Gjuha shqipe “gjethe vjeshte” për ministritë e RMV-së, qëndron ose “fluturon” sipas ndryshimit të Qeverisë

Gjuha shqipe është bërë si “gjethe vjeshte” për institucionet e vendit. Ajo “fluturon” apo qëndron dhe zbatohet, sipas ndryshimeve të kuadrove. Disa ministri, me ardhjen e Qeverisë së VMRO-DPMNE-së në pushtet, kanë ndryshuar komunikimin me mediat. Nëse dikur komunikatat dërgoheshin edhe në gjuhën shqipe, kjo nuk ndodh më. Natyrisht këtu ka përjashtime, dhe ndër to […]

shtator 22, 2024 - 09:00
 0  9
Gjuha shqipe “gjethe vjeshte” për ministritë e RMV-së, qëndron ose “fluturon” sipas ndryshimit të Qeverisë
Foto ilustrim nga Portalb.mk, Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Gjuha shqipe është bërë si “gjethe vjeshte” për institucionet e vendit. Ajo “fluturon” apo qëndron dhe zbatohet, sipas ndryshimeve të kuadrove. Disa ministri, me ardhjen e Qeverisë së VMRO-DPMNE-së në pushtet, kanë ndryshuar komunikimin me mediat. Nëse dikur komunikatat dërgoheshin edhe në gjuhën shqipe, kjo nuk ndodh më. Natyrisht këtu ka përjashtime, dhe ndër to është ajo e Arsimit dhe Shkencës. Ndërsa sa i përket Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, që dikur komunikatat i dërgonin në të dyja gjuhët, tani dërgohen vetëm në maqedonisht. Ndërkohë, në ministritë tjera, situata duket se ka mbetur e njëjtë si në Qeverinë e kaluar, të udhëhequr nga LSDM-BDI, shkruan Portalb.mk.

Nga analiza e shtatë ditëve (12-18 shtator) të komunikatave të dërguara nga disa ministri, mund të vërehet se qasja e dërgimit të komunikatave me ndryshimin e Qeverisë ka ndryshuar në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Transformimit Digjital dhe në Ministrinë e drejtësisë. 

Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Bujqësisë, asnjëherë nuk dërgojnë komunikata në gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Ministria e Arsimit dhe Shkencës deri tani është ministria e vetme që mund të lavdërohet për zbatimin e shqipes, sidomos në komunikatat për mediat.

Të gjitha komunikatat për shtatë ditë nga kjo ministri janë dërguar në të dyja gjuhët.

Lidhur me ueb-faqen e kësaj ministrie, informacionet ditore këtu janë në të dyja gjuhët, megjithatë vet ueb-faqja nuk shtë aspak praktike, pasi titujt paraqiten në gjuhën shqipe ndërsa kur shty për të lexuar përmbajtjen, automatikisht kyçesh në versionin maqedonisht. Për ta gjetur përmbajtjen shqip, përsëri duhet të shtypësh versionin shqip të ueb-faqes. Përndryshe përmbajtjet në përgjithësi janë në të dyja gjuhët, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Mbrojtjes

Në këtë ministri, edhe pse ministre ishte nga radhët e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, komunikatat pothuajse gjithmonë dërgoheshin edhe në shqip, pasi fillimisht dërgoheshin në gjuhën maqedonase. Por, tani, me ardhjen e Vllado Misajllovskit nga VMRO-ja, dërgimi i komunikatave në gjuhën shqipe u ndërpre, shkruan Portalb.mk.

Në shtatë ditë, Ministria e Mbrojtjes ka dërguar gjithsej dy komunikata dhe të dyja vetëm në gjuhën maqedonase.

Por, situatë tjetër kemi në ueb-faqen e kësaj ministria. Për habi, këtu informacionet ditore janë të publikuara në të dyja gjuhët njësoj në të njëjtat data.

Ueb-faqja e Ministrisë së Mbrojtjes në gjuhën shqipe
Ueb-faqja e Ministrisë së Mbrojtjes në gjuhën shqipe
Ueb-faqja e Ministrisë së Mbrojtjes në gjuhën maqedonase
Ueb-faqja e Ministrisë së Mbrojtjes në gjuhën maqedonase

Kjo ministri, rubrikat, ndryshe nga ueb-faqja e Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit, ku në versionet shqip të ueb-faqeve janë në maqedonisht, i ka të përkthyera mirë edhe në gjuhën shqipe.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme nuk dërgon komunikata në gjuhën shqipe. Nga 13 të dërguara për shtatë ditë, asnjëra nuk është dërguar edhe në shqip, shkruan Portalb.mk. Paraprakisht, në Qeverinë e LSDM-së, ku në krye të kësaj ministrie ishte Bujar Osmani, komunikatat gjithmonë dërgoheshin në të dyja gjuhët edhe ueb-faqja përditësohej me të dhëna edhe në shqip, pavarësisht se më me vonesë se në maqedonisht. Por, situata ka ndryshuar tërësisht me ardhjen e Timço Mucunskit nga radhët e VMRO-së.

