Kuvendi i bllokuar, pushimet e deputetëve në pikëpyetje
Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës po përballet me një krizë të thellë, për të 39‑ën herë ka dështuar seanca për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni. Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, as të dielën nuk pati ndonjë ndryshim sa i përket qëndrimeve të partive politike. Taborët politikë i kanë ashpërsuar akuzat


Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës po përballet me një krizë të thellë, për të 39‑ën herë ka dështuar seanca për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.
Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, as të dielën nuk pati ndonjë ndryshim sa i përket qëndrimeve të partive politike.
Taborët politikë i kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit duke thënë se po shkelet Kushtetuta.
E megjithëse vendi ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme politike, deputetët e zgjedhur duket se nuk do të bëjnë as përpjekjet më të vogla që vendi të dal nga kjo situatë, duke marrë parasysh se tash edhe përfundon sesioni pranveror i Kuvendit.
Në kalendarin zyrtar të punës së Kuvendit të Kosovës, sesioni pranveror përfundon më 31 korrik.
Kjo është hera e parë që ky sesion e gjen Kuvendin e Kosovës të pa konstituar, e në mungesë të kësaj deputetët nuk pritet që ta kenë pushimin e zakonshëm deri në vjeshtë.
Sipas nenit 66 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, e cila ka filluar me 15 prill 2025, por nuk ka përfunduar. Referuar nenit 12, paragrafi 5 të Rregullores se Kuvendit të Republikës së Kosovës: “Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Nga drejtoria për media e institucionit legjislativ, kanë treguar se si i parasheh rregullorja dy sesionet e punimeve brenda vitit.
“1. Kuvendi zhvillon punën në dy sesione: 1.1. Sesioni Pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar dhe përfundon në fund të muajit korrik. 1.2. Sesioni Vjeshtor fillon të hënën e dytë të muajit shtator dhe përfundon në fund të muajit dhjetor. 2. Kuvendi, ndërmjet dy sesioneve, mund të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme”, thuhet nga Kuvendi.
Mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim të situatës gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim, ose do të kemi shpallje të zgjedhjeve të reja. /Telegrafi/
