Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përpjekje për thellim të bashkëpunimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti qëndroi këtë të hënë për vizitë në Shkup, ku u prit nga homologu i tij, Hristijan Mickoski. Krerët e dy qeverive kanë diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë incidentin e 2 gushtit, përkatësisht mënyrën e trajtimit të presidentes Vjosa Osmani nga autoritetet e aeroportit të Shkupit. Një raport zyrtar pas […]

gusht 5, 2024 - 23:30
 0  5
Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përpjekje për thellim të bashkëpunimit
kosova-dhe-maqedonia-e-veriut,-perpjekje-per-thellim-te-bashkepunimit

kosova-dhe-maqedonia-e-veriut,-perpjekje-per-thellim-te-bashkepunimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti qëndroi këtë të hënë për vizitë në Shkup, ku u prit nga homologu i tij, Hristijan Mickoski. Krerët e dy qeverive kanë diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë incidentin e 2 gushtit, përkatësisht mënyrën e trajtimit të presidentes Vjosa Osmani nga autoritetet e aeroportit të Shkupit. Një raport zyrtar pas hetimeve të plota pritet të sqarojë ngjarjen.

Kryeministri maqedonas theksoi dëshirën për të pasur marrëdhënie të sinqerta dhe të frytshme me Kosovën, ndërsa kryeministri Kurti përshëndeti mbështetjen e Maqedonisë së Veriut lidhur me përpjekjet e Kosovës për integrim në organizatat ndërkombëtare.

Dy kryeministrat e vendeve fqinje takohen për herë të parë në takim zyrtar në përpjekje për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe në përgjithësi marrëdhëniet midis vendeve të tyre, ndërsa vizita e Kryeministrit Kurti në Shkup u paralajmërua vetëm pak orë para arritjes së tij.

Ndërsa në takimin në mes kryeministit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickovski është diskutuar për lidhjet infrastrukturore midis dy vendeve, në veçanti për pjesën e rrugës nga Shkupi deri në Bllacë në kufirin me Kososvën, por dhe për idenë e një rruge që do të lidhte Prizrenin me Tetovën, nga ana tjetër në një konferencë të përbashkët për shtypin mbizotëroi çështja e incidentit të fundit në aeroportin e Shkupit që përfshiu presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.

“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqësisë së saj, Vjosa Osmani Sadriu më 2 gusht në aeroportin e Shkupit, aq më tepqr që ka qenë me familje dhe me dy vajzat e vogla, autoritetet e Republikës së Maqedpnosë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do të zbardh këtë çështje në tërësi dhe në hollësi edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që mos të na përsëriten kurrë më situata të tilla”, tha Kryeministri Kurti.

Zoti Kurti tha se institucionet e Kosovës nuk e konsiderojnë këtë rast si provokim nga ana e Maqedonisë së Veriut, ndërsa janë në pritje të ndërmarrjes së masave.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se i vjen keq për këtë incident. Ai tha nuk ishte i pari por rasti i tretë. Zoti Mickoski tha se ofrohej që ta takonte presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ta shoqëronte kur ajo do të udhëtonte dhe të shfrytëzonte shërbimet e aeroportit të Shkupit.

Pala maqedonase thekson se në fluturimet komerciale të gjithë krerët e shteteve apo qeverive i nënshtrohen protokolleve të njejta të kontrollit sikur pasagjerët e tjerë.

Por, autoritetet në Shkup duket se po përqendrohen më tepër tek ndërhyrja e paligjshme e sigurimit të kryetarit të Parlamentit të vendit, Afrim Gashi ndaj sigurimit të aeroportit, për çka zoti Mickoski thotë se nëse konfirmohet, autorët nuk do të mund t’i shmangen përballjes me drejtësinë.

Pas hetimeve, një raport zyrtar pritet të ndriçojë incidentin me presidenten Osmani.

“Le të zbardhet plotësisht dhe në hollësi ajo situatë dhe unë jam shumë optimist për të ardhmen”, u shpreh Kryeministri, Albin Kurti.

Kolegu i tij maqedonas Hristijan Mickovski thotë se marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve nuk janë dëmtuar dhe ato do të marrin dimensione të reja pozitive në të ardhmen.

Kryeministri maqedonas bëri të ditur se ka pasur dy raste të tjera të ngjashme në aeroportin e Shkupit kur kanë qenë në pushtet Lidhja Social Demokrate me BDI-në, por se ato nuk janë bërë publike, ndërsa ai akuzon opozitën e tashme se po përpiqet të përfitojë pikë të ulëta politike dhe se ka politikanë, sipas tij, që do të përpiqen të ndikojnë negativisht në raportet midis dy vendeve.

Në takimin e kryeministrave dhe delegacioneve qeveritare të Shkupit e Prishtinës është diskutuar edhe për rastet e arrestimeve të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në territorin e Maqedonisë së Veriut në bazë të urdhër arresteve të lëshuara nga Serbia, por dhe për shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët fshihen në Kosovë e që akuzohen apo janë dënuar për kryerje të krimeve. Ministrat e Drejtësisë së të dy vendeve zotohen se do të kërkojnë gjetjen e zgjidhjes për këto raste.

Në takim është diskutuar edhe për çështje të fushës së sigurisë dhe të mbrotjes.

Shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për vitin e kaluar ka arritur shifrën prej 500 milionë eurosh dhe dy qeveritë synojnë që ky shkëmbim të rritet edhe më shumë.

Kryeministri Kurti vuri në dukje synimin për fuqizimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilin ai e shikon si një platformë e vetme gjithpërfshirëse rajonale me qytetarët e rajonit si përfitues përfundimtarë. /VOA