Gashi: Nuk e di se a kemi premtuar datë të saktë për ndryshimet kushtetuese

Kryetari i parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi i cili është dhe kryetar i partisë Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, tha se nuk mban mend poqëse kanë ofruar për elektoratin datë për votimin e ndryshimeve Kushtetuese. Për VLEN-in si përfaqësuese e shqiptarëve në përbërjen […]

qershor 2, 2024 - 13:01
 0  8
Gashi: Nuk e di se a kemi premtuar datë të saktë për ndryshimet kushtetuese
Afrim Gashi u zgjodh kryetar i Kuvendit të RMV-së. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Kryetari i parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi i cili është dhe kryetar i partisë Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, tha se nuk mban mend poqëse kanë ofruar për elektoratin datë për votimin e ndryshimeve Kushtetuese. Për VLEN-in si përfaqësuese e shqiptarëve në përbërjen e ardhshme qeveritare, Gashi thotë se prioritet ngelet procesi i integrimit dhe se Marrëveshja e Ohrit është e integruar në Kushtetutë, dhe qytetarët duhet ta respektojnë Kushtetutën, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i parlamentit, Afrim Gashi, thotë se nuk kanë paracaktuar datë për ndryshimet kushtetiese dhe se duhet siguruar një e treta e votave të parlamentit. Koalicioni VLEN shprehin gatishmëri për votimin e ndryshimeve kushtetuese, ndërkaq të njëjtën e pret edhe nga deputetët tjerë shqiptarë.

“Nuk e di saktësisht nëse kemi caktuar një datë, por është ende një çështje që varet nga 80 deputetë. Duhet të gjenden 80 deputetë. Sa i përket koalicionit VLEN dhe mendoj se të gjithë deputetët shqiptarë do të votojnë për ndryshimet kushtetuese kur të dalin në rend dite”, tha Gashi.

Më tej si retrospektivë, Gashi rikujton se Alternativa kishte dorëzuar një amandament kushtetues, formulimi kushtetues për çështjen e gjuhës shqipe.

“Nëse ju kujtohet, ne si Alternativë kemi kohë që luftojmë publikisht për një tjetër amendament kushtetues, që është akti jo statutor i korrupsionit politik. Ne do të avokojmë për këtë, nëse hapet kushtetuta, natyrisht edhe për atë që ju bëtë si pyetje, për riformulimin e formulimit fyes për gjuhën shqipe, në mënyrë që të flasim hapur me të gjitha partitë politike… Gjithçka për të cilën kemi rënë dakord, e kemi thënë publikisht dhe në mënyrë transparente,” shtoi Afrim Gashi.

Koalicioni VLEN, sipas Afrim Gashit është fokusuar në ndërtimin institucional dhe nuk diskuton për largim nga koalicioni qeverisës. Prioritet mbetet integrimi në Bashkimin Evropian, megjithatë duhet pasur parasysh se në këtë periudhë do zhvillohen edhe zgjedhjet në Parlamentin Evropian e ato presidenciale në ShBA.

“Ne po mundohemi të ndërtojmë institucione dhe të bëjmë një qeveri, jo të mendojmë të largohemi. Mbetet prioriteti ynë i parë si shtet dhe si përfaqësues të partive politike dhe shqiptarëve që të avokojmë për integrimin sa më të shpejtë të vendit në BE. Ka zgjedhje në Parlamentin Evropian në qershor, ka zgjedhje në Shtetet e Bashkuara. Këtu janë disa faktorë dhe të gjithë duhet të jemi në tryezë për ta hequr këtë problem nga ajo tryezë politike,” theksoi Gashi.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar ruajtjen e Marrëveshjes së Ohrit, megjithatë Gashi thotë se këtë deklaratë nuk e ka ndjekur, por, se kjo Marrëveshje është e integruar në Kushtetutën e RMV-së, dhe se duhet ta respektojmë Kushtetutën.

“Nuk e kam dëgjuar vërtet këtë deklaratë, është hera e parë që e dëgjoj nga ju. Nuk shoh asgjë të keqe në këtë, për t’iu referuar frymës së Marrëveshjes Kornizë. Mendoj se ne të gjithë qëndrojmë për këtë, sepse ajo Marrëveshje Kornizë është e integruar në Kushtetutë dhe ne duhet ta respektojmë Kushtetutën. Pra, po, asgjë të keqe me këtë. Nese të kuptova drejt. Qeveria është formuar me 61 deputetë, me shumicë dhe nga ana tjetër, koalicioni shqiptar VLEN ka marrë 107 mijë vota, që mbart plotësisht legjitimitetin e shqiptarëve në këtë Kuvend,” tha kryetari parlamentit të RMV-së, Afrim Gashi.

Kujtojmë se Afrim Gashi, ish kryetari i Alternativa-s dhe pjesë e koalicionit VLEN në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan në RMV, u zgjodh me 76 vota kryetar i parlamentit të RMV-së më 28 maj 2024. Një ditë më pas, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, nga koalicioni parlamentar “Fronti Evropian”, në një konferencë për media kërkoi nga koalicionet dhe partitë në RMV të respektojnë Marrëveshjen e Ohrit.

LEXO: Afrim Gashi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

LEXO: Fronti Evropian: Do të përdorim të gjitha mekanizmat në mbrojtje të legjitimitetit të fituar, Kasami ju bëri thirrje të jenë opozitë konstruktive (Video)