Kërkesa e VMRO-së për plotësimin e rendit të ditës e ndërpreu seancën e komisionit për drejtorin e ASK-së, Bojan Hristovski

Seanca e parë e Komisionit për Mbikëqyrjen e punës së Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK) dhe Agjencisë për kundërzbulim (AK), në të cilën drejtori i ri i ASK-së, Bojan Hristovski, është dashur të ballafaqohet me pyetjet dhe dilemat që janë hapur në publik lidhur me emërimin e tij, nuk u zhvillua, raporton 360 Gradë, transmeton […]

Nëntor 12, 2024 - 18:00
 0  5
Kërkesa e VMRO-së për plotësimin e rendit të ditës e ndërpreu seancën e komisionit për drejtorin e ASK-së, Bojan Hristovski
Drejtori i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski / Foto: Printscreen

Seanca e parë e Komisionit për Mbikëqyrjen e punës së Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK) dhe Agjencisë për kundërzbulim (AK), në të cilën drejtori i ri i ASK-së, Bojan Hristovski, është dashur të ballafaqohet me pyetjet dhe dilemat që janë hapur në publik lidhur me emërimin e tij, nuk u zhvillua, raporton 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

Përkatësisht, seancën e ndërpreu kryetari i Komisionit, Skënder Rexhepi, pas një diskutimi të ashpër dhe herë pas here të tensionuar me anëtarët e VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki dhe Nikolla Micevski, gjatë përcaktimit të rendit të ditës së seancës.

Në seancë ishte paraparë të diskutohej iniciativa e paraqitur nga grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicionit, e cila titullohej “Informacion për emërimin e paligjshëm të Bojan Hristovskit për drejtor të ASK-së”.
Edhe në fillim anëtarët e komisionit nga VMRO-DPMNE kishin vërejtje për termin “i palgjshëm”, por thanë se do ta kalojnë dhe për shkak të interesimit të opinionit do të diskutojnë për këtë pikë.

Por “temperatura” në sallën numër 6 të Kuvendit u rrit pasi deputeti Kovaçki kërkoi të shtohen dy pika të reja në rendin e ditës.

“Pika e parë duhet të jetë vizita dhe mbikëqyrja e Agjencisë së Kundërzbulimit më 3 dhjetor dhe pika e dytë, vizita dhe mbikëqyrja e Agjencisë së Kundërzbulimit më 16 dhjetor”, tha Kovacki.

Arsyetimi i kërkesës për shtimin e rendit të ditës ishte që Komisioni të kryejë këtë lloj mbikëqyrjeje pas pretendimeve që kryeministri Hristijan Mickoski i bëri në seancën për çështje parlamentare ku, duke iu përgjigjur pyetjes së liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi se si opozitar, ai personalisht, por edhe partia, monitoroheshin me dronë dhe përgjoheshin nga pushteti i kaluar, i cili abuzonte autoritetet e sigurisë për qëllime partiake.

Kovaçki kërkoi që këto dy pika të jenë të parat dhe të dytat në rend dite.

Pas kësaj, kryetari i Komisionit, Skënder Rexhepi, tha se nuk do t’i vendos këto dy pika sepse ai dhe zëvendësi i tij, Blerim Bexheti, ende nuk kanë certifikatë sigurie.

“Më shumë më intereson që në këtë seancë të trajtohen sa më shpejt këto çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, por për momentin as unë dhe as zëvendësi im nuk kemi certifikatë sigurie dhe nuk do t’i vendos këto pika në rend dite”, tha Rexhepi.

Një diskutim i ashpër procedural pasoi mes koordinatorit të Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski dhe kolegut të tij bashkëpartiak Dragan Kovacki nga njëra anë dhe kryetarit të Komisionit nga ana tjetër.

“Nuk e di cilën pjesë nuk e kuptojmë. Ju nuk mund të merrni një certifikatë deri në fund të afatit. Mund të kërkojmë ndryshimin e kryetarit të Komisionit. Fakti që ju nuk keni certifikata nuk është problem për Komisionin dhe Kuvendin. Ka ndodhur që një deputet nuk ka marrë një certifikatë gjatë gjithë mandatit të tij. Bëjini të dyja propozimet për të parë se me çfarë po përballemi”, tha Micevski.

