RMV, ministri komenton përgatitjet e policisë për trazirat e mundshme këtë vjeshtë
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka folur sot për paralajmërimet për trazira të mundshme në vjeshtë, të përsëritura disa herë nga kryetari i VRMO-së dhe kryeministri Hristijan Mickoski. Toshkovski i pyetur nga gazetarët për këtë çështje, tha se MPB-ja është e përgatitur dhe se do t’i përgjigjet çdo sfide që është në kuadër […]
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka folur sot për paralajmërimet për trazira të mundshme në vjeshtë, të përsëritura disa herë nga kryetari i VRMO-së dhe kryeministri Hristijan Mickoski. Toshkovski i pyetur nga gazetarët për këtë çështje, tha se MPB-ja është e përgatitur dhe se do t’i përgjigjet çdo sfide që është në kuadër të kompetencave të saj, transmeton Portalb.mk.
I pyetur nëse MPB-ja pret trazira këtë vjeshtë pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese se do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe reagimet nga blloku politik shqiptar, Toshkovski u përgjigj:
“Ministria për Punë të Brendshme do t’i përgjigjet çdo sfide që do t’i vihet në kuadër të kompetencave të saj. Ne kemi treguar deri tani se mund të përballemi me të gjitha sfidat dhe t’i zgjidhim ato në përputhje me rrethanat. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. A ka njoftime për trazira këtë vjeshtë, për sa i përket protestave – po, ka pasur informacione të tilla në periudhën e kaluar. A do të merremi me ta – po”, tha Toshkovski.
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti kohëve të fundit janë akuzuar ndërmjet veti se po planifikojnë trazira në Maqedoninë e Veriut. Pas paralajmërimeve të kryeministrit Mickoski se zyrtarët e ish-qeverisë po përpiqen të provokojnë një konflikt ndëretnik, Ahmeti u është ankuar ambasadorëve të huaj në vend se Qeveria po krijon skenare për destabilizim të vendit a për të fajësuar të tjerë.
Mickoski ka kohë që përmend mundësinë e destabilizimit, duke e lidhur me aktivitetet e planifikuara nga BDI për në vjeshtë. Me të njëjtën tezë publikisht doli pak kohë më parë, edhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, por as ai nuk dha më shumë detaje.