Mandati i Olta Xhaçkës/ Bardhi kërkoi seancë të jashtëzakonshme, Spiropali: Seanca në fillim të legjislacionit të ri
Vera e këtij viti nuk do të jetë plotësisht pushim as për Parlamentin, pasi kryetarja e re Elisa Spiropali ka dhënë urdhër që me 27 gusht të mblidhet Këshilli i Legjislacionit për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës. Në kthimin e përgjigjes drejtuar Gazment Bardhir, Spiropali thekson se shqyrtimi në […]
Vera e këtij viti nuk do të jetë plotësisht pushim as për Parlamentin, pasi kryetarja e re Elisa Spiropali ka dhënë urdhër që me 27 gusht të mblidhet Këshilli i Legjislacionit për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
Në kthimin e përgjigjes drejtuar Gazment Bardhir, Spiropali thekson se shqyrtimi në seancë do të bëhet menjëherë me fillimin e sesionit të ri parlamentar, pasi të jetë përcjellë raporti i Këshillit për Legjislacionin.
Ky vendim erdhi një ditë pasi grupi parlamentar demokrat kërkoi që Parlamenti të mblidhet në një sesion të jashtëzakonshëm për mandatin e deputetes socialiste.
Në fillim të korrikut Kushtetuesja i kërkoi Parlamentit që ta dërgojë sa më shpejt mandatin e deputetes socialiste përpara Gjykatës, që të jenë 9 gjyqtarët që të vendosin nëse mandati i saj është në papajtueshmëri me kushtetutën apo jo.
Kolegët e mazhorancës janë shprehur se përpara se t’i binden Gjykatës do t’i drejtohen Komisionit të Venecias për një opinion nëse Kushtetuesja mund t’i detyrojë deputetë që të votojnë pro dërgimit të kësaj çështje në Gjykatë.
Urdhrin e Spiropalit, Gazment Bardhi e ka cilësuar antikushtetues, pasi sipas tij Kryetarja e Kuvendit ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të thërrasë sesionin te jashtëzakonshëm të Kuvendit brenda 3 ditëve nga paraqitja e kërkesës së 1/5 së deputetëve, për të zbatuar pa vonesa vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Përgjigja e Elisa Sapiropalit ndaj Gazment Bardhit:
Lënda: Kthim përgjigje për kërkesën për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm.
- Gazmend BARDHI Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
I nderuar z. Bardhi,
Në Kuvendin e Shqipërisë me shkresën me nr. 3155 prot, datë 7.8.2024 keni depozituar kërkesën e 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, përmes së cilës kërkohet thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm me rend dite:
1- Zbatimin e vendimit nr. 1, datë 23.1.2023 dhe vendimit nr. 55, datë 10.7.2024 të Gjykatës Kushtetuese.
2- Dërgimin e mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Gjithashtu, kërkohet caktimi i datës dhe orës së mbledhjes brenda 3 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Për sa më sipër ju sqarojmë se:
Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 55, datë 10.7.2024 ka vendosur:
“1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
- Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt jo më pak se 1/10-ta e deputetëve.
- Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.4.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
- Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.”
Për zbatimin e vendimit të lartpërmendur të Gjykatës Kushtetuese, ashtu sikundër edhe për të gjitha vendimet e tjera të Gjykatës Kushtetuese zbatohen dispozitat kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit.
Neni 132 i Kushtetutës parashikon:
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare”
Neni 75, pika 2, i Kushtetutës parashikon se “Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar nga shumica e të gjithë anëtarëve.”
Rregullorja e Kuvendit në nenin 87 parashikon:
“Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese
- Kryetari i Kuvendit i përcjell Këshillit për Legjislacionin vendimet e Gjykatës Kushtetuese për:
- a) vlerësimin e kushtetutshmërisë së legjislacionit që ka nismëtar deputetin/deputetët
- b) interpretimin përfundimtar të Kushtetutës;
- c) zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kompetencës kur Kuvendi është palë;
ç)shkarkimin e funksionarëve kushtetues, të cilët zgjidhen nga Kuvendi
di rastet kur kërkesa në Gjykatë Kushtetuese është paraqitur nga jo më pak se 1/5 e deputetëve
- Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që kanë efekt në legjislacion, merren në shqyrtim nga Këshilli për Legjislacionin brenda 30 ditëve pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare.
- Këshilli analizon dhe diskuton, sipas përcaktimeve të bëra në këtë Rregullore, efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për çështjet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni. Këshilli harton një raport dhe ia paraqet atë Kryetarit të Kuvendit.”
Në zbatim të bazës ligjore të sipërcituar, vlerësohet se edhe vendimi nr. 55, datë 10.7.2024, i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare nr. 139, datë 7.08.2024, duhet të ndjekë procedurën e përcaktuar në nenin 87 të Rregullores së Kuvendit.
Këshilli për Legjislacionin është organi i Kuvendit, i cili analizon dhe diskuton efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetues për çështjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të kompetencës ku Kuvendi është palë dhe harton një raport të cilin ia paraqet Kryetarit të Kuvendit.
Për rrjedhojë, kërkesa e paraqitur nga 1/5 e deputetëve për thirrje të Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, në kushtet e mungesës së një akti të Këshillit për Legjislacionin, (raport/projektvendim), i cili i duhet paraqitur Kryetarit të Kuvendit dhe më tej seancës plenare, e bën të pamundur zbatimin e nenit 74, pika 3, të Kushtetutës dhe nenit 42, pika 2, të Rregullores së Kuvendit.
Nisur nga sa më sipër, referuar dispozitave të rregullores së Kuvendit, përkatësisht neneve 14, pika 6, dhe 32, pika 1, me urdhrin nr. 54, datë 8.8.2024, kam thirrur mbledhjen jashtë sesionit të Këshillit për Legjislacionin me rend dite shqyrtimin e vendimit nr. 55, datë 10.07.2024, të Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu, ju informoj se shqyrtimi në seancë do të bëhet menjëherë me fillimin e sesionit të ri parlamentar, pasi të jetë përcjellë raporti i Këshillit për Legjislacionin.
Ky trajtim nuk cenon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese sipas përcaktimit në dispozitivin e tij, as parashikimin në nenin 66/a, pika 3, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, ku parashikohet se:
“Kërkesa për papajtueshmëri të funksionit të deputetit mund të paraqitet në Gjykatën Kushtetuese për sa kohë vazhdon mandati i deputetit, por jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 3 muaj nga konstatimi i papajtueshmërisë”.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,
KRYETARE SHQIPERISE
Elisa Spiropali