Kurti sulmon edhe një herë me fjalët “armiq” e “argatë”, vetëm një javë pasi misioni i KiE e bëri përgjegjës për gjendjen e medias

Rreth një javë më parë një mision faktmbledhës nga organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, dhe disa organizata të tjera qëndruan në Kosovë. Siç u bë e ditur edhe paraprakisht, qëllimi i misionit është të vlerësojë sfidat ndaj lirisë së medias në Kosovë. Misioni erdhi, zhvilloi hulumtimet e tij

Prill 2, 2026 - 15:30
Kurti sulmon edhe një herë me fjalët “armiq” e “argatë”, vetëm një javë pasi misioni i KiE e bëri përgjegjës për gjendjen e medias
kurti-sulmon-edhe-nje-here-me-fjalet-“armiq”-e-“argate”,-vetem-nje-jave-pasi-misioni-i-kie-e-beri-pergjegjes-per-gjendjen-e-medias

kurti-sulmon-edhe-nje-here-me-fjalet-“armiq”-e-“argate”,-vetem-nje-jave-pasi-misioni-i-kie-e-beri-pergjegjes-per-gjendjen-e-medias

Rreth një javë më parë një mision faktmbledhës nga organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, dhe disa organizata të tjera qëndruan në Kosovë. Siç u bë e ditur edhe paraprakisht, qëllimi i misionit është të vlerësojë sfidat ndaj lirisë së medias në Kosovë.

Misioni erdhi, zhvilloi hulumtimet e tij, dhe, nxori rezultatet e veta. Gjetja kryesore e tyre ishte se në Kosovë ‘’ ka rënie të lirisë së medias’’, dhe ka ‘’përkeqësim të situatës’’.

I shqetësuar për këtë situatë, u shpreh Ricardo Gutierrez nga Federata e Gazetarëve Evropiane. Madje, ky i fundit, theksoi edhe shqetësimin e tij kryesor, e që ishte, fakti që Kurti ‘’nuk e njeh klimën armiqësore’’ ndaj mediave, madje, i pari i qeverisë edhe ‘’e justifikon atë’’.

“Ne u takuam me Kryeministrin dje për gati dy orë, Kryeministrin dhe disa nga zyrtarët e zyrës së tij. Dhe nga këndvështrimi im, përfundimi më shqetësues nga ky takim është fakti që Kryeministri nuk po e njeh këtë klimë armiqësore; përkundrazi, ai po e justifikon atë. Kryeministrit Albin Kurti iu kërkua të dënonte deklaratat publike kundër gazetarëve, mirëpo ai nuk pranoi. “E dini, ‘nëse gazetarët sulmohen, mbase kjo ndodhë sepse ndonjëherë edhe politikanët sulmohen’. Pra, është si të justifikosh këtë lloj gjëje dhe ai refuzoi qartë të dënonte, sepse ne i kërkuam atij, i kërkuam të dënonte çdo deklaratë publike kundër gazetarëve. Ai refuzoi ta bënte këtë dhe nga këndvështrimi im, ky është një nga përfundimet më shqetësuese të këtij takimi. Pse e them këtë? Sepse unë e shoh këtë si një mungesë totale të vullnetit politik për të përmirësuar situatën. Ne e pyetëm disa herë për propozimet e tij për të përmirësuar situatën asgjë nuk erdhi nga ana e tij, pavarësisht deklaratës zyrtare që ai publikoi pas takimit duke thënë se ishte gati të bashkëpunonte me ne dhe të konsideronte propozimet. Unë mund t’ju them se gjatë takimit nuk pati asnjë propozim për të përmirësuar situatën.””, deklaroi Gutierrez ditë më parë.

Këtë shqetësim të Gutierret, e përcolli edhe, James Ëiseman nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit. Edhe ai potencoi se janë të shqetësuar me situatën e mediave në Kosovë, duke shtuar se, shqetësimi i tyre rritet edhe më shumë nga ‘’një mungesë gatishmërie’’ nga ana e qeverisë ‘’për të pranuar shqetësimet që kanë gazetarët’’.

” Ky është misioni im i dytë këtu në Kosovë brenda pak më shumë se dy viteve. Siç e dëgjuat nga kolegët e mi, ne jemi vërtet të shqetësuar për drejtimin që po merr liria e medias në Kosovë. Ajo që na ka goditur më shumë gjatë këtyre dy ditëve është niveli i mosbesimit dhe polarizimit midis qeverisë dhe komunitetit të mediave. Gjatë takimit tonë me Kryeministrin dje, ne vumë re një mungesë gatishmërie për të pranuar shqetësimet legjitime që gazetarët kanë për sigurinë e tyre dhe për mjedisin rregullator. Në vend që të angazhohej me substancën e kritikave tona, ne pamë një tendencë për t’i hedhur poshtë ato si të motivuara politikisht’’, deklaroi ai.

Që shqetësimet ndërkombëtare kanë hasur në ‘vesh të shurdhër’ të qeverisë u pa edhe sot. Pasi që, Kurti, rreth një javë pas takimeve me të lartpërmendurit, sulmoi media nga foltorja e Kuvendit.

Në fjalën e tij, Kurti, foli për ‘financime me thasë parash’’, e për manipulime që ‘’armiqtë’’ e shtetit i bëjnë në Kosovë përmes ‘’argatëve të tyre’’ brenda vendit.

Pas këtyre deklarimeve të Kurtit, pati reagime të menjëhershme në Kuvend. I pari që mori fjalën ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se vetë Kurti është ai që “shpenzon më së shumti pare duke ushqy zagarë me i fy shqiptarët”.

Një tjetër reagim erdhi nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj. Ky i fundit tha se Kurti është në ‘’listën e zezë për ndërhyrje në pavarësinë’’ e mediave, ku Kurti është vendosur nga ‘’reporterët pa kufij, ambasadat, organizatat kredibile ndërkombëtare’’.

Ndryshe, Kurti sot bëri të ditur edhe se në Kuvend do të dërgohet ligji për këshillin e pavarur për media, i cili, sipas Kurtit, ‘’nuk është për të kontrolluar median’’.