Korrupsioni në arsimin e lartë në RMV: Studenti punoi punimin, profesori kërkoi të shënohej si bashkautor

Korrupsioni është një problem serioz në vendin tonë, i cili nuk bën pothuajse asgjë për ta luftuar atë. Kjo është theksuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut, ku theksohet se korrupsioni në të gjitha sferat është një problem shumë shqetësues, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk. Në sektorin e arsimit ka […]

shtator 22, 2024 - 09:00
 0  4
Korrupsioni në arsimin e lartë në RMV: Studenti punoi punimin, profesori kërkoi të shënohej si bashkautor

Korrupsioni është një problem serioz në vendin tonë, i cili nuk bën pothuajse asgjë për ta luftuar atë. Kjo është theksuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut, ku theksohet se korrupsioni në të gjitha sferat është një problem shumë shqetësues, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Në sektorin e arsimit ka forma të ndryshme të korrupsionit, të cilat studentët shpesh nuk kanë kurajë t’i raportojnë zyrtarisht. Një nga arsyet për këtë është se ndonjëherë edhe vetë studentët janë ata që ofrojnë ryshfet, për çka dëshmon edhe ombudsmani studentor Savçe Gjosheva. Për Meta.mk ajo ndau disa raste për korrupsion të cilat janë raportuar tek ajo.

Savçe Gjosheva, foto nga arkivi personal
Savçe Gjosheva, foto nga arkivi personal

“Në një nga rastet ka elementë korruptiv. Gjegjësisht, një profesor në Fakultetin e Teknologjisë Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike ka kërkuar nga një student që ta publikojë punimin që studenti e kishte punuar vetë, por në të ta shënonte edhe emrin e profesorit si bashkautor. Këtu çështja nuk mund të zgjidhej sepse nuk kishte prova të mjaftueshme që vërtet ishte kështu. Dekanati në njëfarë mënyre e mbrojti profesorin, nuk kishte asnjë provë me shkrim se ai e kishte kushtëzuar studentin. Ndonjëherë raste të këtilla janë të vështira për t’u zgjidhur sepse secili e thotë të vërtetën e vet”, thotë Gjosheva për Meta.mk,transmeton Portalb.mk.

Në një rast tjetër, siç thotë ombudsmani studentor, një student i Fakultetit Filologjik i ka ofruar ryshfet profesorit që ai t’i jepte notë më të lartë.

“Kjo ka ndodhur vitin e kaluar. Në lidhje me këtë rast, studentit duhej t’i jepej dënim disiplinor. Di për  këtë rast, sepse në atë kohë kam qenë pjesë e këshillit arsimor-shkencor të fakultetit”, shton Gjosheva.

Shitja e librave është fenomeni më i shpeshtë korruptiv

Forma më e shpeshtë e korrupsionit është shitja e librave të shkruar nga profesorët, të cilët u kërkojnë studentëve t’i blejnë ato. Sipas Gjoshevës, më të larta janë çmimet e librave që u ofrohen studentëve të Fakultetit Juridik dhe të Fakultetit Ekonomik.

“Shitja e librave është diçka që përmendet shpesh si një formë korrupsioni. Disa fakultete dhe profesorë të caktuar ende kërkojnë nga studentët që t’ua blejnë librin, që pastaj tu japin studentëve nënshkrim, ose pikë shtesë, të drejtën për të hyrë në provim, etj. Momenti që dikush kërkon diçka nga ju për të marrë diçka në këmbim është i diskutueshëm. Për shembull, në fakultetin tim, atje ku unë studioj, pra në Fakultetin Filologjik, duhej të blihej një libër për një nga lëndët e që kushtonte 400 denarë. Në fund të librit kishte ushtrime. Nëse studenti i zgjidhte  ato ushtrime, atëherë ai merrte pikë shtesë. Edhe kjo, në një farë mënyre, është kushtëzim”, thotë ombudsmani studentor.

Studentët e UKM-së mund t’i raportojnë format e korrupsionit në adresat elektronike të profesorit Gordan Kallajxhiev, i cili është zyrtar kundër korrupsionit ([email protected]), si dhe te ombudsmani studentor Savçe Gjosheva, në [email protected]

Raportoni edhe në KSHPK

Rastet e korrupsionit, përfshirë këtu korrupsionin në arsim, mund të raportohen edhe në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Vitin e kaluar në një event lidhur me këtë temë ish-kryetarja Biljana Ivanovska thа se sektori i arsimit është trajtuar në Strategjinë e tyre nacionale për korrupsion dhe konflikt të interesave, sepse perceptimi i qytetarëve është se në arsimin e lartë ka korrupsion.

“Nuk kemi pranuar raportime nga studentët, prandaj i inkurajoj studentët të raportojnë”, tha atëkohë Ivanovska.

PSU: Raportimet bëhen tek ombudsmani studentor dhe tek zyrtari kundër korrupsionit

Kryetari i Parlamentit Studentor Universitar në UKM, Aleksandar Nikollovski, për Meta.mk thotë se ky organ vepron në atë mënyrë që e promovon kudo organin e Ombudsmanit studentor, ku studentët mund t’i raportojnë rastet e korrupsionit.

Aleksandar Nikolovski, president i KSU UKM / foto: Meta.mk
Aleksandar Nikolovski, president i KSU UKM / foto: Meta.mk

“Mendoj se studentët e dinë se ku mund të drejtohen në raste të tilla, edhe pse mendoj se duhet të promovohet më shumë zyrtari kundër korrupsionit në UKM, profesori Gordan Kallajxhiev, ku studentët gjithashtu mund të raportojnë forma korruptive gjatë studimeve”, thotë ai.

Përndryshe, studentët e UKM-së mund të raportojnë ryshfet dhe korrupsion në e-mail adresat e profesorit Gordan Kallajxhiev [email protected], si dhe tek ombudsmani studentor Savçe Gjosheva, në [email protected].

KE: Nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit

Siç e përmendëm edhe në fillim, në raportin e fundit të KE-së për progresin e vendit, shkruhet se nuk ka kurrëfarë përparimi në luftën kundër korrupsionit, transmeton Portalb.mk.

“Vendi nuk po lufton kundër korrupsionin. Nuk është arrirë asnjë përparim. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese. Shtyrja e gjykimeve për çështjet e korrupsionit të lartë janë shtuar dhe kjo ka si rezultat vjetërsimin e tyre. Dënimi maksimal ligjor për krime specifike të lidhura me korrupsionin u zvogëlua, e kjo rezultoi me vjetërsimin ose ndërprerjen e një numri të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë këtu edhe rastet nga ish Prokuroria Speciale Publike (PSP)”, thuhet në raportin e publikuar në muajin tetor të vitit të kaluar.