Më 9 shkurt zgjedhjet parlamentare, KQZ së shpejti miraton planin e aktiviteteve për organizimin e tyre

Më datën 9 shkurt, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel qendror. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të premten ka njoftuar se e ka dekretuar 9 shkurtin e vitit 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Ky dekretim vjen në përputhje me […]

gusht 17, 2024 - 14:00
 0  8
Më 9 shkurt zgjedhjet parlamentare, KQZ së shpejti miraton planin e aktiviteteve për organizimin e tyre
me-9-shkurt-zgjedhjet-parlamentare,-kqz-se-shpejti-miraton-planin-e-aktiviteteve-per-organizimin-e-tyre

me-9-shkurt-zgjedhjet-parlamentare,-kqz-se-shpejti-miraton-planin-e-aktiviteteve-per-organizimin-e-tyre

Më datën 9 shkurt, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel qendror.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të premten ka njoftuar se e ka dekretuar 9 shkurtin e vitit 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Ky dekretim vjen në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore që përcaktojnë periudhën brenda së cilës duhet të zhvillohen zgjedhjet e radhës.

Data 9 shkurt, nuk ishte propozuar as nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe as nga partitë opozitare, LDK, PDK, dhe AAK.

LVV kishte propozuar datën 2 shkurt për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, ndërsa subjektet opozitare kishin propozuar datën 26 janar.

Pas caktimit të datës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se do të ndërmarrin të gjithë hapat ligjor për të filluar me përgatitjen e zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Në këtë drejtim, KQZ së shpejti do të miratojë planin e aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Vendosja e afateve dhe plani i aktiviteteve do të thotë përcaktim i saktë i kohës se kur fillon një aktivitet zgjedhor dhe koha se kur përfundon.

Këto aktivitete përfshijnë: aplikimi i subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje dhe dorëzimi i listës së kandidatëve; verifikimi i përshtatshmërisë/aftësisë së kandidatëve; deklarimi i partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit; periudha e regjistrimit si votues jashtë Kosovës dhe votimi jashtë Kosovës; periudha për regjistrimin dhe Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VNPV); periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar; periudha për aplikimin dhe akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve dhe mediave; periudha emërimin e trupave zgjedhore (Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e Vendvotimeve) dhe trajnimin e tyre; certifikimi i Listës së Votuesve, e të tjera”, ka pohuar ai.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK.

Ndërkaq, zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 pritet të përcaktojnë drejtimin politik të Kosovës për vitet e ardhshme, duke qenë një moment i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të shtetit./Telegrafi/