Institucionet në RMV dërguan mesazhe dhe shënuan Ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, institucionet në Maqedoninë e Veriut dërguan mesazhe reflektimi dhe nxitjeje për ndryshime dhe ndërgjegjësim për shoqëri të barabartë, transmeton Portalb.mk. “Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara na kujton detyrimin tonë për të ndërtuar një shoqëri me mundësi të barabarta, ku mbështetja dhe mirëkuptimi janë […]

dhjetor 3, 2024 - 20:00
 0  6
Institucionet në RMV dërguan mesazhe dhe shënuan Ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara
Fëmijë me aftësi të kufizuara. Foto: MASH

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, institucionet në Maqedoninë e Veriut dërguan mesazhe reflektimi dhe nxitjeje për ndryshime dhe ndërgjegjësim për shoqëri të barabartë, transmeton Portalb.mk.

“Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara na kujton detyrimin tonë për të ndërtuar një shoqëri me mundësi të barabarta, ku mbështetja dhe mirëkuptimi janë baza e angazhimit të përditshëm për integrimin e njerëzve që shprehin aftësitë e tyre në një mënyrë të ndryshme, por po aq domethënëse.Këta persona janë pjesë përbërëse e mozaikut madhështor të shoqërisë sonë. Me mënyrat e tyre unike të manifestimit të njohurive, energjisë, kreativitetit dhe talentit, ato rrezatojnë vlera të paçmueshme dhe i japin një dimension të veçantë përditshmërisë sonë. Vizibiliteti dhe përfshirja e tyre aktive në proceset vendimmarrëse është e nevojshme, sepse askush nuk mund t’i përfaqësojë interesat e tyre më mirë dhe më të fortë se ata”, thuhet në letrën e Kabinetit të presidentes Siljanovska.

Nga ana tjetër në letrën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut thuhet se kjo ditë na fton të reflektojmë mbi rëndësinë e mundësive të barabarta të çdo individi.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, nderojmë forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e individëve që përballen me sfida të veçanta. Ata janë një pjesë e ndjeshme, por jetike e shoqërisë sonë, dhe, pavarësisht pengesave, potenciali i tyre për të kontribuar në çdo sferë të shoqërisë është i pakufizuar. Kjo ditë na fton të reflektojmë mbi rëndësinë e mundësive të barabarta, inkluzivitetit dhe respektit për dinjitetin dhe diversitetin e çdo individi. Si shoqëri, kemi përgjegjësinë kolektive të sigurojmë këto mundësi dhe të angazhohemi për fuqizimin dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara. Kuvendi i RMV mbetet i përkushtuar për të kontribuar në këtë drejtim në çdo formë”, thuhet në letrën e Kuvendit të RMV-së.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë se po punojnë me përkushtim që fëmijët me nevoja të veçanta arsimore të marrin arsim cilësor sipas nevojave dhe mundësive të tyre, të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe të rriten në qytetarë të gjithëpërfshirë dhe të angazhuar në shoqëri.

“Prandaj, po e ndryshojmë modelin e arsimit gjithëpërfshirës ku çdo prind sipas vlerësimit funksional (sipas ICF) dhe së bashku me ekspertët do të jetë në gjendje të vendosë nëse fëmija i tij do të mësojë në shkollë të rregullt apo speciale me qendër burimore. Mirëpo pavarësisht se në cilën shkollë mëson , Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka për qëllim të  sigurojë  mbështetje të përshtatur që korrespondon me nevojat dhe aspiratat individuale të çdo fëmije. Po punohet për rritjen e vazhdueshme të numrit të asistentëve arsimorë. Këtë vit shkollor kemi përfshirë mbi 1000 ekspertë të mësimdhënies në shkollat ​​fillore, më së shumti deri tani. Në Ligjin e ri për Arsimin e Mesëm, i cili do të sillet në fillim të vitit 2025, janë  paraparë  asistent arsimor edhe në shkollat ​​e mesme. Gjithashtu vazhdojmë mbështetjen për mësimdhënësit përmes trajnimeve, në mënyrë që t’ju përgjigjen kërkesave të fëmijëve me nevoja të kufizuara . Në kuadër të mundësive buxhetore, do t’i përmirësojmë kushtet në shkollat ​​me qendër burimore, pasi të kemi përcaktuar më parë situatën në secilën shkollë veçmas në teren. Kjo nënkupton teknologjinë dhe pajisjet e duhura ndihmëse, të cilat do të ndihmojnë dhe rrisin pavarësinë e nxënësve me nevoja të kufizuara arsimore”, thuhet në kumtesën e MASH-it.

