Ligjvënësit: Britania përballet me kërcënim të madh dhe në rritje nga Irani
Britania e Madhe përballet me kërcënim të madh dhe të gjerë nga Irani dhe, derisa ky kërcënim nuk është në të njëjtën shkallë me atë nga Rusia dhe Kina, është në rritje dhe Qeveria britanike nuk është plotësisht e përgatitur për të, thanë ligjvënësit në një raport të publikuar të enjten. Komiteti Parlamentar për Inteligjencë […]

Britania e Madhe përballet me kërcënim të madh dhe të gjerë nga Irani dhe, derisa ky kërcënim nuk është në të njëjtën shkallë me atë nga Rusia dhe Kina, është në rritje dhe Qeveria britanike nuk është plotësisht e përgatitur për të, thanë ligjvënësit në një raport të publikuar të enjten.
Komiteti Parlamentar për Inteligjencë dhe Siguri tha se kërcënimi iranian përfshin gjithçka, prej sulmeve fizike dhe atentateve të mundshme ndaj disidentëve dhe objektivave hebraike, deri te spiunazhi, kapacitetet për sulme kibernetike dhe përpjekjet për zhvillimin e armëve bërthamore.
“Irani është i pranishëm në të gjithë spektrin e llojeve të kërcënimeve për të cilat duhet të shqetësohemi”, tha kryetari i komitetit, Kevan Jones.
“Ne mbetemi të shqetësuar që politika e Qeverisë për Iranin është përqendruar kryesisht në menaxhimin e krizave dhe është udhëhequr kryesisht nga shqetësimet për programin bërthamor të Iranit – duke lënë pas dore çështje të tjera”, thuhet në raport.
Ambasada e Iranit në Londër e kundërshtoi raportin, duke e quajtur atë “të pabazë, politikisht të motivuar dhe armiqësor”.
“Akuza të tilla nuk janë vetëm shpifëse, por edhe të rrezikshme, pasi nxisin tensione të panevojshme dhe minojnë normat diplomatike”, thuhej në komunikatën e Ambasadës.
