Udhëheqës i ri i Qendrës së skijimit “Kodra e Diellit” është emëruar Abdulgani Aliji
Prej datës 01.11.2024 si udhëheqës i ri i Shoqatës për turizëm, hotelieri, rekreacion dhe sport është emëruar Abdulgani Aliji. “Ai mori përsipër drejtimin e një prej qendrave më të rëndësishme të skijimit në vend në një moment shumë delikat, në vigjilje të ski-sezonit dimëror 2024/2025”, njoftuan nga Ski-qendra Kodra e Diellit SHPKNJP Tetovë, transmeton Portalb.mk […]
Prej datës 01.11.2024 si udhëheqës i ri i Shoqatës për turizëm, hotelieri, rekreacion dhe sport është emëruar Abdulgani Aliji. “Ai mori përsipër drejtimin e një prej qendrave më të rëndësishme të skijimit në vend në një moment shumë delikat, në vigjilje të ski-sezonit dimëror 2024/2025”, njoftuan nga Ski-qendra Kodra e Diellit SHPKNJP Tetovë, transmeton Portalb.mk
“Në të njejtën kohë, shfrytëzojmë rastin të ju informojmë se aktualisht, menaxhmenti i ri i Qendrës së Skijimit “Kodra e Diellit” është duke kryer aktivitete përgatitore në terren që janë parakusht për përmirësimin e ofertës dhe optimizimin e kushteve për vizitorët dhe skiatorët, e rrjedhimisht për ski-sezon të suksesshëm”, thonë nga Ski-qendra Kodra e Diellit SHPKNJP Tetovë.
Kujtojmë se kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, muajin që lam pas, tha se këtë muaj do të jetë gati plani i ri urbanistik për Kodrën e Diellit. Megjithatë, Kasami edhe në të kaluarën ka dhënë afate për miratimin e këtij plani urbanistik, por që nuk u realizuan.
Kasami më 26 shtator 2024 theksoi se Kodra e Diellit nuk është harruar dhe se së shpejti pritet të shpallet plani i ri urbanistik për qendrën e skijimit.
“Shpresoj që muajin e ardhshëm të jetë gati plani i ri urbanistik për Kodrën e Diellit, të cilin do ta promovojmë para investitorëve vendas dhe të huaj. Së bashku me Qeverinë do të punojmë për gjetjen e investitorit në pjesën e ELEM Turs, e cila operon me qendrën e skijimit Kodra e Diellit. Ne kemi plan ambicioz”, tha Kasami.
Kujtojmë që Kasami disa herë ka dhënë afate për miratimin e planit urbanistik për Kodrën e Diellit të cilat nuk u përmbushën.
Më 18 nëntor 2023 gjatë promovimit të rikonstruimit të rrugës në Lagjen e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit, Kasami paralajmëroi miratimin e planit urbanistik për këtë zonë para përfundimit të vitit 2023. Por kjo nuk u bë.
Kodra e Diellit për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.