Nga ana tjetër, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, së bashku me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, e vizituan Shoqatën e Prindërve të Fëmijëve me Autizëm “Blue Puzzle” – ofruese e shërbimit të kujdesit ditor për personat me aftësi të kufizuara.

“Sot, le të mos flasim vetëm për problemet dhe vështirësitë e personave me nevojë. Kjo ditë është gjithashtu një rast për të festuar guximin, qëndrueshmërinë dhe arritjet e tyre të mahnitshme. Këto persona nuk duhet të perceptohen nga nevojat e tyre, por nga aftësitë, talentet dhe potenciali i tyre. Mënyra e vetme për të krijuar një shoqëri gjithëpërfshirëse është nëse ne të gjithë punojmë së bashku. Prandaj, si individë, si komunitete dhe si institucione, duhet të bëjmë përpjekje për mënjanimin e barrierave fizike, për përmirësimin e sistemit edukativo-arsimor, në mënyrë që të garantojmë të gjithë fëmijët dhe personat të kenë mundësi të barabarta. Të zotohemi fortë të zbatojmë Strategjinë Kombëtare për të Drejtat e Personave me nevojë 2023-2026 dhe Planin e Veprimit 2023-2026, i cili ka një qasje multi – sektoriale me një synim të vetëm”, tha Limani.

Ndërkohë kryetari i LSDM-së, Veko Filipçe tha se çdo qytetar meriton një shans për të realizuar potencialin e tij dhe për të qenë pjesë aktive e shoqërisë.

“Çdo person, pavarësisht aftësisë së kufizuar, ka të drejtën e mundësive të barabarta dhe të një jete dinjitoze. Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, theksoj nevojën për të parë mundësitë, jo kufizimet. Çdo qytetar meriton një shans për të realizuar potencialin e tij dhe për të qenë pjesë aktive e shoqërisë”, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Kujtojmë se personat me aftësi të veçanta kërkojnë të përfshihen në miratimin e ligjeve të rëndësishme për ta dhe të jenë pjesë e grupit parlamentar ndërpartiak për të drejtat e kësaj kategorie qytetarësh.

Qasja në objekte, shërbimet , asistenca personale, e drejta për rehabilitim, pajisjet ortopedike, suplementet dhe shumë të tjera janë gjëra që u mungojnë personave me aftësi të veçanta.

Ata kërkuan që të ndahen më tepër fonde në vitin 2025.

Ndryshe, Bashkimi Evropian, në Raportin e përditësuar vjetor 2023, i publikuar në maj të këtij viti, mbi të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Botë, ka renditur ngecjet dhe përparimet e vendit në periudhën e fundit. Çështja e diskriminimit dhe margjinalizimit të personave me aftësi të kufizuara, situata me burgjet dhe kushtet e punës së gazetarëve mbeten disa prej çështjeve që kanë mbetur në vend numëro që prej vitesh. Këto janë në fakt, kërkesa që KE i bëri edhe në raportin vjetor të progresit për vendin.

Portalb.mk në vazhdimësi ka ngritur çështjen e problemeve dhe sfidave me të cilat përballen kjo kategori e personave që po margjinalizohet në gjitha komunat e vendit.