‘KURUM’ ndali punën, Salianji: Ka vendosur të luajë me të ardhurat e 500 familjeve

Kompania turke “Kurum” mbylli dyert në datën 1 gusht duke ndaluar punën, ndërsa 500 punonjësit e Uzinës së Çelikut e Petëzimit u njoftuar për ndërprerjen e njëanshme të kontratës. Ndërkohë, ditën e sotme kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ishte pranë ambienteve të kompanisë ku zhvilloi një mbledhje me drejtuesit e saj. Në përfundim […]

shtator 4, 2024 - 20:00
 0  8
‘KURUM’ ndali punën, Salianji: Ka vendosur të luajë me të ardhurat e 500 familjeve

Kompania turke “Kurum” mbylli dyert në datën 1 gusht duke ndaluar punën, ndërsa 500 punonjësit e Uzinës së Çelikut e Petëzimit u njoftuar për ndërprerjen e njëanshme të kontratës.

Ndërkohë, ditën e sotme kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ishte pranë ambienteve të kompanisë ku zhvilloi një mbledhje me drejtuesit e saj.

Në përfundim të mbledhjes, Llatja tha se u arritën disa marrëveshje për punonjësit.

”Për ata që do të jenë në punë do të vijojnë të paguhen me 100% të pagesës, ndërsa ata që do të rrinë në shtëpi do të paguhen sipas kontratës kolektive, 35 mijë lekë bruto”, u shpreh kryebashkiaku.

Për këtë ka ardhur një reagim nga deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianj e ka cilësuar situatën si një abuzim të pashembullt me fatin e 500 punonjësve dhe familjeve të tyre.

Salianji theksoi se të dhënat zyrtare tregojnë se Kurumi kishte një xhiro vjetore prej 377.3 milionë eurosh dhe një fitim prej 52.8 milionë eurosh për vitin 2023, duke e vënë në dyshim pretendimin e kompanisë për vështirësi ekonomike.

Deputeti demokrat ka deklaruar se Partia Demokratike është në krah të punëtorëve dhe do të bëjë gjithçka për të siguruar që askush të mos tallet me punën dhe dinjitetin e tyre, duke premtuar angazhim të plotë në mbrojtje të të drejtave të punonjësve dhe transparencës.

Postimi i plotë i Ervin Salianjit:

Veprimtaria dhe bashkëpunimi kriminal mes qeverisë dhe Kurum nuk është vetëm tek helmet por u shpërfaq e plotë sot dhe në kurriz të 500 punonjësve dhe familjeve të tyre!

Në 1 dhe 15 Gusht, kompania Kurum mbylli fabrikat e prodhimit të çelikut dhe petëzimit, duke larguar 500 punonjës nga puna. Megjithëse lajmi u bë publik në kulmin e skandalit të mbetjeve toksike të nisura nga Shqipëria, kompania deklaroi se këto largime kanë të bëjnë me vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga ulja e çmimit të çelikut dhe rritja e kostove. Kompania merrte përsipër asokohe që do të vazhdonte të paguante punonjësit edhe për 3 muaj pas largimit.

Ndërsa sot, pas disa “negociatave” të suksesshme, kryetari i Bashkisë Elbasan, u shfaq “triumfator” duke premtuar se asnjë punonjës nuk do të largohet dhe do të vazhdojnë të marrin një pagë 35 mijë lekë bruto në muaj, më të ulët se edhe paga minimale 40 mijë lekë në muaj e parashikuar me ligj. Si pa të keq, kryebashkiaku si përfaqësues i PS pranoi se kjo është një situatë e përsëritur, ku 500 familje jetojnë në pasiguri për të ardhurat e tyre.

Të dhënat zyrtare tregojnë se xhiro vjetore për vitin 2023 të shoqërisë Kurum ishin 377.3 milionë euro, ndërsa fitimi ishte 52.8 milionë euro, çka nuk duket të jenë aspak treguesit e një shoqërie në vështirësi ekonomike apo në pamundësi për të shlyer detyrimet ndaj punonjësve të saj. Por, loja me largime e kthime në punë, me ndërhyrjen e eksponentëve të Partisë Socialiste, ka për qëllim përfitimet politike duke mbajtur varur fatin ekonomik të 500 familjeve të Elbasanit.

Megjithëse mediat raportuan gjërësisht mbi “zbarkimin” e Inspektoriatit të Punës në ambientet e Kurumit në Elbasan për të hetuar largimet masive, deri më tani asnjë raport apo konkluzion nuk ka dalë nga këto “hetime”. Duket se institucionet shtetërore kanë vendosur të heshtin, ashtu siç heshtën në rastin e transportimit të mbetjeve të rrezikshme nga Porti i Durrësit.

Por, nëse Qeveria, Bashkia dhe Kurum kanë vendosur të luajnë me të ardhurat e 500 familjeve të Elbasanit për interesat e tyre politike, Partia Demokratike është në krah të punëtorëve dhe do të bëjë gjithçka mundet për të siguruar se askush nuk mund të tallet me punën dhe dinjitetin e tyre.