Mbështetje më e madhe e Byrosë për Zhvillim Rajonal për zhvillimin dhe zbatimin e projekteve komunale të infrastrukturës në Maqedoninë e Veriut
Byroja për zhvillim rajonal, si institucion në kuadër të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, është në proces të marrjes së të ashtuquajturit Fond për dokumentacionin teknik që u themelua me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përmes projektit “Forcimi i kapaciteteve komunale për zbatim të projekteve“, transmeton Portalb.mk. Qëllimi i këtij transferimi […]
Byroja për zhvillim rajonal, si institucion në kuadër të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, është në proces të marrjes së të ashtuquajturit Fond për dokumentacionin teknik që u themelua me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përmes projektit “Forcimi i kapaciteteve komunale për zbatim të projekteve“, transmeton Portalb.mk.
Qëllimi i këtij transferimi është vazhdimi i mbështetjes që projekti aktualisht e ofron për komunat duke forcuar kapacitetet e Byrosë për të vazhduar mbështetjen e nevojshme financiare dhe teknike për komunat në përpjekjet e tyre për zhvillim dhe zbatim të projekteve të infrastrukturës me prioritet në nivel lokal.
Në fakt, roli kryesor i Fondit është të mbështesë zhvillimin e një dokumentacioni teknik cilësor për projektet infrastrukturore në nivel lokal, ndër-komunal dhe rajonal. Ai kryesisht i dedikohet komunave më të vogla që kanë kapacitete të kufizuara vetanake për të përgatitur dokumentacion teknik cilësor për projektet e infrastrukturës dhe për të menaxhuar zbatimin e tyre. Fondet ndahen përmes thirrjeve publike. Ndërkohë, projektet që kontribuojnë në zhvillim më të barabartë rajonal konsiderohen me prioritet të veçantë.
Përgatitja e një dokumentacioni teknik cilësor është i rëndësishëm për komunat me qëllim që ato të sigurojnë më lehtë financimin për projektet e tyre dhe të përmirësojnë infrastrukturën lokale, pra rrugët, ujësjellësin, shkollat dhe objektet e tjera publike, menaxhimin e mbetjeve etj.
Katër thirrjet e deritashme të shpallura në kuadër të Fondit janë realizuar me mbështetjen e UNDP-së. Sipas planit për transferimin e funksioneve të Fondit tek Byroja, thirrja e radhës do të shpallet nga Byroja. Në mbështetje të këtij transferimi, projekti i siguroi Byrosë një platformë online për paraqitjen dhe vlerësimin e aplikimeve për grante, si dhe më shumë trajnime që synojnë forcimin e kapaciteteve të brendshme të Byrosë për të menaxhuar Fondin në mënyrë të pavarur në të ardhmen.
Gjithashtu, në rrjedhë është procesi i analizës funksionale që do të mundësojë integrimin e duhur të funksioneve, pra të “shërbimeve” të cilat i ofron Fondi për komunat në kuadër të strukturës së Byrosë.
Fondi për dokumentacion teknik realizohet në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve komunale për zbatim të projekteve”, i financuar nga Suedia dhe Byroja për Zhvillim Rajonal dhe zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).