Mickoski: Javën tjetër do të njoftoheni më shumë për veprimet e mia pas largimit të Taravarit nga Qeveria

Ende nuk ka marrëveshje politike në mes partive në koalicionin qeverisës për atë se si do të plotësohen vendet e lira në ekzekutiv pas daljes së Aleancës së Shqiptarëve të Arben Taravarit nga Qeveria. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se së shpejti do të propozohen emra të rinj për këto pozicione, transmeton Portalb.mk. Kryeministri njoftoi se […]

maj 14, 2025 - 23:00
 0  3
Mickoski: Javën tjetër do të njoftoheni më shumë për veprimet e mia pas largimit të Taravarit nga Qeveria
Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Ende nuk ka marrëveshje politike në mes partive në koalicionin qeverisës për atë se si do të plotësohen vendet e lira në ekzekutiv pas daljes së Aleancës së Shqiptarëve të Arben Taravarit nga Qeveria. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se së shpejti do të propozohen emra të rinj për këto pozicione, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri njoftoi se javën tjetër do të tregojë më shumë rreth vendimit të tij nëse do të presë që Taravari dhe ministrat të japin dorëheqjen apo do t’i shkarkojë ata.

“Në Komitetin Ekzekutiv të rregullt mbrëmë diskutuam situatën aktuale ekonomike dhe politike në vend. Pres që deri në fund të muajit të dal para anëtarëve të KE-së me propozime për kandidatë për kryetar komunash, dhe më pas do të shkojë në Komitetin Qendror. Anëtarët e KE-së më kanë autorizuar në periudhën e ardhshme të nominoj emra të rinj që do të zëvendësojnë ata që vendosën të shkojnë në krahët e Ali Ahmetit dhe BDI-së, pra nga partia e Arben Taravarit”, tha Mickoski.

Lidhur me atë nëse resoret e lëna nga Taravari do të mbeten në koalicionin VLEN apo do të ndahen, Mickoski tha se shumë gjëra do të jenë më të qarta në periudhën e ardhshme dhe shprehu besim se do të arrihet një marrëveshje.

Për vendet e lira në ekzekutiv është prononcuar edhe Billall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës dhe njëri nga liderët e  VLEN-it. Ai më tepër u fokusua në mundësinë e kombinimeve të reja të resoreve që mund ta ndodhin pas daljes së Taravarit nga qeveria.

“Nuk ka bisedime për këmbim të ministrive, unë dhashë një deklaratë që një ndër shkaqet pse e kemi marrë Ministrinë e Shëndetësisë ka qenë se drejtpërsëdrejti Arben Taravari ka kërkuar që të jetë ministër i shëndetësisë. Sigurisht kur bëhen kombinimet për pozicionet në përgjithësi që duhet të ndahen, bëhen në bazë të kuadrove që i kemi. Unë e thash si një mundësi që nëse do të ketë nga VLEN ndonjë kombinim tjetër për ndonjë kuadër që është më i rëndësishëm, do ta bisedojmë me Qeverinë që të ketë rokadë, por për momentin nuk është folur, mbetet Ministria e Shëndetësisë te VLENI. Por sigurisht në bazë të rrethanave të reja, me daljen e Arben Taravarit jemi të gatshëm të bisedojmë për kombinime të reja, por për momentin nuk ka kështu bisedime”, tha Kasami.

Pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit, që të dalin nga qeveria, në opinion dolën edhe çështjet e kombinatorikave të reja rreth kuadrove të reja që do të zëvendësojnë vendet e lira në ekzekutiv.

Kujtojmë se, keqkuptimet në Qeverinë e udhëhequr nga Mickoski erdhën nga mospajtimet brenda koalicionit shqiptar VLEN, të cilët ndanë rrugët pas vendimit të Arben Taravarit, që ai bashkë me partinë e tij të shkojë në zgjedhje lokale me lista ndara nga koalicioni VLEN, si dhe kontaktet a ASh-së së Taravarit me BDI-në.