Gostivari i ngulfatur nga mbeturinat, autoritetet në “gjumë veror”
Rrugët e Gostivarit janë përplot mbeturina, përreth kontejnerëve shpesh krijohen edhe mini deponi ku aty sheh lloj-lloj mbetjeje të cilat bllokojnë shpesh edhe lëvizjen e lirë në trotuare. Për qytetarët këto pamje janë të neveritshme, ata kërkojnë zgjidhje. Por, zgjidhje afatgjate në terren nuk ka. Autoritetet heshtin ,shkruan Portalb.mk. Mini deponi gjithandej Mjafton një ecje […]
Rrugët e Gostivarit janë përplot mbeturina, përreth kontejnerëve shpesh krijohen edhe mini deponi ku aty sheh lloj-lloj mbetjeje të cilat bllokojnë shpesh edhe lëvizjen e lirë në trotuare. Për qytetarët këto pamje janë të neveritshme, ata kërkojnë zgjidhje. Por, zgjidhje afatgjate në terren nuk ka. Autoritetet heshtin ,shkruan Portalb.mk.
Mini deponi gjithandej
Mjafton një ecje përgjatë rrugëve të Gostivarit për të vërejtur deponi të egra në lokacione të ndryshme të qytetit, aty sheh mbetje nga më të ndryshmet si mobilje, pajisje sanitare, pajisje elektrike, mbetje ndërtimore dhe shumë të tjera.
Deponitë e vogla përveç se dëmtojnë ambientin, ata bllokojnë edhe lëvizjen e lirë të këmbësorëve, por edhe të veturave.
Problem tjetër mbetet edhe prania e qenve endacakë të cilët grumbullohen afër kontejnerëve.
Pamjet e mëposhtme janë përditshmëri për Gostivarin.
Qytetarët “mbyllin hundët”, kërkojnë nga autoritetet të “hapin sytë”
Hedhja e mbeturinave jashtë kontejnerëve është shqetësim i madh për qytetarët, ata madje janë të shqetësuar se mund të paraqitet edhe ndonjë sëmundje nga këto papastërti.
Lindita Amiti qytetare e Gostivarit tha se nuk është dakord me këto mbeturina qe hedhen gjithandej, nuk janë të mira as për shëndetin por as edhe për syrin.
“Kur i shikoj ashtu nuk ndjehem rahat, edhe fëmijët kur kalojnë andej mund të ju paraqitet ndonjë sëmundje por aty ka edhe qen endacakë, janë gjithmonë aty, kemi frik edhe prej qenve se mund të na sulmojnë. Shumë na pengon nuk ndjehemi mirë duhet patjetër të bëhet diçka që këto mbeturina të mos jenë në këtë gjendje por edhe qytetarët duhet të kenë kujdes ndaj hedhjes së mbeturinave”, tha Amiti.
Qefajete Zendeli, një qytetare tjetër ankohet se faji është edhe komunës por edhe i qytetarëve.
“Si shteti ashtu edhe populli. Sikur të ketë shtet t’i dënojnë qytetarët atëherë edhe qytetarët do të jenë më të vëmendshëm. Nëse qytetarët do ishin të përgjegjshëm edhe komuna të merr masa nuk do të ishim në këtë gjendje”, tha Zendeli.
Të rinjtë dhe organizatat ekologjike ngritin alarmin
Kryetari i Organizatën Rinore Ekologjike – EYO Leutrim Bilali për Portalb.mk tha se pamjet e shëmtuara të mbeturinave dalin më tepër në sipërfaqe gjatë verës kur kthehen edhe mërgimtarët. Sipas tij, ky problem është kompleks që duhet të trajtohet nga disa aktorë.
“E para është pa përgjegjësia e qytetarëve siç hedhin mbeturina sepse nuk i hedhin në kontejner sidomos gjatë verës e kemi më lehtë shpërndarjen e sëmundjeve. Ana tjetër jo që ka shumë konsistencë prej anës së autoriteteve lokale për ti pastrua njëjtat. Kështu që si problem ne e shohim si problem kompleks edhe duhet të trajtohet nga disa e para autoritetet lokale çka janë në komunë dhe e dyta qytetarët të jenë më të ndërgjegjshëm për të njëjtën problem. Gjithmonë ka hapësirë për tu përmirësuar gjendja dhe gjithmonë duhet edhe më shumë”, tha Leutrim Bilalli.
Ai shtoi se kanë parë disa lajme nga ana e autoriteteve lokale se do të ketë disa kontejnerë modern me një metode smart e cila do të çoj mbeturinat nën tokë dhe do të jetë më i sigurt edhe për shëndetin publik të qytetarëve, megjithatë ai thotë se në realitet nuk ka asnjë përparim në këtë drejtim.
“Andaj neve si organizatë e vlerësojmë se autoritetet lokale duhet të fokusohen në të njëjtat por mos harrojmë se duhet të ketë edhe kampanja të cilët edukojnë qytetarët të jenë më të përgjegjshëm sepse nuk mund të hidhët faji për një problem që kontribuojnë disa palë vetëm te njëra palë”, tha Leutrim Bilalli.
Duhet sensibilizim dhe edukim më i madh i qytetarëve
Nga ana tjetër, kryetari i organizatës “Organized Youth Assocation” – OYA, Art Spahiu tregoi se gjatë kohë janë marrë me edukimin e të rrënjëve për ngritjen e vetëdijes së tyre, që megjithatë qytetarët sidomos pronarët e bizneseve janë problem që nuk mirëmbahet pastërtia edhe prej vetë atyre.
“Punojmë gjithmonë me të rinjtë për këtë temë, vetëdijesimi, edukimi, influencimi i rinisë për tu përmirësuar gjendja dhe për një ambient më të pastër, nuk jemi marrë vetëm për mbeturina por edhe komplet për problemet ekologjike si riciklimi, ndotja e ajrit me qëllim që të përmirësohet gjendja. Puna me të rinjtë, influencimi, dhe edukimi i brezave më te rinjve që ne bëjmë gjithmonë është më e rëndësishme”, tha Art Spahiu.
Komuna e Gostivarit “në gjumë”
Pavarësisht aktiviteteve sa për sy e faqe ekologjike sensibilizuese herë pas here ku kanë marrë pjesë edhe nga Komuna e Gostivarit, nuk ka zgjidhje konkrete për problemin me mbeturinat.
Për këtë problem Portalb.mk u drejtua edhe te Ndërmarrja Publike “Komunalec” në Gostivar të cilët nuk iu përgjigjen pyetjeve tona gazetareske.
Kujtojmë se në Gostivar jo vetëm rrugët por edhe oborret e shkollave janë të mbushura me mbeturina jashtë kontejnerëve.