Mickoski paralajmëroi linjë telefonike për denoncim të korrupsionit, nuk tregoi pse nuk e ka raportuar në Prokurori ryshfetin që i është ofruar

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk tha pse nuk e ka raportuar ryshfetin që i është ofruar për hekurudhën drejt Bullgarisë në Prokurori. Nga atje dje thanë për Sdk.mk se nuk ka një raportim të tillë nga Mickoski, transmeton Portalb.mk. Mickoski sot gjatë një vizite në Komunën e Makedonska Kamenicës është pyetur se pse nuk e ka […]

gusht 28, 2024 - 21:00
 0  5
Mickoski paralajmëroi linjë telefonike për denoncim të korrupsionit, nuk tregoi pse nuk e ka raportuar në Prokurori ryshfetin që i është ofruar
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk tha pse nuk e ka raportuar ryshfetin që i është ofruar për hekurudhën drejt Bullgarisë në Prokurori. Nga atje dje thanë për Sdk.mk se nuk ka një raportim të tillë nga Mickoski, transmeton Portalb.mk.

Mickoski sot gjatë një vizite në Komunën e Makedonska Kamenicës është pyetur se pse nuk e ka raportuar ryshfetin, ai është përgjigjur: “Unë shoh se qendra individuale të ndikimit po shqetësohen, ndërsa janë të shqetësuar sepse ky është një tender i vjetër, prokurim publik që drejtohej nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së. Vendosa të luftoj publikisht krimin dhe korrupsionin dhe prandaj e bëra atë deklaratë dhe është një mesazh se koha e kriminelëve në politikë ka kaluar”.

Ai tha se Qeveria do të hapë një linjë telefonike ku qytetarët do të mund të raportojnë korrupsionin.

“Në linjë telefonike do të mund të raportohet sjellje devijuese e administratorëve apo politikanëve, të cilët kërkojnë një lloj shërbimi për të kryer një punë që u takon qytetarëve. Përderisa unë jam kryeministër nuk do të ketë vend për kriminelët në politikë”, tha Mickoski.

Ndryshe, dje, kryeministri Hristijan Mickoski tha se i është ofruar ryshfet për nënshkrimin e tenderit për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë në vlerë prej 560 milionë euro. Bëhet fjalë për një tender të shpallur nga Qeveria e kaluar për ndërtimin e hekurudhës nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, projekt të cilin kjo Qeveri paralajmëroi se nuk do ta bëjë sepse është i keq dhe përfundon në qorrsokak dhe tunel dhe nuk ka asnjë perspektivë që ajo të vazhdojë nga pala bullgare.

“Ofrimi i ryshfetit nuk del publike në emision apo me një dokument ku të dyja palët duhet të firmosin bashkë se unë të ofroj ryshfet, dhe ti e pranon. Ne e dimë se si kalon nëpër kanale dhe këtu po them se për hekurudhën në Bullgari është tentuar të më ofrohet ryshfet për të pranuar këtë dokumentacion tenderi që skadon më 17 shtator. Unë thashë se nuk do ta pranoj këtë tender dhe kështu do të jetë”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për media gjatë prezantimit të Agjendës reformuese 2024-2027 për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Mickoski shtoi se “të gjitha ato institucione që duhet të informohen, janë informuar”, sa i përket ryshfetit