Katër vite pritje, premtimi për mësim në një ndërrim në shkollat e Tetovës mbetet vetëm në letër
Shkollat në Tetovë ende nuk funksionojnë me një ndërrim siç u premtua nga kryetari i Komunës Tetovës, Bilall Kasami. Mos-përmbushjen e këtij premtimi të dhënë gjatë fushatës zgjedhore, ai e arsyeton se mund të realizohet në periudhë të shkurtër, ndërsa është duke u punuar strategjia për arsim 2025/30 ku do të ketë një pasqyrë më […]


Shkollat në Tetovë ende nuk funksionojnë me një ndërrim siç u premtua nga kryetari i Komunës Tetovës, Bilall Kasami. Mos-përmbushjen e këtij premtimi të dhënë gjatë fushatës zgjedhore, ai e arsyeton se mund të realizohet në periudhë të shkurtër, ndërsa është duke u punuar strategjia për arsim 2025/30 ku do të ketë një pasqyrë më të qartë për këtë çështje, shkruan Portalb.mk.
Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasamit, premtohet se shkollat në Tetovë do funksionojnë me një ndërrim dhe se do të ndërtohen objekte të reja.
Te pjesa e arsimit, konkretisht në faqe 7 thuhet:
“Afatmesëm do të ndërtojmë politika ku të gjithë shkollat fillore të jenë me një ndërrim, duke ndërtuar objekte të reja shkollore në qytet dhe fshatrat e malësisë.”
Megjithatë, gati katër vite më pas që nga ndryshimi i udhëheqësisë komunale, ky premtim nuk është realizuar ende.
I pyetur për këtë premtim, Kasami theksoi se janë në fazën përfundimtare të përmbylljes së strategjisë për arsimin fillor dhe të mesëm për periudhën 2025-2030, ku aty do të parashikohen të gjitha hapat dhe veprimet që duhet të ndërmerren në drejtim të këtij premtimi.
“Nga qershori do të nisë ndërtimi i dy objekteve të reja të dy shkollave të mesme, tekstiles dhe gjimnazit 7 Marsi dhe do të bëhet një hap drejt implementimit të këtij premtimi. Sa i përket shkollave fillore, aty ka nisur në disa shkolla periferike, në disa tjera punohet në drejtim të anekseve të shkollave që të kemi në sa më shumë shkolla mësim në një ndërrim”, tha Kasami.
Momentalisht me një ndërrim funksionojnë vetëm disa shkolla fillore në disa fshatra, ndërsa shkollat në qytet funksionojnë me dy ndërrime.
“Nuk është një premtim që mund të realizohet për një periudhë të shkurtër”, shtoi Kasami.
Në Komunën e Tetovës funksionojnë 6 shkolla të mesme dhe mbi 12 shkolla fillore.
Kujtojmë që në Maqedoninë e Veriut në 150 shkolla realizohet mësimi me një ndërrim, ndërsa për optimizimin e plotë të rrjetit shkollor e cila nënkupton edhe realizimin e punës me një ndërrim në të gjitha shkollat fillore në vend, është e nevojshme të ndërtohen 300 klasa dhe 70 nyje sanitare, për të cilat sipas vlerësimeve që kemi bërë me UNICEF-in dhe Bankën Botërore duhet të investohet rreth 8 milionë euro.