Ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë: Midis të kaluarës, realitetit dhe përplasjeve politike
Nisma për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë ka ngjallur përsëri tensione politike midis partive maqedonase. Këshilltarët e LSDM-së janë tërhequr nga grupi punues, ndërsa VMRO-ja thotë se nuk do të ketë ndryshim të emrave të rrugëve që mbajnë emrat e heronjve maqedonas. Kryetari i Komunës thotë se procedura është gjithëpërfshirëse, shkruan Portalb.mk. Këshilltarët […]


Nisma për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë ka ngjallur përsëri tensione politike midis partive maqedonase. Këshilltarët e LSDM-së janë tërhequr nga grupi punues, ndërsa VMRO-ja thotë se nuk do të ketë ndryshim të emrave të rrugëve që mbajnë emrat e heronjve maqedonas. Kryetari i Komunës thotë se procedura është gjithëpërfshirëse, shkruan Portalb.mk.
Këshilltarët komunal të LSDM-së janë tërhequr tërësisht nga çdo strukturë dhe organ në komunë që është duke punuar në procedurën për ndryshimin e emrave të rrugëve.
“Bilall Kasami dhe partneri i tij i koalicionit (VMRO-DPMNE) kanë mbetur të shurdhër dhe po i injorojnë thirrjet publike se ndryshimi i rrugëve në komunën e Tetovës nuk është prioritet për qytetarët. Sa herë që DPMNE është në pushtet, qoftë në nivel lokal apo qendror, ushqehen tensionet ndëretnike dhe intoleranca. I bëjmë thirrje Mickoskit, si dhe grupit të këshilltarëve të DPMNE-së si partnerë të koalicionit në Qeveri, që të ndërpresin këto aktivitete për ndryshimin e emrave të rrugëve në qytet”, thanë nga LSDM.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ka thënë se akuzat e LSDM-së se po shkaktojnë tensione ndëretnike janë të pavërteta.
“Këshilltarët e VMRO DPMNE-së nuk do të votojnë për ndryshimin e rrugëve që mbajnë emrat e heronjve dhe veprimtarëve që kanë rrënjët në shtetësinë dhe luftën për pavarësi maqedonase, duke filluar nga Ilindenët përmes ASNOM-it e deri më sot. Çdo propozim për emërtimin e rrugës që mban numër në vend të emrit duhet të jetë në përputhje me normat pozitive dhe të mbështetur më parë nga Qeveria”, thanë nga VMRO.
Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës Bialll Kasamit, procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve vazhdon konform ligjit, megjithatë nuk ka ende afat konkret se kur pritet të përfundojë.
“Jemi të interesuar që ky proces të jetë gjithëpërfshirës, por në anën tjetër çdo pjesëmarrës në këtë proces ka të drejtën e vendimmarrjes se a do të jetë ose jo në proces. Është proces i emërimit të rrugëve, pro disa rrugë që kanë emra, a do ngelin me emrat e njëjtë ose do të ketë ndryshim të emrave do të vendosë vetë komisioni dhe pastaj këshilli komunal si organ përgjegjës për emërimin e rrugëve. Më vjen keq që LSDM-ja ka marrë një vendim të tillë në këshillin komunal të Tetovës, edhe pse realisht nuk janë faktor që përcaktojnë realizimin e këtij projekti, interesimi im dhe i këshillit komunal ka qenë të edhe ata si përfaqësues të qytetarëve të jenë pjesë e procesit”, tha Kasami.
Në ndërkohë thirrja publike për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës vazhdon të jetë e hapur deri më 10 mars, ku qytetarët mund të japin propozimet e tyre.
Nisma e ndryshimit të emrave edhe në të kaluarën ka ngjallur debat dhe tensione politike.
Muajin e kaluar Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së dorëzoi nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së riemërimit të rrugëve në Tetovë.
Aktualisht sipas të dhënave nga Komuna e Tetovës, është konstatuar që në Tetovë janë gjithsej 265 rrugë, prej të cilave 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 nuk kanë aspak emërim.
Grupi punues për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës u themelua më 26 gusht 2024,
Ky grup punues përbëhet nga këshilltarët komunal: Argjend Veliu (LB), Abdyrahim Maksuti (LB), Veton Murati (BDI), Anita Boshkovska Jovanovska (VMRO-DPMNE), Visar Palloshi (PDSH), Faton Selami (AAA) dhe Gligorije Stojanovski (LSDM), i cili tani më është tërhequr.
Anëtarë të tjerë janë: Shaban Xhelili nga Sektori për Veprimtari Komunale, Nuhi Pajaziti nga Sektori për Planifikim Urbanistik, historiania Olivera Gixhevska dhe profesori Arsim Sinani.
Grupi i punës ka për detyrë të përpilojë propozim listë të rrugëve dhe ta dorëzojë te këshilli komunal, i cili më pas nëse e miraton, procesi do të vijojë në institucionet përkatëse.
Në këtë vendim nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ashtu siç u promovua në vitin 2022 përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës.
Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.