Mesazhe nga autoritetet greke pas samitit në Shkup: Marrëveshja e Prespës duhet respektuar
Presidenti dhe kryeministri nuk janë qytetarë të zakonshëm – tha zëvendësministrja e Greqisë, Aleksandra Papadopoulou, për argumentet e presidentes Siljanovska Davkova dhe përfaqësuesit Mickoski se përdorimi i emrit Maqedoni është e drejtë themelore e njeriut dhe e drejtë për vetë-identifikim. Papadopoulou, e cila ishte edhe ambasadore në vend për pesë vjet, përsëriti për 360 Gradë […]
Presidenti dhe kryeministri nuk janë qytetarë të zakonshëm – tha zëvendësministrja e Greqisë, Aleksandra Papadopoulou, për argumentet e presidentes Siljanovska Davkova dhe përfaqësuesit Mickoski se përdorimi i emrit Maqedoni është e drejtë themelore e njeriut dhe e drejtë për vetë-identifikim. Papadopoulou, e cila ishte edhe ambasadore në vend për pesë vjet, përsëriti për 360 Gradë se Athina zyrtare pret respektimin e Marrëveshjes së Prespës dhe shtoi se Greqia pret që autoritetet maqedonase të përdorin emrin kushtetues edhe për përdorim të brendshëm, transmeton Portalb.mk.
“Kur Kryeministri, Presidenti ose Ministri i Punëve të Jashtme, ose Ministri i Mbrojtjes flasin në cilësinë zyrtare, ata përfaqësojnë shtetin dhe shteti ka një emër kushtetues që përcaktohet dhe miratohet me një marrëveshje ndërkombëtare të lidhur brenda kornizave të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Më lejoni të sqaroj edhe një herë – ky emër, emri kushtetues i vendit, është emër për përdorim universal (erga omnes) për të cilin është rënë dakord në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duhet respektuar. Nuk është çështje personale”, tha Aleksandara Papadopoulou, zëvendës ministre e Punëve të Jashtme.
Papadopoulou dje e shoqëroi shefin e saj Gerapetritis në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive në Shkup, ndërsa presidentja e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska zbuloi se tema e emrit të samitit nuk ishte fare e hapur. Pastaj në një konferencë për media ajo përsëriti se përdorimi i emrit Maqedoni është një e drejtë individuale, e njeriut.
“Unë si person kam të drejtë që nga Sokrati deri më sot të shprehem ashtu siç shprehem në kuadrin e lirisë së mendimit dhe shprehjes së lirë të mendimit dhe nuk mendoj se kjo është shkelje as e kushtetutës dhe as e së drejtës ndërkombëtare”, tha presidentja Gordana Siljanovska Davkova.
Në ndërkohë, zëvendësministrja e MPJ-së greke, Papadopoulou, ka pasur sot takim me kryeparlamentarin Gashi, të cilit i ka thënë se Maqedonia ka një mik të sinqertë në Greqi. Në takim është diskutuar për bashkëpunimin e ardhshëm mes dy vendeve, por jo për Marrëveshjen e Prespës, thuhet në njoftimin zyrtar nga Kuvendi.
Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë rritur tensionet midis tyre, të cilat erdhën pasi gjatë betimit që bëri presidentja e re e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, përmendi vetëm emrin Maqedoni në vend të emrit kushtetues të shtetit, Maqedoni e Veriut.
Vazhdës së reagimeve ndërkombëtare iu bashkëngjitën edhe SHBA-ja dhe Franca, të cilat i bënë thirrje qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut që të mbetet e fokusuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare.
- LEXO: SHBA dhe Franca i bënë thirrje qeverisë së re në Maqedoni që të respektojë obligimet ndërkombëtare
- LEXO: Mickoski: Qeveria e ardhshme do ta respektojë në detaje “Marrëveshjen e Prespës”, të njëjtën ta bëjë edhe Greqia
- LEXO: Johanes Han: Jam i shqetësuar për situatën në Maqedoninë e Veriut, Marrëveshja e Prespës duhet respektuar
- LEXO: Micotakis “do të këput litarin” nësë autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk e respektojnë Marrëveshjen e Prespës