Emërimet e drejtorëve në RMV, procesi të jetë transparent
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut brenda këtij muaji ka emëruar dhe shkaruar disa drejtorë në institucione të vendit, ku në një pjesë prej tyre vërehet se pozitat drejtuese të cilat më parë ishin në menaxhim të shqiptarëve, tani më nuk janë. Analistët politik janë të mendimit se është e drejtë e ekzekutivit të […]
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut brenda këtij muaji ka emëruar dhe shkaruar disa drejtorë në institucione të vendit, ku në një pjesë prej tyre vërehet se pozitat drejtuese të cilat më parë ishin në menaxhim të shqiptarëve, tani më nuk janë. Analistët politik janë të mendimit se është e drejtë e ekzekutivit të ri të bëj shkarkim-ngarkime të krerëve të institucioneve në varësi të saj. Por, shtojnë se këto shkarkime kanë lënë shije të hidhur dhe sugjerojnë që publiku të informohet qartë, pasi disa prej tyre janë të rëndësishme për funksionimin e shtetit, shkruan Portalb.mk.
Analistët politikë për Portalb.mk theksojnë se çështjet e shkarkim-ngarkimeve janë të rëndësishme dhe zgjojnë interes të madh, por njëkohësisht edhe dyshime tek publiku më i gjërë.
Njohësi i çështjeve politike në vend Ibrahim Mehmeti thotë se ndryshimet në institucionet publike të shtetit mund të jenë të arsyeshme, varësisht nga potenciali i kuadrove që kanë partnerët e koalicionit, si dhe nga marrëveshjet për ndarjen e pushtetit në përgjithësi, por shton se është e rëndësishme që këto ndryshime të realizohen me transparencë për të parandaluar dyshimet për të margjinalizuar shqiptarët në qeverisje.
“Edhe pse është e udhës të presim të kalojë 100-ditëshi para se të japim vlerësime konkrete, çështja të cilën ju e parashtroni gjithsesi zgjon interes, aq më tepër që vërehet tendenca e zëvendësimeve të posteve që kanë qenë të udhëhequra nga shqiptarë me përfaqësues të partive maqedonase”, thotë Mehmeti.
Ai sugjeron që publiku të informohet qartë për arsyet e këtyre ndryshimeve, pasi disa prej tyre janë të rëndësishme për funksionimin e shtetit.
“Gjithsesi, do të ishte shumë më mirë që këto ndryshime të bëhen në mënyrë transparente dhe opinioni të jetë i informuar për arsyet e këtyre ndryshimeve, me çka do të eliminohej dyshimi për tkurrjen e qëllimshme të pozicionit të shqiptarëve në qeverisje. Aq më tepër që disa nga këto ndryshime, si ato që i theksoni ju, kanë rëndësi të veçantë në funksionimin e shtetit”, thotë Mehmeti duke shpresuar se pushteti i ri do të gjejë mënyrën për ta siguruar opinionin, në këtë rast shqiptarët, se hapat e ndërmarrë dhe ndryshimet e përmendura nuk do të jenë në dëm të shqiptarëve.
Thuajse në të njëjtën vij me Mehmetin është edhe analisti si dhe ish-gazetari i BBC-së në seksionin shqip Seladin Xhezairi, i cili shprehet se është e drejtë e ekzekutivit të ri të bëj shkarkim-ngarkime të krerëve të institucioneve në varësi të saj, por sugjeron se partia e kryeministri Mickoskit duhet të ruajë sado pak partnerin shqiptar.
“Është e drejtë e ekzekutivit të ri të bëj shkarkim-ngarkime të krerëve të institucioneve në varësi të saj. Natyrisht se rasti si ai i caktimit drejtor të një të dënuari shpërfaq mungesën e kapaciteteve dhe resurseve të partnerërve të koalicionit. Njësoj siç lë shije të hidhur edhe shkarkimi i disa koordinatorëve nacional, me përkatësi kombëtare shqiptare, dhe zëvendësimi i tyre me maqedonas. Kujtoj se këtë do të duhej ta kishte parsysh partia e kryeministrit Mickoski. Jo për diçka tjetër por për të mbrojtur sado-kudo partnerin shqiptar“, thotë Xhezairi duke krahasuar se cilësia e përfaqësimit të shqiptarëve nuk ka për të qenë siç ishte gjatë mandatit tê fundit të BDI-së: “Por prapëseprapë, edhe për këtë do duhej të kishte një biçim “marrëveshje xhentelmenësh”.
