Kurti: Ka ardhur koha që BE-ja të bëjë hapa konkretë për rrugën evropiane të Kosovës
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se integrimi evropian mbetet objektivi parësor i Kosovës. Në diskutimin “Kosova dhe BE-ja: Dinamikat dhe perspektiva aktuale” që u mbajt në Qendrën Evropiane për Politika (EPC), ai foli për rrugëtimin evropian të Kosovës. Kurti u shpreh se vendi në vazhdimësi ka dëshmuar përkushtimin ndaj vlerave evropiane dhe demokratike dhe përafrimin […]
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se integrimi evropian mbetet objektivi parësor i Kosovës.
Në diskutimin “Kosova dhe BE-ja: Dinamikat dhe perspektiva aktuale” që u mbajt në Qendrën Evropiane për Politika (EPC), ai foli për rrugëtimin evropian të Kosovës.
Kurti u shpreh se vendi në vazhdimësi ka dëshmuar përkushtimin ndaj vlerave evropiane dhe demokratike dhe përafrimin me politikën e jashtme të BE-së, andaj ka ardhur koha që edhe BE-ja të bëjë hapa konkretë dhe marrë vendime të rëndësishme në lidhje me rrugën evropiane të Kosovës.
“Të tilla janë njohja nga ana e pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian dhe marrja e statusit të vendit kandidat dhe pyetësorin për anëtarësim”, thuhet në njoftim.
Ai tha se Kosova ka arritur nivelin e zbatimit të Agjendës për Reformat Evropiane (ERA II) në mbi 70%, e gjithashtu Programi Kombëtar për Integrimin Evropian, i fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), ka pasur një normë vjetore zbatimi që i kalon 60%. Në tre vitet e fundit, ne kemi adresuar e zbatuar me sukses reforma të shumta të vonuara prej kohësh, të cilat ishin rekomandime të kahershme e në mënyrë të përsëritur nga BE-ja që nga viti 2012.
Kryeministri theksoi rëndësinë e iniciativës së BE-së për Planin e Rritjes, e për të cilën Kosova është përkushtuar maksimalisht duke qenë ndër vendet e para e cila ka dorëzuar dhe Agjendën e Reformave.
Pas fjalës hyrëse, Kurti iu bashkëngjit diskutimit me të pranishmit, nën moderimin e analistes së politikave në EPC, Berta Lopez Domenech. Kurti këtu mori pjesë pas përfundimit të drekës së punës që e pati me liderët e tjerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor me ftesë të presidentes të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.