Ministri Durmishi takoi ambasadorin britanik në Shkup
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi ka realizuar sot takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në vend, Metju Loson. “Në takim u diskutua për aktivitetet e deritanishme dhe ato aktuale të ministrisë, si dhe bashkëpunimin dhe mbështetjen nga ana e Ambasadës Britanike në vendin tonë. Theksova se Mbretëria e Bashkuar është një nga […]
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi ka realizuar sot takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në vend, Metju Loson.
“Në takim u diskutua për aktivitetet e deritanishme dhe ato aktuale të ministrisë, si dhe bashkëpunimin dhe mbështetjen nga ana e Ambasadës Britanike në vendin tonë.
Theksova se Mbretëria e Bashkuar është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe gjendet në vendin e 2 (e dytë) në mesin e vendeve me të cilat Maqedonia e Veriut realizon vëllimin më të madh të shkëmbimit tregtar. Shkëmbimi tregtar mes dy vendeve shënon rritje të vazhdueshme dhe kjo më së shumti për shkak të kompanive të rëndësishme britanike që punojnë si në zonat e lira ashtu edhe jashtë tyre.
Të dhënat tregojnë se për 10 vite, investimet e përgjithshme të huaja nga Mbretëria e Bashkuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut arrijnë në 508,8 milionë euro, gjë që e bën Britaninë e Madhe një nga investitorët më të mëdhenj. Për ne si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, nën përgjegjësinë e së cilës janë kushtet e punës së investitorëve të huaj, është e një rëndësie të madhe të punohet në përmirësimin e klimës së biznesit, e gjithë kjo me qëllim që të kemi më shumë investime që do të nënkuptojnë më shumë punësim dhe rritje më të madhe ekonomike.
Falënderova ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut po e merr nga Qeveria britanike, në radhë të parë përmes mbështetjes në reforma dhe në procesin e zhvillimit në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE.
U dakorduam që bashkërisht të punojmë për vazhdimin dhe intensifikimin e trendit të bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, me qëllimin final përshpejtimin e procesit të hyrjes së Maqedonisë së Veriut në BE.”, thuhet në njoftim.(INA)