“Nuk vdesim nga fatkeqësitë, vdesim nga korrupsioni”, familjarët e viktimave në tragjedinë e Koçanit me porosi për prokurorinë, MPB-në dhe kuvendin
“Falje nuk ka, drejtësi për engjëjt tanë patjetër të ketë”, “Nuk do të ketë aq shumë gjak, nëse gjithçka është sipas ligjit. Kërkojmë përgjegjësi!”, “Sa jetë duhet të shuhen që ju të ndërgjegjësoheni”, “Nuk vdesim nga fatkeqësitë, vdesim nga korrupsioni”, “Përgjegjësia selektive, është papërgjegjësi”, janë disa nga pankartat që mbanin në duar familjet e të […]


“Falje nuk ka, drejtësi për engjëjt tanë patjetër të ketë”, “Nuk do të ketë aq shumë gjak, nëse gjithçka është sipas ligjit. Kërkojmë përgjegjësi!”, “Sa jetë duhet të shuhen që ju të ndërgjegjësoheni”, “Nuk vdesim nga fatkeqësitë, vdesim nga korrupsioni”, “Përgjegjësia selektive, është papërgjegjësi”, janë disa nga pankartat që mbanin në duar familjet e të ndjerëve nga tragjedia e Koçanit gjatë marshit që u mbajt sot në Shkup, si simbol i reagimit të vonuar, transmeton Portalb.mk.
Protesyuesit akuzuan prokurorinë se është e partizuar. Kërkuan mbështetje nga të gjithë, jo vetëm nga Koçani. Ata thanë se nuk u besojnë institucioneve, drejtësisë në vendin tonë, e posaçërisht prokurorisë.
“A është ky personi këtu brenda, i ashtuquajtur prokuror publik vetëm për nevojat partiake. Ne qytetarët ua kemi blerë kolltuket ku po qëndrojnë dhe i paguajmë me mijëra euro. Ata nuk janë shteti, ne jemi shteti. A kanë bërë ata revizion para pasardhësve të tyre, çfarë funksiononte e çfarë jo. A është burgosur dikush? Këtu nuk ka drejtësi”, deklaroi Vlladimir Apostollov njëri nga familjarët e viktimave të Koçanit.
Një pjesë e familjarëve, me ftesën e Prokurorisë kanë hyrë të informohen mbi rrjedhën e hetimit.
Marshi vazhdoi para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Përveç deputetit të partisë “E majta”, për t’i dëgjuar brengat dhe porositë e familjarëve që marshuan sot, doli edhe grupi parlamentar i LSDM, i kryesuar nga kryetari i partisë Venko Filipçe.
Deputetët e LSDM-së u pritën fillimisht me protesta dhe fjalët “vrasës, vrasës”. Pasi situata u qetësua, disa nga të pranishmit thanë: “Mirë që të paktën këta zbritën dhe u ballafaquan me familjarët e viktimave, ndryshe nga deputetë tjerë”.
“Ne i kërkojmë. Ata guxuan të dilnin ndryshe nga disa të tjerë që as nuk guxuan të na thoshin mirëmëngjes”, tha një prind.
“Ne jemi me ju. Ne po bëjmë më të mirën tonë në betejë. Institucionalisht, po bëjmë çmos. Ne kërkojmë që hetimi të mos jetë selektiv dhe e bëjmë këtë me instrumentet në dispozicion”, u tha Filipçe prindërve dhe qytetarëve të zemëruar.
Disa nga familjet e të ndjerëve i pyetën deputetët se çfarë ndodhi me vendimet e udhëheqjes së mëparshme të Ministrisë së Brendshme për të ndërprerë operacionet në diskotekën “Pulse”. Një nga nënat e fëmijës së ndjerë tha se ministri i atëhershëm Oliver Spasovski lëshoi kërkesë për mbylljen e “Pulsit”. Kushdo që më pas nuk e ka kryer verifikimin duhet të raportohet tek autoritetet kompetente, tha ajo.
“Jemi këtu. Nuk duam të fitojmë pikë politike me këtë. Ne jemi këtu për të ndihmuar”, shtoi Filipçe.
Protesta vazhdoi para MPB-së, rutë e paplanifikuar. Ministri Pançe Toshkovski doli para dyerve të MPB-së dhe i priti familjarët e zemëruar. Toshkovski i siguroi se askush nuk do të kursehet në hetim dhe theksoi edhe një herë se hetimi nuk ka mbaruar ende.
“Ju lutem të ulemi dhe të flasim dhe ta lëmë politikën mënjanë. Jam i gatshëm të flas për të gjitha gjërat që ju interesojnë, jo sot, jo dje, por për një vit të tërë nëse doni, do të flasim për ato që duhet të flasim. Më vjen keq që nuk ju kam pritur deri tani, kam pritur disa prej jush, kam folur me disa prej jush, nuk kam folur me të gjithë, por kërkoj ndjesë nga thellësia e zemrës për këtë”, u tha familjarëve, Toshkovski.
Në përgjigje të një vërejtjeje nga disa prej të pranishmëve, Toshkovski tha se ndien përgjegjësi morale.
“As unë nuk të besoja. Jam edhe i tërbuar dhe i zemëruar. Shpirti im po qanë dhe fëmijët e mi po qajnë”, tha Ministri, duke ndarë me publikun se babai i policit të policisë që vdiq në tragjedi e pa atë të pranishëm në funeralin e të birit dhe kërkoi që ta sillnin tek ai që të thoshte disa fjalë.
“Më tha: Ministër, të kam ndjekur që nga momenti i parë që more pozicionin, të shoh duke u munduar dhe duke u rrëzuar në këtë moment. Dua të të dërgoj një mesazh që të vazhdosh luftën dhe ta çosh këtë deri në fund, mos u tërhiq. Këto janë fjalët e tij. Prandaj nuk dhashë dorëheqje”, tha Toshkovski dhe shtoi se do t’i dëgjonte të gjithë prindërit që erdhën dhe kishin diçka për të thënë.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.
Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 25 prill ngriti kallëzim penal kundër K.B., G.L. dhe A.T, të gjithë policë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar” lidhur me tragjedinë e zjarrit në Koçan.