Ndryshe, përpos shkarkimeve të lartë përmendura ndryshime pati edhe tek Agjencionit për Zbulim ku u shkarkua drejtori shqiptar dhe u emëruan edhe drejtori edhe zëvendës drejtori maqedonas, E njëjta ndodhi edhe te Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ku në vend të Asaf Abduramanit u emërua Sasho Klekovski.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka raportuar se po ndjekë nga afër procesin e emërimit të ushtruesve të detyrës së drejtorëve në disa institucione shtetërore. Komisioni do të shqyrtojë secilin rast individualisht për të përcaktuar nëse emërimet janë në përputhje me rregulloret ligjore dhe nëse ato janë të parapara dhe të lejuara.
Ndërkaq Ministria e Administratës Publike, e themeluar këtë muaj, përmes një kumtese ka njoftuar opinionin se përqindjet e “Balancuesit”, mjet ky për punësim sipas nacionalitetit në institucionet shtetërore, janë ndryshuar.
“Ndryshimet në përqindjet e mjetit balancues janë bërë ekskluzivisht në përputhje me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, i cili më parë nuk ishte respektuar. Kjo do të thotë se në përllogaritjen e balancuesit do të përfshihet vetëm numri i popullsisë rezidente si pjesë e planeve vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik dhe popullsia jorezidente përjashtohet nga përllogaritja e balancuesit”, tha Minçev, ministër i Administratës Publike.
Kështu, sipas përllogaritjeve të reja në planet vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik, korrigjohen përqindjet: maqedonas nga 54,21% në 58,44%, shqiptarë nga 29,52% në 24,30%, turq nga 3,98% në 3,86%, romë nga 2,34%. në 2,53%, serbët nga 1,18% në 1,30%, për boshnjakët mbetet njëjtë dhe vllehët nga 0,44% në 0,47%.
Nga atje thonë se ndryshimet bëhen ekskluzivisht në përputhje me Ligjin për punonjësit e sektorit publik ku siç thonë më parë nuk ishte respektuar.
Sipas regjistrimit të fundit, të mbajtur në shtator 2021, në territorin e Maqedonisë jetojnë 58,44 për qind maqedonas, 24,3 përqind turq, 2,53 përqind romë, 1,3 përqind serbë, 0,87 përqind boshnjakë dhe 0,47 përqind vlleh. 7.2 përqind, ose 132.260 qytetarë, janë të listuar nga burimet administrative dhe nuk përfshihen në përqindjet e kombësive. Sipas rezultateve të vetëregjistrimit, në diasporë janë 66,36 për qind shqiptarë dhe 24,45 për qind maqedonas.
Kujtojmë se Ligji për të punësuarit në sektorin publik, i cili filloi të zbatohet në vitin 2015, parashikon një mekanizëm për shpërndarjen e punësimeve të reja me përfaqësim adekuat dhe të drejtë të pjesëtarëve të komuniteteve, në nivel të secilit prej institucioneve në sektorin publik, bazuar në nevojat e vetë institucioneve të shprehura përmes Planeve Vjetore të Punësimit.
- LEXO: Qeveria e RMV-së emëroi ushtrues detyre drejtorë në disa institucione shtetërore
- LEXO: Ministri Taravari emëroi ushtrues detyre në 14 institucione shëndetësore
- LEXO: Antikorrupsioni në RMV do të shqyrtojë nëse emërimet e u.d drejtorëve janë bërë sipas rregulloreve ligjore
- LEXO: Vazhdon partizimi në RMV, njerëz të “tyre” në krye të institucioneve nën vellon e u. d. drejtorë