Licencat për edukatorët në çerdhe në RMV do jepen edhe në gjuhën shqipe, por me kërkesë të kandidatëve

Ligji për mbrojtjen e fëmijëve i cili nuk u dekretua nga presidentja Gordana Siljanovska- Davkova, sot u kthye në Kuvend dhe ngjalli debat midis deputetëve. Deputetët i hodhën poshtë dy amendamentet e parashtruara nga deputetët e LSDM-së dhe partia “E Majta”, ndërkaq kaluan amendamentet e pushtetit për Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, sipas të cilëve […]

Jan 21, 2025 - 20:00
 0  4
Licencat për edukatorët në çerdhe në RMV do jepen edhe në gjuhën shqipe, por me kërkesë të kandidatëve
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Ligji për mbrojtjen e fëmijëve i cili nuk u dekretua nga presidentja Gordana Siljanovska- Davkova, sot u kthye në Kuvend dhe ngjalli debat midis deputetëve. Deputetët i hodhën poshtë dy amendamentet e parashtruara nga deputetët e LSDM-së dhe partia “E Majta”, ndërkaq kaluan amendamentet e pushtetit për Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, sipas të cilëve licencat për edukatorë në çerdhe do jepen edhe në gjuhën shqipe, por me kërkesë të kandidatëve, raporton Portalb.mk.

Deputeti i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev theksoi se me amendamentin e tyre po pyesin se përse duhet t’i jepet vërtetim vetëm në gjuhën shqipe dikujt që ka dhënë provim për licencë.

“Pse të mos e japim në turqisht, pse të mos e japim në gjuhën rome, pse të mos e japim në serbisht? Ne nuk jemi shtet binacional. Nëse jemi multietnikë, duhet të jetë në të gjitha gjuhët, jo vetëm në dy”, tha ai.

Sipas deputetit Apasiev, VMRO-DPMNE po zbaton Platformën e Tiranës.

“Ju të respektuar ‘Vmrovci’ po zbatoni platformën e Tiranës që BDI dhe partneri juaj i koalicioni VLEN e nënshkruan me Edi Ramën në Tiranë. Zbatimi i drejtë i parimit të multietnicitetit ku shqiptarët konsiderohen komb shtetformues, duke u mbështetur në të gjitha të drejtat dhe nismat kushtetuese që forcojnë barazinë kombëtare të shqiptarëve”, tha nga foltorja e Kuvendit Apasiev.

Sipas LSDM-së, Qeveria e ka shkelur edhe rregulloren e Kuvendit me miratimin paraprak të këtij ligji. Deputetja Jovana Trençevska nga foltorja e Kuvendit tha se është mirë që kemi një indikacion nga presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska-Davkova, se miratimi i këtij ligji duhet të rishqyrtohet.

“Në vend që të shqyrtohej në organin kryesor ku duhej të shqyrtohej ky projektligj dhe aty ku i takon, që është në Komisionin për Politikë Sociale, Demografi dhe Rininë, ai u shqyrtua në një komision që nuk ka lidhje me këtë ligj, në Komisionin për Punë, Ekonomi dhe Energji. Edhe pse në vetë seancën grupi parlamentar i LSDM-së theksoi se po shkelet rregullorja, shumica e deputetëve në pushtet nuk e pranuan këtë pikë”, tha Trençevska.

Seancës nuk i ka munguar as debati mes Koalicionit VLEN dhe Frontit Europian

Deputeti i koalicionit VLEN, Halil Snopçe, kujtoi se me propozim ligjin, për herë të parë, provimet edhe me shkrim edhe në formën elektronike do jenë në gjuhën shqipe.

“S’kanë qenë më herët në gjuhën shqipe. Pse ju 22 vite në pushtet nuk keni arritur të mundësoni të jenë edhe në gjuhën shqipe. Janë broçkulla, muhabete koti. Nisuni nga vetvetja. Pse 22 vite BDI nuk ka mundësuar që shqiptarëve t’i nënshtrohen në shqip? Ju s’keni bërë asgjë. Keni degraduar gjuhën shqipe”, tha Snopçe.

Arbana Pasholli, nga Fronti Europian ia ka bërë me dije kolegut Snopçe se kush është fajtori kryesor pse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut flitet shqip.

“Ju rikujtoj se është pikërisht BDI që ua vendosi themelet e shëndosha që ju sot të flisni në Kuvend shqip. Si menduat ju? Të bëheni pjesë e një qeverie, të rrini e të shëtisni nëpër botë? Është normale, do të merrni përgjegjësi dhe do mundoheni të sjellni zgjidhje ligjore të reja. Kjo është detyra juaj”, tha Pasholli.

Kujtojmë se presidentja më 31 dhjetor 2024 i dërgoi njoftimin kryetarit të Kuvendit Afrim Gashit se nuk se nuk do ta nënshkruajë dekretin për Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve të cilin e votoi Kuvendi, pasi sipas saj amendamentet e votuara përmbajnë disa dispozita kontroverse. Ajo ka kërkuar rishikimin e dispozitave të neneve 9 dhe 10 të projektligjit. Kjo i referohet amendamenteve për licencat në dy gjuhë.

“Vetëm bëra thirrje që edhe një herë të shqyrtohen nenet 9 dhe 10, gjithashtu edhe njëherë të mendohet nëse kjo mënyrë e dhënies së provimit dhe marrje e licencës nuk do të lë hapësirë për autorizim diskrecional. Askush nuk konteston që kur të jepet provimi në gjuhën shqipe, licenca të merret në gjuhën shqipe. Ajo që për mua është kontestuese, është që është harruar, përskaj gjuhës maqedonase dhe shqipe, e kuptohet që kur jepni provim në gjuhën maqedonase, licencën ta merrni në gjuhën maqedonase”, pati thënë presidentja Siljanovska- Davkova.

Debatin për kushtetutshmërinë e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në fund të vitit të kaluar (2024) e solli Gjykata Kushtetuese, e cila më 11 dhjetor 2024, vendosi të caktojë seancë përgatitore me të cilën synohet që ekspertë të fushave të ndryshme t’i përplasin argumentet me kontestuesit e Ligjit në fjalë, ndërsa gjykata ka kërkuar ‘mendim miqësor’ për këtë edhe nga Komisioni i Venedikut. Seanca është caktuar të mbahet më 20 mars 2025.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.

Në një analizë të Portalb.mk, ekspertët juridik kanë treguar rrugën politiko-juridike që duhet të ndjekur për tu mbyllur një herë e përgjithmonë çështja e gjuhës shqipe dhe debati për të njëjtën.