Lejet e vjetra të vozitjes do të vlejnë deri në fund të vitit, Toshkovski u bëri thirrje qytetarëve që t’i ndërrojnë

Të gjithë qytetarët që kanë leje vozitjeje me emrin e vjetër të shtetit, duhet t’i ndërrojnë, bëri thirrje ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke kujtuar se lejet e vjetra të vozitjes do të vlejnë deri në fund të këtij viti, transmeton Portalb.mk. “Deri tani janë dhënë 750 mijë patentë shoferë me emrin e […]

shtator 3, 2024 - 15:00
 0  7
Lejet e vjetra të vozitjes do të vlejnë deri në fund të vitit, Toshkovski u bëri thirrje qytetarëve që t’i ndërrojnë
Patentë shoferi, leje për vozitje

Të gjithë qytetarët që kanë leje vozitjeje me emrin e vjetër të shtetit, duhet t’i ndërrojnë, bëri thirrje ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke kujtuar se lejet e vjetra të vozitjes do të vlejnë deri në fund të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

“Deri tani janë dhënë 750 mijë patentë shoferë me emrin e ri kushtetues. Rreth një milion patentë të tjera shoferi duhet të lëshohen me emrin e ri. Kërkoj që në periudhën e ardhshme disa mujore të gjithë ata që kanë patentë shoferë me emrin e vjetër t’i rinovojnë, sepse sipas ndryshimeve të ligjit, patentë shoferët e vjetër do të vlejnë deri në fund të këtij viti”, tha Toshkovski.

Ministri bëri me dije gjithashtu se dhënia e dokumenteve personale është kthyer në normalitet.

“Nga kjo javë e tutje, çdo qytetar që paraqet kërkesë për pajisjen me dokument të ri udhëtimi, patentë shofer, letërnjoftim, do të mund ta bëjë këtë brenda 15 ditëve në kuadër të së drejtës ligjore”, theksoi ai.

I pyetur nëse do të rriten kapacitetet në drejtim të makinerive prodhuese nëse do të krijohet një situatë e ngjashme në të ardhmen, ai u përgjigj se po punohet për zgjidhjen e përhershme të problemit.

“Për dallim nga ato të mëparshmit, ne i zgjidhim problemet dhe përpiqemi ta thjeshtojmë sa më shumë të gjithë procedurën, jo vetëm në lidhje me dokumentet personale, por në lidhje me çdo të drejtë që mund ta fitojë një qytetar i Maqedonisë. Në të ardhmen do të fokusohemi në fuqizimin nga aspekti i të drejtave diskrecionale, gjithçka që flasim për digjitalizim në kuadër të punës së MPB-së do të drejtohet ekskluzivisht në atë drejtim”, tha Toshkovski.

Ai shtoi se pika “Prolet” do të përdoret për një periudhë të caktuar kohore të nevojshme për renovimin e objekteve të Radio Televizionit të Maqedonisë, i cili, siç tha ai, do të fillojë për një muaj e gjysmë.

“Qëllimi është krijimi i kushteve normale të punës për punonjësit e policisë dhe kushte normale ku qytetarët nuk do të kenë turp të afrohen në objekte të caktuara”, shtoi ministri.

Kujtojmë se më 1 shkurt të këtij viti, Kuvendi miratoi në procedurë të shkurtuar ndryshimet ligjore sipas të cilave afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emërtimin “Republika e Maqedonisë” do të jetë deri në fund të vitit, përkatësisht 31 dhjetor 2024.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.