovës, teksa bazën e kanë jashtë shteti të Kosovës. Këtë veprim nuk do të toleronin kurrë të bëhet në vendin e vet as SHBA-ja e as një shtet i BE-së. Duhet ta shohin situatën më arsyeshëm dhe ta kuptojnë Kosovën në veprime që i bën në këtë drejtim,” ka shtuar ajo.