E njëjta gjë, që me ardhjen e tij në funksion ndodh edhe në ueb-faqe. Asnjë komunikatë nuk është publikuar në shqip. Informacioni i fundit në gjuhën shqipe në këtë ueb-faqe është i datës 23 qershor 2024, kohë kur ende ishte ministër Bujar Osmani. Të gjitha komunikatat e MPJTJ-së në versionin shqip të ueb-faqes janë në gjuhën maqedonase, siç edhe mund të shihet në fotografitë më poshtë:

Komunikata e fundit shqip në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme është e datës 23 qershor 2024
Komunikata e fundit shqip në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme është e datës 23 qershor 2024
Komunikatat në gjuhën maqedonase në versionin shqip të uebfaqes në MPJTJ
Komunikatat në gjuhën maqedonase në versionin shqip të uebfaqes së MPJTJ

Ministria e Drejtësisë

Kjo ministri paraprakisht drejtohej nga Krenar Lloga dhe komunikatat dërgoheshin gjithmonë në të dyja gjuhët. Mirëpo me ardhjen e ministrit Igor Filkov, komunikatat për media dërgohen vetëm në maqedonisht, shkruan Portalb.mk.

Në shtatë ditë, janë dërguar tre komunikata, të gjitha në gjuhën maqedonase.

Kur jemi te ueb-faqja e kësaj ministrie, versioni shqip është i përditësuar me informacione të aktiviteteve ditore.

Ueb-faqja e Ministrisë së Drejtësisë në gjuhën shqipe
Ueb-faqja e Ministrisë së Drejtësisë në gjuhën shqipe

Por, disa rubrika janë vetëm sa “për të thënë”, brenda tyre nuk ka asgjë tjetër shqipe. Madje disa prej tyre nuk hapen fare, si në shembullin më poshtë:

Printscreen nga Ministria e Mbrojtjes
Printscreen nga Ministria e Mbrojtjes

Sa u përket Ministrisë së Transformimit Digjital dhe Ministrisë së Administratës Publike, të cilat dikur kanë qenë një ministri (Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë), nuk dihet çfarë ndarje të hapësirës, ​​pajisjeve, inventarit, arkivit, dokumentacionit, mjeteve të punës dhe fondeve të tjera, si dhe të punonjësve kanë bërë nga ministria paraprake e udhëhequr nga Admirim Aliti. Megjithatë, komunikatat që dërgohen në media nga Ministria e Transformimit Digjital, janë vetëm në gjuhën maqedonase,shkruan Portalb.mk. Ndërkohë derisa ishte si Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë komunikatat dërgoheshin edhe në shqip.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, Ministria e Çështjeve Evropiane, por edhe ajo e Financave, dërgojnë komunikata në të dyja gjuhët. Edhe uab-faqet janë përgjithësisht mirë të përditësuara edhe në gjuhën shqipe.

Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor nga ana tjetër të gjitha komunikatat i dërgon vetëm në shqip, kjo ndoshta vetëm për mediat shqipe. Nga shtatë komunikata të dërguara në shtat ditë, vetëm njëra prej tyre është dërguar edhe në maqedonisht, shkruan Portalb.mk. Por me shumë gjasë, komunikatat në gjuhën maqedonase për mediat maqedonase dërgohen veçmas.

Kujtojmë se në analizën paraprake të Portalb.mk të shtatë ditëve (12-18 shtator) të komunikatave të tre institucioneve më të rëndësishme në vend, vërehet që Presidenca nuk e përfill fare gjuhën shqipe, Qeveria dërgon komunikata edhe në shqip edhe pse me vonesë dhe jo të gjitha, ndërsa Kuvendi gjithmonë e zbaton gjuhën shqipe, përveç përjashtimeve tepër të rralla.

Ndryshe, në rast të mos zbatimit të këtij Ligji parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë.

Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.

(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit
përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në shikim të parë në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.