Ka dështuar sërish tenderi për pastrimin e deponisë në Nikushtak të premtuar para 7 muajve nga Mexhiti

Deponia e egër në Nikushtak të Komunës së Likovës ende nuk është mbyllur edhe pse ministri i Mjedisit Jetësor, dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti para shtatë muajve paralajmëroi mbylljen e saj. Sipas informatave të ministrisë të dhëna për Portalb.mk, sërish ka dështuar procesi i tenderimit. Duke mos dhënë më shumë detaje, ministristria e Mjedisit Jetësor, […]

shkurt 23, 2025 - 17:00
 0  4
Ka dështuar sërish tenderi për pastrimin e deponisë në Nikushtak të premtuar para 7 muajve nga Mexhiti
Kamionë të ndërmarrjes "Gjelbrimi dhe Pastërtimi" Kumanovë gjatë hudhjes së mbeturinave në deponinë Nikushtakë. Foto nga Portalb.mk.

Deponia e egër në Nikushtak të Komunës së Likovës ende nuk është mbyllur edhe pse ministri i Mjedisit Jetësor, dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti para shtatë muajve paralajmëroi mbylljen e saj. Sipas informatave të ministrisë të dhëna për Portalb.mk, sërish ka dështuar procesi i tenderimit.

Duke mos dhënë më shumë detaje, ministristria e Mjedisit Jetësor, dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), u përgjigj shkurtë në pyetjet e Portalbit se pse ende nuk është pastruar deponia e egër në Nikushtak të komunës së Likovës.

“Ju njoftojmë se tenderi për këtë procedurë të zhvilluar nga Ministria e Financave ka rezultuar i pasuksesshëm dhe prandaj procedura nuk është zbatuar” thanë nga MMJPH.

Kujtojmë se në korrik të vitit të kaluar (2024), ministri i Mjedisit Jetësor, dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti ishte në komunën e Likovës dhe premtoi se do të mbyllen deponitë ilegale duke thënë se projekti ndodhet në fazën e tenderimit pas anulimit të mëparshëm të kontraktorit i cili ishte përzgjedhur.

“Është planifikuar mbyllja e deponive jo-standarde, përfshirë deponinë në Likovë (Nikushtak) dhe pesë deponi tjera më të vogla në Mateç, Vrima e sipërme (Gorna Rupa), Llojan 1 , Llojan, dhe Goru. Aktualisht, projekti ndodhet në fazën e tenderimit pas anulimit të mëparshëm të kontraktorit i cili ishte përzgjedhur. Vlerësimi i ri ka filluar më datë 6 qershor 2024 dhe pritet të përfundojë deri në fund të gushtit 2024, kur do të nënshkruhet marrëveshja dhe do të fillojnë punimet në terren.” tha Mexhiti në 6 korrik, 2024.

Madje tha se vetëm një pjesë e vogël e deponisë do të mbetet e hapur deri në ndërtimin e deponisë rajonale në Sveti Nikollë dhe më pas do të mbyllet.

“Në deponinë jo-standarde të Likovës, e cila ndodhet pranë fshatit Nikushtak, do të kryhen aktivitete si riformësimi i trupit të deponisë, ngjeshja e mbetjeve të vjetra, ndërtimi i një sistemi pasiv të grumbullimit të gazit dhe mbulimi i deponisë me dhe të freskët dhe të shëndetshëm” tha ai.

Por deri më tani, deponia në Nikushtak vazhdon të jetë e hapur për hedhjen dhe djegien e mbeturinave, edhe pse përreth rrugës është vendosur gardh prej llamarine nga Komuna e Likovës.

Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, në një prononcim për TV21 në nëntor 2024 tha se komuna e Likovës disa herë ka kërkuar dislokimin e kësaj deponie, por kjo nuk u është lejuar nga Ministria e Ambientit Jetësor.

Në të njejtën kohë në nëntor, Mexhiti sërish premtoi se se bashku me deponinë në Nikushtak, edhe pesë lokacione tjera të Likovës do të shndërrohen në zona të gjelbërta. Megjithatë në vend se banorët të shohin gjelbërim, ata ndeshen me deponi të reja.

Sa i përket tenderit për ndërtimin e deponisë rajonale në Sveti Nikollë, edhe atje afatet po shtyhen.

“Është zgjatur afati për dorëzimin e ofertave për tenderin për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë deponinë e parë rajonale në vend në fshatin Meçkuevci afër Sveti Nikollës. Në vend të datës 18 shkurt, siç ishte planifikuar fillimisht, kompanitë e interesuara për tender do të mund të aplikojnë deri më 14 mars.” njoftoi Meta.mk më 20 shkurt 2025.

Kujtojmë se për më shumë se dy dekada, nuk ka zgjidhje për pastrimin e deponisë në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës. Banorët i kanë humbur shpresat se ky problem do të zgjidhet përderisa mbeten të shqetësuar për shëndetin e tyre.