Vonimi i procesit eurointegrues ngjall frikën për rritjen e autokracisë në RMV
Derisa ende nuk po shihet drita në procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, njohësit e çështjeve politike dalin me përfundime dhe rekomandime, se çka është bërë dhe çka duhet bërë tutje në rrugën drejt Bashkimit Europian. Njohësit e rrethanave në procesin eurointegrues insistojnë se reformat janë të domosdoshme dhe se vet vendi duhet t’i inicojë […]


Derisa ende nuk po shihet drita në procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, njohësit e çështjeve politike dalin me përfundime dhe rekomandime, se çka është bërë dhe çka duhet bërë tutje në rrugën drejt Bashkimit Europian. Njohësit e rrethanave në procesin eurointegrues insistojnë se reformat janë të domosdoshme dhe se vet vendi duhet t’i inicojë të njëjtat edhe pa shtytje nga jashtë, shkruan Portalb.mk.
Sipas Simonida Kacarskës nga Instituti për Politika Europiane (EPI), negociatat nuk janë shkopi magjik. Në përgjithësi, ndërtimi i bazës së përbashkët të palëve të interesit dhe një pozicion i unifikuar është shumë i rëndësishëm, si dhe ushtrimi i presionit të brendshëm për reforma pavarësisht nga negociatat e BE-së.
“Nevoja për të ndërtuar dialog mbi reformat e aderimit me gjyqësorin u neglizhua në Maqedoni, për të vënë të gjitha palët e interesit në të njëjtën anë në drejtim të procesit të aderimit, kjo është më e rëndësishme sesa dialogu me Komisionin. Duhet të angazhohemi me institucionet e BE-së dhe instrumentet e tyre, organet ekzistuese që punojnë për gjyqësorin. Bosnja dhe Hercegovina nuk janë përfshirë në këto instrumente. Sa më shumë që vlerësimet të jenë të ndërlidhura, aq më e lehtë do të jetë puna e Komisionit dhe kandidatëve. Ka mësime pozitive nga Maqedonia e Veriut. Ne arritëm të ulim rastet në gjyqësi në vitin 2008, ka ndërhyrje që mund të bëhen dhe që nuk janë politike. Një mësim negativ është politizimi dhe presioni politik për zgjedhjen e gjykatësve”, tha Kacarska.
Në rajon ekziston frika nga rritja e autokracisë, si pasojë e vonimit të zgjerimit të BE-së. Profesori universitar, Marko Krtolica diskutoi mjetet kushtetuese mund të parandalojnë rritjen e mëtejshme të autokracisë.
“Shpesh flasim për vdekjen e demokracive, e shohim kur gjeneralët vijnë përmes grushteve ushtarake dhe revolucionëve. Tani e shohim se ato po vdesin gradualisht përmes zgjedhjeve. Ne u përqendruam te gjyqësori, por fokusi duhet të jetë edhe në aspekte të tjera; media dhe administrata publike janë gjithashtu objektiva. Kjo është e njohur nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Sipas mendimit tim, shtetet federale kanë tendencë të jenë më rezistente ndaj populizmit. Kur parlamenti është dydhomësh, një nga dhomat përpiqet të balancojë. Sistemet elektorale janë gjithashtu të rëndësishme. Kemi parë raste kur gjykata kushtetuese mund të reagojë. Gjykata Kushtetuese në SHBA anuloi rezultatet elektorale, por kjo duhet të jetë zgjidhja e fundit. Duhet t’i tregosh njerëzve pse po e bën këtë; gjithçka në letër mund të jetë perfekte, por njerëzit që do të hyjnë në institucione janë ata që do të sjellin “kapjen e shtetit”. Institucionet jetojnë përmes njerëzve që punojnë aty. Edukimi dhe njohuria politike është ku kemi dështuar; asnjë ligj ose sistem ligjor nuk mund të mbrojë demokracinë kur ideja ka vdekur”, tha Krtolica.
Këto komente ekspertët e çështjeve europiane i kanë bërë gjatë debatit me titull “Sundimi i ligjit dhe procesi i anëtarësimit në BE – Sfidat dhe mundësitë për vendet kandidate dhe BE-në”, që u zhvillua në Shkup, nën organizimin e Institutit për Demokraci “Societas Civilis”- Shkup dhe Institutit për Politika Evropiane (IEP) nga Berlini.
Së fundmi në opinion ka tërhequr vëmendjen Marta Kos, komisionerja e BE-së për Zgjerim, e cila e ka përshkruar rastin e RMV-së si një histori të trishtueshme. Duke folur rreth Ballkanit Perëndimor, Kos tha se ka dy ose tre histori të trishtueshme në rajon – njëra është Kosova, tjetra është Maqedonia e Veriut dhe e treta është Bosnja dhe Hercegovina.
Kujtojmë se meardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.