Filipçe, Petrovska dhe Despotovski sot pritet të paraqesin kandidaturat për kryetar të LSDM-së

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe, ish-ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja aktuale Slavjanka Petrovska dhe drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike (DZZhIT), Jovan Despotovski, pritet që sot të paraqesin kandidaturat e tyre për udhëheqjen e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), transmeton Portalb.mk. Si kandidat i mundshëm për pozitën udhëheqëse në […]

qershor 5, 2024 - 14:01
 0  5
Filipçe, Petrovska dhe Despotovski sot pritet të paraqesin kandidaturat për kryetar të LSDM-së
LSDM - Dimitar Kovaçevski, Foto: Fejsbuku zyrtar i LSDM-së

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe, ish-ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja aktuale Slavjanka Petrovska dhe drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike (DZZhIT), Jovan Despotovski, pritet që sot të paraqesin kandidaturat e tyre për udhëheqjen e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), transmeton Portalb.mk.

Si kandidat i mundshëm për pozitën udhëheqëse në LSDM është përmendur edhe drejtori aktual i Drejtorisë doganore, Stefan Bogoev, por deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për këtë.

Procesi i aplikimit ka nisur më 31 maj dhe vazhdon deri nesër. Të gjithë anëtarët e LSDM-së që i plotësojnë kriteret kanë të drejtë të paraqesin kandidaturë për kryetar, duke përfshirë të paktën pesë vjet anëtarësim në LSDM dhe të jenë zgjedhur të paktën një herë nga kongresi i partisë si anëtar i një prej organeve të partisë.

Zgjedhjet e brendshme partiake në LSDM janë caktuar për 30 qershor dhe pasojnë pas dorëheqjes së kryetarit Dimitar Kovaçevski, i cili së bashku me kryesinë e partisë dha dorëheqje pas disfatës në zgjedhjet e dyfishta.

Në zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV që u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale, LSDM fitoi vetëm 18 mandate deputetësh. Ky rezultat u vlerësua si një humbje e thellë e LSDM-së, parti e udhëhequr në dy vitet e fundit nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.