Go Green: Ligji i ri për Urbanizëm në RMV do të shkatërrojë hapësirat publike
Organizata joqeveritare “Go Green” shpreh shqetësimin për propozim-amendamentin e fundit të Ligjit për Urbanizëm, i cili bëhet sipas procedurës së shpejtë, pa debat të duhur publik dhe pjesëmarrje të qytetarëve të interesuar dhe sektorit civil. Ky ndryshim, sipas Go Green, jo vetëm që mbyt zërin publik, por gjithashtu përbën një kërcënim për të mirën tonë […]
Organizata joqeveritare “Go Green” shpreh shqetësimin për propozim-amendamentin e fundit të Ligjit për Urbanizëm, i cili bëhet sipas procedurës së shpejtë, pa debat të duhur publik dhe pjesëmarrje të qytetarëve të interesuar dhe sektorit civil. Ky ndryshim, sipas Go Green, jo vetëm që mbyt zërin publik, por gjithashtu përbën një kërcënim për të mirën tonë publike, transmeton Portalb.mk.
“Me këtë amendament do të bëhet i mundur shkatërrimi i hapësirave publike dhe shpërfillja e zgjidhjeve ligjore ekzistuese cilësore. Gjithashtu, ndërtimi i garazheve të makinave do të rrisë numrin e automjeteve në rrugë, në vend që të inkurajojë përdorimin e mjeteve alternative dhe miqësore me mjedisin. Besojmë se kjo qasje nuk është në interes të qytetarëve dhe mjedisit dhe shpresojmë që ky ndryshim i ligjit të mos votohet”, tha Go Green.
Nga atje shtojnë se nëse ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dëshiron realisht të bëjë ndryshime në ligj, duhet të fokusohet në përmirësimin e infrastrukturës së biçikletave dhe këmbësorëve.
“Këto ndryshime duhet të zbatohen me një dizajn të unifikuar dhe universal, i cili do të lehtësojë përdorimin e mjeteve alternative të transportit dhe do të kontribuojë në një qytet më të pastër dhe më të këndshëm për të gjithë ne”, thuhet në deklaratën e Go Green.
Ministria e Transportit, e udhëhequr nga Aleksandar Nikolloski, tashmë është shprehur se qëllimi kryesor i ligjit është thjeshtësimi i procedurave për miratimin e planeve urbanistike për ndërtimin e objekteve me interes publik si çerdhe, shkolla, spitale, objekte të tjera sociale dhe kujdesi shëndetësor, por dhe garazhe shumëkatëshe.
“Ne besojmë se kjo është e papranueshme për shkak të mungesës së kornizës ligjore, komunat dhe shteti nuk do të mund të realizojnë programet zhvillimore dhe realizimi i projekteve kapitale do të zgjasë me vite, madje edhe dekada. Në këtë kuadër, theksojmë se rreth 600 plane urbanistike janë të bllokuara në procedurë, gjë që ka vënë në pikëpyetje miratimin e tyre dhe realizimin e investimeve kapitale”, ka thënë Ministria e Transportit.
Kësaj tashmë i është përgjigjur nisma O2. Sipas tyre, ndryshimi i ligjit hap derën e kaosit urban.
“Ajo që dëshirohet është të ndërtohet pa plan, vetëm me projekt, pa pyetur qytetarët që jetojnë atje nëse janë dakord me vendndodhjen, lartësinë e objektit apo jo, pa anketë publike dhe pa të drejtën e Këshillit të vendos me votim. Kjo është një derë e hapur për anarki dhe kaos, nuk duhet lejuar. Le të thjeshtojmë gjithçka, të heqim urbanistikën dhe secili të ndërtojë ku të dojë, si të dojë, sa të dojë. Nuk mund të krijohet kaos ndërtimi urban me pretekstin e “interesit publik”, thonë nga nisma O2.
Reagimet janë gjithashtu se një ligj i tillë nuk duhet të miratohet me procedurë të shkurtuar, pa konsultim me ekspertë dhe gjatë pushimeve verore.