Fitër Bajrami, urojnë liderët e partive politike
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar festën e Fitër Bajramit. Në këtë urim, Ahmeti ka bërë thirrje për “forcim të lidhjeve dhe bashkëpunimit për shumë vite The post Fitër Bajrami, urojnë liderët e partive politike appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar festën e Fitër Bajramit. Në këtë urim, Ahmeti ka bërë thirrje për “forcim të lidhjeve dhe bashkëpunimit për shumë vite përpara”.
“Për shkak të pamundësisë për t’u përgjigjur personalisht të gjitha porosive dhe urimeve të shumta që kam marrë nga miq, bashkëpunëtorë dhe dashamirë gjatë festës së Fitër Bajramit, dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju falenderuar sinqerisht dhe nga zemra. Vlerësoj thellësisht që keni ndarë kohën tuaj për të festuar këtë ditë të shënuar me ne dhe për të kontribuar në këtë gëzim të përbashkët.
Uroj që kjo festë të sjellë begati, paqe dhe shëndet në familjet tuaja, si dhe besoj fuqishëm që të vazhdojmë të kontribuojmë dhe të festojmë së bashku, duke forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin mes nesh për shumë vite përpara”, shkruan Ahmeti.
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka shpërndarë urimet e tij për Fitër Bajramin, duke e cilësuar këtë festë si një moment të veçantë që i dedikohet Madhështisë së Vlerave të Zotit.
Në postimin e tij, Taravari ka shkruar:
“Bajrami është një festë që i dedikohet Madhështisë së Vlerave të Zotit ndaj është dhe festa më e bukur! Gëzuar Fitër Bajramin nga Aleanca për Shqiptarët! Zoti Bekoftë familjet tuaja!”
Ky urim nënvizon rëndësinë e kësaj feste për të vlerësuar mirësinë dhe bekimet e Zotit në jetën tonë.
Kryetari i Lëvizja Populli – Fronti Europian, Skender Rexhepi – Zejdi ka uruar Fitër Bajramin.
“Duke iu lutur Zotit të Plotfuqishëm që të na ketë pranuar agjërimin, adhurimet dhe lutjet gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, sot, me rastin e Festës së Bajramit, uroj që kjo ditë e shenjtë t’ju sjellë mirëqenie, paqe, lumturi dhe begati në familjet tuaja.
Le të mbizotërojnë respekti i ndërsjellë, solidariteti dhe harmonia mes nesh. Zoti ju dhëntë mundësinë që, bashkë me më të dashurit tuaj, të festoni edhe shumë Bajrame të tjera, dhe ua mbushtë zemrat me gëzim e mirësi!
Qofshi nën mbrojtjen e Zotit gjithmonë!”, shkroi mes tjerash Zejdi.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët – Fronti Europian, Ziadin Sela ka uruar festën e Fitër Bajramit.
Ai ka uruar që besimtarët myslimanë të kremtojnë së bashku me zemrën plot.
“Një muaj i tërë na mblodhi rreth tryezës së përbashkët, me dashuri dhe mirënjohje për kafshatën e gojës dhe praninë e më të dashurve që kemi. Na bëri ta provojmë durimin dhe ta ndiejmë thellë kuptimin e sakrificës. U lutëm për vete dhe për ata që munguan në sofrat tona. Sot uroj të kremtojmë së bashku me zemrën plot! Agjërim të pranuar dhe lutje të pranuara për të gjithë!”, shkroi Sela.
Me rastin e Festës së Fitër Bajramit, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare – Fronti Europian, Menduh Thaçi uroi besimtarët mysliman.
“Qoftë kjo ditë gëzimi dhe reflektimi një moment paqeje, mirëqenieje dhe uniteti për kombin tonë. Le ta festojmë me mirënjohje, dashamirësi dhe një përkushtim të forcuar për solidaritet dhe përparim”, shkroi Thaçi.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka uruar Fitër Bajramin duke treguar porosinë kryesore të Ramazanit.
Nëpërmjet një video mesazhit, Kasami ka bërë thirrje që të festohet jeta dhe të forcohen lidhjet me të afërmit.
“Ramazani vjen në shtëpitë tona për ta festuar jetën, për të forcuar lidhjet mes të afërmve dhe për të ndarë gëzimin e vërtetë me të tjerët”, thuhet mes tjerash në urimin e Kasamit.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit. Ai shprehu dëshirën që kjo festë të sjellë dashuri ndër njerëzit.
“Pas një periudhe reflektimi, sacrifice dhe angazhimi të thellë për t’u afruar më shumë me Zotin, kam kënaqësinë t’ju uroj festën e madhe të Fitër Bajramit.
Ramazani na mësoi se agjërimi është një rrugë për ta pastruar shpirtin, dhe se çdo ditë është mundësi për të praktikuar vlerat e sinqeritetit, dashurisë dhe respektit për njëri-tjetrin. Prandaj, duke lënë pas muajin e Ramazanit, le të dalim me zemër të pastër dhe më shumë gatishmëri për të ndihmuar ata që kanë nevojë, si dhe për të kontribuar në forcimin e unitetit, tolerancës dhe harmonisë shoqërore.
Në emrin tim personal dhe të Kuvendit të RMV, urime për shumë mote Bajramin e Madh! Qoftë kjo ditë një burim gëzimi dhe paqeje për ju dhe familjet tuaja, duke dhuruar sa më shumë dashuri, mirëkuptim dhe solidaritet”, ka shkruar Gashi.
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti ka uruar Fitër Bajramin.
Ai ka vlerësuar, “ashtu si agjërimi na mësoi durimin, vetëpërmbajtjen dhe përkushtimin, edhe përpjekja jonë e përbashkët për të mirën e përgjithshme kërkon përkushtim, durim dhe sakrificë”.
Më tej Mexhiti ka cituar një pjesë të librit të shenjtë islam, ku bëhet thirrje që besimtarët të bëjnë paqe në mes vete.
“Në këtë muaj kemi punuar së bashku, jo vetëm për forcimin e besimit tonë, por edhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët, për të kapërcyer sfidat që u perballëm me maturi dhe për të forcuar themelet e një të ardhmeje më të drejtë dhe më të bashkuar. Fitër Bajrami na kujton rëndësinë e solidaritetit, dhe po ashtu na inspiron që këtë frymë ta shndërrojmë në vepra konkrete për shoqërinë tonë.
“Paqja është ajo që është urdhëruar për ty. Dhe o besimtarë, bëni paqe mes jush.” (Kur’an)
Ashtu si sakrifica e agjërimit na përgatit për një shpërblim të madh, edhe puna jonë e përbashkët do të sjellë frytet e veta për shoqërinë dhe vendin tonë.
Kurse, ish-ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi, kanë vizituar familjen e ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi i cili ndodhet në paraburgim për rastin me diskotekën “Puls” në Koçan, për festën e Fitër Bajramit.
“Sot është dita e duhur për të treguar se jo vetëm Kreshniku, por e gjithë familja Bekteshi ka mbështetjen tonë.
Jo vetëm sepse është një mik i vërtetë, jo vetëm sepse është pjesë e familjeve tona, por sepse është padrejtësisht i akuzuar dhe akoma më padrejtësisht i ndarë nga familja e tij.
Kreshniku është i fortë, i guximshëm dhe mbi të gjitha një njeri i drejtë—prandaj shumë shpejt e presim përsëri pranë nesh!”., ka shkruar Bujar Osmani në rrjetin social Fejsbuk. Flaka Media
The post Fitër Bajrami, urojnë liderët e partive politike appeared first on Flaka, në çdo lajm... .