Kryeparlamentari Gashi takoi ambasadorët e Gjermanisë dhe Britanisë në vend
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi sot realizoi takime me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler dhe me ambasadorin britanik Metju Loson. Në takimin me Dekseler u shpreh falënderimi për qasjen proaktive dhe mbështetjen gjermane në realizimin e qëllimeve strategjike të vendit, anëtarësimin e mëparshëm në NATO dhe […]
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi sot realizoi takime me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler dhe me ambasadorin britanik Metju Loson. Në takimin me Dekseler u shpreh falënderimi për qasjen proaktive dhe mbështetjen gjermane në realizimin e qëllimeve strategjike të vendit, anëtarësimin e mëparshëm në NATO dhe përpjekjet aktuale drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.
Kryetari Gashi e përshëndeti iniciativën dhe aktivitetet që dalin nga Procesi i Berlinit, duke përfshirë edhe dimensionin e fundit parlamentar dhe mbështetjen e deputetit special për Ballkanin, Saracin.
“Ambasadorja Dreksler, duke e uruar Kryetarin Gashi, i ka uruar suksese në ushtrimin e këtij funksioni në një periudhë me sfida të shumta. E konfirmoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet të dy vendeve dhe të dy parlamenteve, duke shprehur mirënjohjen për qasjen tonë ndaj programit IPS dhe kënaqësinë për dobinë e programeve të të dy fondacioneve gjermane tek aktorët politikë të brendshëm. Lidhur me Procesin e Berlinit, informoi për dhjetëvjetorin e sivjetshëm dhe mbajtjen e Samitit në Berlin, ndërsa duke shpresuar për pjesëmarrjen e delegacionit parlamentar në këtë ngjarje. Ambasadorja shpreson se në periudhën e ardhshme vendi do të vazhdojë me ritme të pandërprera në rrugën e integrimit evropian dhe me zbatimin e detyrimeve të marra deri më tani”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për mundësitë e ardhshme të bashkëpunimit dhe për potencialet në fushën e ekonomisë, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Ndërkohë në takimin me ambasadorin britanik Metju Loson, Gashi e veçoi bashkëpunimin në nivel të grupeve parlamentare për bashkëpunim, ndihmën në projektet përmes Fondacionit për Demokraci Vestminster dhe për përgatitjen e Ligjit për Strategjinë Zhvillimore Nacionale.
“Në fushën e bashkëpunimit ekonomik, jemi krenarë që Mbretëria e Bashkuar është partneri ynë i dytë tregtar dhe një nga investitorët më të mëdhenj të drejtpërdrejtë, ndërsa nga ana tjetër ne jemi partneri më i madh tregtar i tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar miratoi ndryshimet ligjore lidhur me tregtinë e ndërsjellë, si një tjetër konfirmim i përkushtimit të fortë dhe të vazhdueshëm në marrëdhëniet tona bilaterale ekonomike dhe tregtare”, thuhet në njoftim.
Ambasadori Loson, duke e uruar Kryetarin në emër të qeverisë britanike për zgjedhjen në këtë funksion, shprehu kënaqësinë për konfirmimin e vazhdimit të bashkëpunimit tashmë të vendosur. Ambasadori e theksoi suksesin për miratimin e Ligjit për Strategjinë Zhvillimore Nacionale dhe buxhetimin, qëllimi parësor i të cilit është që zbatimi i tyre të shkojë përtej linjave partiake dhe t’u ndihmojë deputetëve të marrin vendime strategjike afatgjata në fusha të ndryshme prioritare. Në dritën e zhvillimeve aktuale, e veçoi buxhetimin e mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s në veçanti.
Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për aktivitetet e ardhshme të Kuvendit, mundësitë dhe modalitetet në kuadër të bashkëpunimit tashmë të vendosur, por edhe për potencialet e llojit tjetër të bashkëpunimit me interes të përbashkët.
Sot paraprakisht, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi u takua edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po merr pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) në Shkup.