Kostadinovski-Rokas: Patjetër të sigurohet pavarësia dhe autonomia e Gjykatës Kushtetuese
Mbrojtja dhe sundimi i së drejtës dhe e shtetit të së drejtës duhet të jetë prioriteti kryesor i të gjithë faktorëve në shoqëri, si e vetmja mënyrë për të rikthyer besimin në institucionet, thanë në takimin e sotëm kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski dhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, transmeton Portalb.mk. Për këtë, ata […]
Mbrojtja dhe sundimi i së drejtës dhe e shtetit të së drejtës duhet të jetë prioriteti kryesor i të gjithë faktorëve në shoqëri, si e vetmja mënyrë për të rikthyer besimin në institucionet, thanë në takimin e sotëm kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski dhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, transmeton Portalb.mk.
Për këtë, ata ranë dakord se është e nevojshme të sigurohet pavarësia dhe autonomia e Gjykatës Kushtetuese, si dhe e sistemit gjyqësor në tërësi në të gjitha aspektet.
Kostadinovski theksoi se pavarësisht nga çdo tentativë për politizim dhe etnizim në procedurën e Gjykatës Kushtetuese, përkushtimi i saj imperativ është që ta respektojë Kushtetutën.
“Në takim, Kryetari i Gjykatës e njoftoi ambasadorin e BE-së për aktualitetin, por edhe për sfidat me të cilat Gjykata është përballur në punën e saj në periudhën e kaluar dhe e falënderoi për mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese, përmes projektit të BE-së “Forcimi i kapaciteteve të Gjykatës Kushtetuese”, ka bërë të ditur Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes së publikut pasi Gjykata në seancën e javës së kaluar vendosi si pikë në rendin e ditës iniciativat që kundërshtojnë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Lidhur me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese vendosi të mbajë një seancë përgatitore në të cilën do të diskutojnë ekspertë të fushës dhe vetëm më pas do të merret vendim përfundimtar për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit. Seanca përgatitore duhet të mbahet në fillim të marsit të vitit të ardhshëm, ndërsa Gjykata do të vendosë për rastin më së voni deri në maj.