Kurti tha se përjetimi i Osmanit ishte përvojë e rëndë, Mickoski: Nëse konstatohet vepër penale, do të ketë përgjegjësi
Gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Shkup, është folur edhe për incidentin në Aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, premtoi se derisa ai është kryeministër nuk do të jetë njerëz që do të jenë mbi ligjin dhe nëse konstatohet se kanë tejkaluar […]
Gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Shkup, është folur edhe për incidentin në Aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, premtoi se derisa ai është kryeministër nuk do të jetë njerëz që do të jenë mbi ligjin dhe nëse konstatohet se kanë tejkaluar kompetencat, personi do të vihet para drejtësisë, transmeton Portalb.mk.
Ndërkohë, duke folur për incidentin në fjalë, kryeministri Kurti tha se ajo që ka përjetuar Osmani ka qenë përvojë e rëndë.
“Pa dyshim ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes Vjosa Osmani, me dy gusht në aeroportin e Shkupit, ka qenë me familje dhe me dy vajza të vogla. Autoritet e Maqedonisë së Veriut, krerët e shteti këtu kanë shprehur keqardhje për rastin. Do të ketë raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje, dhe ta kuptojmë se çfarë ka ndodhur dhe mos të përsëritet kurrë më një situatë e tillë”, theksoi ai, duke shtuar se në lidhje me këtë rast janë duke u marrë masa.
Mickoski theksoi se nëse institucionet konstatojnë tejkalim apo kryerjen e një vepre penale, atëherë i njëjti person do të dalë para drejtësisë, duke theksuar se nuk do të lejojë që askush të jetë mbi ligjin.
“Nëse institucionet konstatojnë një tejkalim apo kryerjen e një vepre penale, atëherë sigurohuni që i njëjti person do të sillet para drejtësisë. Askush nuk do të jetë mbi ligjin në këtë vend, nuk ka njerëz të tillë që do të jenë mbi ligjin derisa unë jam kryeministër. Kur nuk do të jem unë kryeministër, atëherë mund të ketë të tillë. Por për sa kohë jam unë nuk ka njerëz që do të jenë mbi ligjin. Dhe nëse vërtetohet ajo që pretendoni, atëherë të jeni të sigurt se për atë person do të ketë përgjegjësi”, tha kryeministri Mickoski.
Nga ana tjetër ka reaguar LSDM-ja, e cila deklaratën e Mickoskit e konsideron si skandal, duke thënë se ai me këtë personalisht do të garantojë se Vjosa Osmani nuk do t’i kalojë procedurat e sigurisë ligjore.
“A do të thotë kjo se në të ardhmen ai personalisht do t’i garantojë asaj se nuk duhet të kalojë dhe zbatojë procedurat e përcaktuara? Cili është ky mesazh mosrespektimi ndaj profesionistëve të MPB-së dhe aeroportit që zbatuan procedurat? Me këtë Mickoski konfirmon se sërish po vjen koha kur ligjet nuk zbatohen dhe procedurat mund të thyhen sipas vullnetit të Sulltan Mickoskit dhe partnerëve të tij në koalicion”, thonë nga LSDM.
Ndryshe, Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Republikën e Kosovës përmes një note proteste ka reaguar ndaj problemit me presidenten Vjosa Osmani që ka ndodhur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ndërsa Ambasada e Kosovës në Shkup ka sqaruar që kjo nuk është nota e parë, siç ishte pretenduar në media.
Më 1 gusht, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ka ndodhur një incident ndërmjet sigurimit të aeroportit dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Në mungesë të pamjeve, raportohet që presidentja Osmani është sulmuar edhe fizikisht nga Policia e Maqedonisë së Veriut, për shkak se Osmani ka refuzuar që telefoni i saj zyrtar të futet në skaner për kontroll, duke u thirrur në protokollet e përcaktuara në Konventën e Vjenës.