Me ton identik dhe narratvë të njëjtë Kovaçki e plotësoi atë.

“Seanca duhet të vazhdojë sepse në një shoqëri demokratike nuk mund të thuash që nuk do të vizitojmë shërbimet sepse nuk ke certifikata. Është diktatoriale në një farë mënyre. Duhet të hidhet në votim. Çfarë bëjmë nëse kërkojmë një seancë të mbyllur?”, pyeti Kovaçki.

Për këtë, Rexhepi është përgjigjur se në atë rast do ta ndërpresë seancën, gjë që përfundimisht ndodhi, por jo për shkak të kërkesës për seancë të mbyllur për publikun, por për shkak se Rexhepi ka refuzuar që propozimet e VMRO-DPMNE-së të shtohen në rend dite të votimit.

“Jam i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij Komisioni, i cili duhet të diskutojë dhe të vendosë për çështjet më të rëndësishme për sigurinë e shtetit. Unë nuk dua të jem vegël e askujt, prandaj mendoj se deri në përfundimin e një vendimi të caktuar do ta ndërpres këtë seancë dhe do të vazhdojmë kur të krijohen kushtet për këtë”, tha Rexhepi dhe e ndërpreu seancën.

Në seancë thuajse nuk u diskutua për çfarë u mblodh, polemikat dhe dilemat lidhur me drejtorin e ri të ASK-së, kualifikimet e tij, vlefshmërinë e certifikatës TOEFL dhe çështje të tjera që kanë dalë në domenin publik. E vetmja që foli për këtë temë ishte deputetja e LSDM-së dhe ish-ministre e Mbrojtjes, Sllavjnka Petrovska, por poashtu procedurale.

Ajo hodhi poshtë akuzat se përdorimi i termit “emërim i paligjshëm” ishte i njëanshëm.

Lidhur me propozimin e kolegëve të saj nga VMRO-DPMNE, ajo tha se nuk kanë kundërshtim që të shkojnë të bëjnë mbikëqyrje në ASK dhe AK, por që këto pika të jenë pika e dyta dhe e treta dhe e para të mbetet ajo për emërimi i Hristovskit.

Pasi Rexhepi e ndërpreu seancën, Petrovska duke u larguar nga salla komentoi se qëllimi i VMRO-DPMNE-së për të mos mbajtur seancë ishte i dukshëm.

Drejtori i ri i ASK-së, i ardhur në seancë, i ulur pranë Kovackit, vetëm e ndiqte diskutimin. Ai u largua nga salla në shoqërinë e Kovaçkit dhe i pyetur nga gazetarët për një deklaratë, tha se atë që kishte për të thënë do ta kishte thënë në seancë.

Para tri ditësh, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka hapur procedurë për certifikatën TOEFL të drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski, pas dyshimeve publike për vlefshmërinë e dokumentit. duke vërtetuar njohuritë e gjuhës angleze, të cilën Hristovski pretendon se e ka marrë në shkollën “Julia KO” në Plovdiv, Bullgari.

Hristovski në biografinë e tij zyrtare ka deklaruar se në mars të vitit 2022 ka marrë certifikatën e anglishtes TOEFL nga kompania “Julia CO LTD” nga Plovdiv, Bullgari. Më 9 tetor të këtij viti, dy drejtoresha të institucioneve publike u dënuan me burgim me kusht, pasi kur aplikuan për këtë pozicion, ata paraqitën një certifikatë TOEFL të lëshuar nga e njëjta kompani e lëshuar në nëntor dhe dhjetor 2022 si dëshmi e njohurive të tyre të gjuhës angleze. Aktakuzës i ka paraprirë kallëzimi penal nga MPB-ja për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale Përdorimi i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë, i paraqitur më 14 shkurt, në periudhën kur ky dikaster drejtohej nga Pançe Toshkovski si ministër teknik.