Interpelanca për Gashin pika e parë e seancës së 3 shtatorit
Interpelanca për kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi do të jetë pika e parë e rendit të ditës së seancës parlamentare, e cila do të mbahet më 3 shtator, transmeton Portalb.mk. “Do të jetë një mesazh i mirë për të gjithë, për publikun dhe për partitë politike, se jemi të hapur për debat”, tha Gashi sot […]
Interpelanca për kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi do të jetë pika e parë e rendit të ditës së seancës parlamentare, e cila do të mbahet më 3 shtator, transmeton Portalb.mk.
“Do të jetë një mesazh i mirë për të gjithë, për publikun dhe për partitë politike, se jemi të hapur për debat”, tha Gashi sot në një brifing me gazetarë, duke shtuar se interpelanca për të nuk është e qëndrueshme politikisht.
Sipas Rregullores së re të Kuvendit, nëse do të paraqitet interpelanca për një deputet apo kryetarin e Kuvendit, ajo duhet të vendoset si pikë e parë në rendin e ditës të seancës së ardhshme që do të caktohet.
Interpelancën për Gashin e kanë dorëzuar deputetët e Partisë e Majta, pas incidentit me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit që ndodhi më 1 gusht.
Asokohe largimin e Gashit e kishte kërkuar edhe LSDM-ja opozitare, duke thënë se ai është përgjegjës për incidentin. Ata kërkuan që përgjegjësi nga Gashi të kërkojë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili nga ana e tij u përgjigj se nuk do të mbështesë një interpelancë të Gashit.
Në kërkesën për interpelancë të dorëzuar nga E Majta, thuhet se kryeparlamentari Gashi që nga fillimi i emërimit të tij ka punuar në mënyrë arbitrare, joprofesionale, të pamatur dhe joprofesionale dhe mbi të gjitha në mënyrë të kundërligjshme, antikushtetuese dhe joprofesionale.