Drejtoresha e Toksikologjisë ndaloi kontaktin e punonjësve me gazetarët dhe mediat, ShGM: Dënojmë censurën
Shoqata Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon tentativën për censurim dhe kufizimin e të drejtës së fjalës nga Besija Iljazi, drejtoreshë organizative e Klinikës së Toksikologjisë në Shkup, transmeton Portalb.mk. Sipas raportimit të sotëm të anëtarëve të ShGM-së, në hyrje të Klinikës së Toksikologjisë në Shkup është shfaqur publikisht urdhër, me të cilin punonjësve u ndalohet […]
Shoqata Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon tentativën për censurim dhe kufizimin e të drejtës së fjalës nga Besija Iljazi, drejtoreshë organizative e Klinikës së Toksikologjisë në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Sipas raportimit të sotëm të anëtarëve të ShGM-së, në hyrje të Klinikës së Toksikologjisë në Shkup është shfaqur publikisht urdhër, me të cilin punonjësve u ndalohet kontakti me gazetarë apo me media. Me urdhër të datës 20.05.2024 thuhet se konform neneve 30 dhe 31 të statutit të ISHP Klinikës për Toksikologji Shkup, prania e paautorizuar, dhënia e deklaratave për publikun përmes intervistave dhe thirrjes së konferencave për shtyp, me çka do të dëmtoheshin interesat dhe reputacioni i klinikës, janë të ndaluara
Një urdhër i tillë është shkelje e rëndë e lirisë së fjalës dhe gazetarisë profesionale, në kundërshtim me Kushtetutën. Censura në Maqedoni është e ndaluar me nenin 16 të Kushtetutës së RMV-së.
Objektet shëndetësore publike dhe të gjitha institucionet publike në vend duhet të bëjnë publicitet në punën e tyre dhe të informojnë për vendimet dhe punën e tyre dhe jo të ndalojnë informimin për tema me interes publik.
Gazetarët janë të detyruar të publikojnë informacione që përmbajnë dyshime për abuzime të të gjithë bartësve të funksioneve publike, sepse janë të detyruar ta bëjnë këtë me Kodin e Gazetarisë, i cili thotë qartë se gazetari do të respektojë ligjet, por nuk do të publikojë apo fshehë asgjë që është në konflikt me interesin publik.
“ShGM do t’i drejtohet zyrtarisht ministrisë përkatëse dhe do të kërkojë përgjegjësi nga drejtoresha e Klinikës së Toksikologjisë dhe nga të gjithë ata që janë përfshirë në miratimin e këtij urdhri. Gjithashtu, ShGM do të insistojë në tërheqjen e menjëhershme të urdhrit dhe vendosjen e transparencës në funksionimin e klinikës, për të garantuar lirinë e fjalës dhe të drejtën e gazetarëve për të informuar për çështje me interes publik”, thonë nga ShGM.
Ndryshe, drejtori mjekësor i Klinikës Universitare për Toksikologji në Shkup, Danil Petrovski, është shkarkuar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit për shkak të parregullsive në punën e tij. Ai do të vazhdojë të punojë në Klinikë edhe pas shkarkimit të tij.
Kujtojmë se më 2 maj, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (IShSSH) ka kryer inspektim kontrollues në Klinikën e Toksikologjisë pas lëshimit të vendimit paralajmërues me masa inspektuese të urdhëruara, nga i cili është konstatuar se punëtorët dhe bashkëpunëtorët shëndetësorë të cilëve u ka skaduar kontrata janë ende të regjistruar në Klinikën e Toksikologjisë.