Kosova humbi rastin më 17 maj për të hyrë në Këshill të Evropës, Hovenier: Është për të ardhur keq
Kosova mbeti jashtë agjendës në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17 maj 2024, pasi qeveria refuzoi ta dërgojë në Kushtetuese draft- statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Lidhur me këtë, ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nga këndvështrimi i tyre kjo “është për të […]
Kosova mbeti jashtë agjendës në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17 maj 2024, pasi qeveria refuzoi ta dërgojë në Kushtetuese draft- statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Lidhur me këtë, ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nga këndvështrimi i tyre kjo “është për të ardhur keq”.
Ai në një intervistë për televizionin publik tha se SHBA’të besojnë që Kosova duhet të jetë anëtare e NATO’së, BE’së dhe Këshillit të Evropës.
Për t’u anëtarësuar në struktura evropiane dhe euroatlantike, Hovenier ka thënë se është punë e tyre që ta ndihmojnë Qeverinë e Kosovës për të bërë gjërat e nevojshme për të shtyrë përpara çështjet e tilla.
Sa i përket anëtarësimit në KiE, Hovenier tha se “këshilla për qeverinë e Kosovës, si dhe këshilla e partnerëve tanë evropianë, ka qenë që t’i bëjë gjërat e vështira që po iu kërkohen, të cilat besojmë se do të jenë në dobi të popullit të Kosovës për të mundësuar anëtarësimin”.
Gjatë vizitës së saj në fundjavë, nënsekretarja jonë e Shtetit për Çështjet Publike tha se ne besojmë se vendi i Kosovës është në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Kjo do të thotë se ne besojmë se Kosova duhet të jetë anëtare e BE-së, Kosova duhet të jetë anëtare e NATO-s, se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.
Natyrisht, këto gjëra nuk ndodhin vetvetiu, automatikisht, dhe një pjesë e punës sonë diplomatike është të ndihmojmë qeverinë e Kosovës që të bëjë gjërat e nevojshme për të shtyrë përpara çështjen e anëtarësimit dhe kjo na sjell tani në çështjen e Këshillit të Evropës.
Siç e thatë edhe ju, javën e kaluar është mbajtur një takim i Këshillit të Evropës, por aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk u përfshi në rend dite. Nga këndvështrimi ynë, është për të ardhur keq. Siç thashë, ne do të dëshironim ta shohim Kosovën anëtare, por kjo do të thotë se Qeveria e Kosovës ndoshta duhet të ndërmarrë veprime shtesë përtej veprimeve të ndërmarra deri më tani në mënyrë që kjo të realizohet. Ne nuk votojmë aty. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërqeveritare që nuk përfshin qeverinë time. Ne jemi vëzhgues në të, por këshilla jonë për qeverinë e Kosovës, si dhe këshilla e partnerëve tanë evropianë, ka qenë që t’i bëjë gjërat e vështira që po iu kërkohen, të cilat besojmë se do të jenë në dobi të popullit të Kosovës për të mundësuar anëtarësimin”, ka thënë Hovenier.