Konjufca falënderon ambasadorin e Luksemburgut për digjitalizimin e sallës plenare të Kuvendit

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka falënderuar Kreun e Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë, Eric Dietz dhe përfaqësuesit e LuxDev, Agjencisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Luksemburgut, për donacionin që Dukati i Madh i Luksemburgut ka dhënë për Kuvendin, përkatësisht pajisjet digjitale moderne të sallës plenare. I pari i […]

shtator 12, 2024 - 14:00
 0  4
Konjufca falënderon ambasadorin e Luksemburgut për digjitalizimin e sallës plenare të Kuvendit
konjufca-falenderon-ambasadorin-e-luksemburgut-per-digjitalizimin-e-salles-plenare-te-kuvendit

konjufca-falenderon-ambasadorin-e-luksemburgut-per-digjitalizimin-e-salles-plenare-te-kuvendit

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka falënderuar Kreun e Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë, Eric Dietz dhe përfaqësuesit e LuxDev, Agjencisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Luksemburgut, për donacionin që Dukati i Madh i Luksemburgut ka dhënë për Kuvendin, përkatësisht pajisjet digjitale moderne të sallës plenare.

I pari i Kuvendit vlerësoi lart mbështetjen që Dukati i Madh i Luksemburgut ka dhënë për Kosovën në vazhdimësi, përderisa investimin e fundit në Kuvend e konsideroi tejet të nevojshëm, i cili tha se do të ndihmojë në funksionalitetin e mëtejmë të punës së Kuvendit dhe rritjen e transparencës.

Duke shprehur kënaqësinë për investimin e realizuar, Eric Dietz, nga ana e tij theksoi gatishmërinë e shtetit që përfaqëson për të mbështetur Kosovën në të gjitha proceset e saj zhvillimore dhe qeverisjen demokratike.

Pas takimit, Konjufca dhe Dietz vizituan bashkërisht ambientet e sallës plenare dhe panë nga afër pajisjet e instaluara.

Në hapje të seancës plenare kryetari Konjufca informoi deputetët lidhur me instalimin e pajisjeve të reja dhe po ashtu falënderoi ambasadorin Dietz, i cili ishte prezent gjatë në hapje të sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit.

Sistemi i instaluar përfshin njësitë qendrore të kontrollit, njësitë e kryesuesve dhe deputetëve, si dhe një sistem të integruar votimi dhe përkthimi gjuhësor. Karakteristikat kryesore përfshijnë sistemet e mikrofonit, ekranin e votimit në kohë reale, mbështetjen shumëgjuhëshe, kontrollin e kamerës dhe masa të forta sigurie.

Kompanitë zbatuese kanë punuar ngushtë me përfaqësuesit e Kuvendit gjatë verës së vitit 2024 për të testuar dhe përshtatur funksionet sipas legjislacionit dhe procedurave të Kosovës.

Me këtë investim Kuvendi i Kosovës kërkon të përmirësojë menaxhimin e seancave dhe të ofrojë shërbime votimi dhe përkthimi pa probleme, të sigurt dhe efikas për anëtarët e tij, duke mundësuar kështu qasje pothuajse në kohë reale të publikut në të dhënat e votimit të deputetëve dhe duke përmirësuar llogaridhënien institucionale ndaj tij.

Instalimi dhe mirëmbajtja e sistemit të avancuar të e-votimit në sallën plenare është zbatuar nga projekti i LuxDev-it “Rritja e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë” KSV/023. Projekti synon të katalizojë rritjen e qëndrueshme ekonomike duke nxitur inovacionin, gjithëpërfshirjen dhe zhvillimin social në një Kosovë më të gjelbër. Në mënyrë të veçantë, projekti përpiqet të stimulojë inovacionin dhe investimet vendase dhe të huaja brenda një ekosistem të sigurt dhe transparent në mënyrë digjitale.