Mandati i deputetëve hiqet me dy të tretat, jo me 61 deputetë
Mandati i deputetit mund të revokohet nëse ka një shumicë prej dy të tretave në Parlament. Shumica e dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvendin tonë nuk janë 61 deputetë. Meqenëse në Parlament janë 120 deputetë, shumica prej dy të tretave janë 81 deputetë dhe nëse 81 deputetë votojnë “pro”, atëherë […]
Mandati i deputetit mund të revokohet nëse ka një shumicë prej dy të tretave në Parlament. Shumica e dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvendin tonë nuk janë 61 deputetë. Meqenëse në Parlament janë 120 deputetë, shumica prej dy të tretave janë 81 deputetë dhe nëse 81 deputetë votojnë “pro”, atëherë mandati i deputetit mund të hiqet, shkruan Vërtetmatësi.
Në një postim në rrjetin social Facebook, pretendohet se me votën e 61 deputetëve, Oliver Spasovskit do t’i hiqet mandati deputet. Kjo është e pasaktë.
ME 61 deputetë, hajdutit të KUMANOVËS, OLIVER SPASOVSKIT, DO T`I HIQET IMUNITETI DHE DO TË SHKOJ NË BURG SI TANI QË SHKON NË KUBU (BANJA E KUMANOVËS)
Në media dolën informacione se Sindikata e Policisë ka bërë kallëzim penal kundër deputetit aktual nga radhët e LSDM-së dhe ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Sipas kallëzimit, ai ka nënshkruar dy vendime në mënyrë të kundërligjshme në kohën kur ishte në pushim mjekësor dhe në izolim për shkak të koronavirusit, duke kryer veprat penale “Shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Mos respektimi i punës në shërbim “parashikuar në nenin 353 dhe 353-c të Kodit Penal”.
Në njoftimin që po e rishikojmë është shpërndarë një pjesë nga titulli i shkrimit në media, ku në tekstin e njoftimit thuhet se Spasovskit do t’i hiqet mandati deputet me votën e 61 deputetëve dhe do të shkojë në burg. Këtu ka disa gënjeshtra dhe manipulime me të cilat po mashtrohet publiku.
Kur e dënuan Spasovskin?
Së pari, Oliver Spasovski nuk është dënuar për vepër penale, për këtë duhet të përgjigjen institucionet e sistemit. Ndaj tij është ngritur kallëzim penal, por është Prokuroria Publike ajo që duhet ta hetojë rastin dhe të vendos nëse ka prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë. Në rast se Prokuroria vlerëson se ka hapësirë për ngritjen e aktakuzës, do të vijojë procesi gjyqësor në të cilin do të vendoset nëse Spasovski me të vërtetë e ka shkelur ligjin dhe nëse do të dënohet apo jo për vepër penale.
E pavërteta e radhës në njoftim është se i hiqet mandati deputetit me 61 deputetë. Ky nuk është informacion i saktë. Deputeti nuk mund të shkarkohet nga detyra, por mandati i tij mund të ndërpritet ose t’i hiqet para përfundimit të kohës për të cilën është zgjedhur edhe atë për disa arsye.
Sipas Kushtetutës, mandati i deputetit përfundon para përfundimit të kohës për të cilën ai është zgjedhur: nëse jep dorëheqjen; nëse ai është dënuar për një krim për të cilin është paraparë dënim me burg prej së paku pesë vjet; nëse paraqitet rasti i papajtueshmërisë me detyrën e deputetit; nëse i pushon shtetësia e Republikës së Maqedonisë; nëse me vendim të formës së prerë i hiqet aftësia për të vepruar dhe në rast vdekjeje. Deputetit mund t’i hiqet mandati kur dënohet për një vepër penale ose vepër tjetër penale që e bën të papërshtatshëm për të kryer detyrën e deputetit, si dhe për mungesë të pajustifikuar në Kuvend për më shumë se gjashtë muaj.
Propozim për revokimin e mandatit, në bazë të njoftimit të kryetarit të Kuvendit, paraqet Komisioni për Rregullore dhe Çështje të Mandateve-Imunitetit. Në rast se deputeti dënohet, njoftimi për Kryetarin e Kuvendit bëhet nga gjykata që ka shqiptuar dënimin. Sipas propozimit të komisionit, hetimi bëhet në seancën e parë pasuese të Kuvendit dhe hetimi mund të përfundojë me vendim për heqjen e mandatit të deputetit, i cili merret me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Neni 65 i Kushtetutës është i qartë dhe thotë:
Mandati i deputetit përfundon kur ai dënohet për një vepër penale për të cilën është parashikuar dënim me burg prej të paktën pesë vjetësh. Deputetit mund t’i hiqet mandati kur dënohet për një vepër penale ose vepër tjetër të dënueshme që e bën të papërshtatshëm për të kryer funksionin e deputetit, si dhe për mungesë të pajustifikuar në Kuvend për më shumë se gjashtë muaj. Heqjen e mandatit e përcakton Kuvendi me dy të tretat e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Shumicë e dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvendin tonë nuk janë 61 deputetë. Meqenëse në Parlament janë 120 deputetë, shumicë prej dy të tretave janë 81 deputetë dhe nëse 81 deputetë votojnë “pro”, atëherë mandati i deputetit mund të hiqet. Kjo do të thotë se pretendimi se Spasovskit do t’i hiqet mandati me 61 deputetë është i pavërtetë.