Kurti në takim me zyrtarët për komunitete: E ardhmja varet prej arsimimit të të rinjëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka mirëpritur në takim zyrtarë komunalë për komunitetet, të cilët vinin nga 15 komuna, nga jugu dhe […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka mirëpritur në takim zyrtarë komunalë për komunitetet, të cilët vinin nga 15 komuna, nga jugu dhe veriu i vendit.
Zyrtarët vetë i përkasin komuniteteve boshnjake, egjiptiane, serbe, shqiptare dhe turke.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se temë diskutimi mes Kurtit dhe zyrtarëve komunalë për komunitete kanë qenë trajtimi i disa prej arritjeve kryesore për integrimin dhe mirëqenien e qytetarëve prej komuniteteve joshumicë.
Kurti ka përmendur “krijimin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave, lansimin e nismës për punësim të qytetarëve në veriun e Kosovës duke subvencionuar 70% të pagës për punonjësit e rinj për 6 muaj dhe zbatimin e rregullores së krijuar vitin e kaluar që ofron bazë ligjore për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës për shpalljen e konkurseve për vendet e punës në institucione vetëm për anëtarët e komuniteteve joshumicë”.
“Kryeministri nënvizoi edhe iniciativën për praktikë me pagesë “Kosovo Generation Unlimited” ku 16% të vendeve të punës praktike deri tash janë arritur për të rinjtë nga komunitetet joshumicë. Trajtoi gjithashtu edhe fillimin e procesit për pilotimin e skemës së re sociale, dhënien e granteve përmes ministrisë së Arsimit këtë vit me një rritje deri në një çerek milion euro për 9 qendra mësimore ku mësojnë fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë, dhe punën e Grupit Punues Ndërinstitucional për Raportimin dhe Parandalimin e Martesave të Hershme në mbrojtjen e qindra vajzave çdo vit, të cilave ju është rrezikuar shëndeti, arsimimi dhe mundësitë për punësim, prej martesave nën moshën 18 vjeç”, thuhet në njoftim
Ai tha se e ardhmja jonë e përbashkët varet prej aftësive të të rinjëve e cila sigurohet përmes arsimimit për të gjithë.
“Shprehu se tashmë ka punë e arritje konkrete por bashkë mund të arrijmë edhe më shumë suksese për mirëqenien e qytetarëve të komuniteteve joshumicë në Kosovë. Në bashkëbisedimin e zhvilluar, përveç iniciativave për rritjen e punësimit te anëtarët e komuniteteve joshumicë, u trajtuan dhe tema që ndërlidhen me buxhetet për komunitetet në nivel komunal si dhe ministror”, vijon njoftimi.