(Mos)arritjet e Qeverisë së re në 100 ditë, “destabilizimi” kryefjalë
Destabilizimi, balancuesi, Ligji i Gjuhëve, reforma në Këshillin Gjyqësor, rritja e pensioneve dhe shumë çështje të tjera ishin në fokusin e partnerëve VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM në 3 muajt e parë të qeverisjes. Ekzekutivi i udhëhequr nga Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar reforma të thella dhe rikthim të besimit të qytetarëve nëpër institucione, por edhe luftë […]
Destabilizimi, balancuesi, Ligji i Gjuhëve, reforma në Këshillin Gjyqësor, rritja e pensioneve dhe shumë çështje të tjera ishin në fokusin e partnerëve VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM në 3 muajt e parë të qeverisjes. Ekzekutivi i udhëhequr nga Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar reforma të thella dhe rikthim të besimit të qytetarëve nëpër institucione, por edhe luftë të pakrompomis kundër korrupsionit, por rezultatet tani për tani janë vetëm në korniza të paralajmërimit, transmeton Alsat-M.
Marrëdhëniet ndëretnike, është ndoshta boshti kryesor në ambientin politik të kësaj periudhe, rreth të cilit janë vërtitur një sërë çështjes. Në krye të listës, padyshim është paralajmërimi i pothuajse i përditshëm i kryeministrit për destabilizim të shtetit, edhe pse përfundonte me fjalinë se qytetarët nuk duhet të kenë frikë për sigurinë e vendit.
Indicet, sipas kryeministrit ishin se BDI-ja do të bëjë destabilizim të shtetit me qëllim që të mbrohet pasuria e fituar në mënyrë kriminale. Kjo, përputhej me paralajmërimin e mëhershëm të BDI-së se do të protestojnë me qëllim që të mbrohet legjitimiteti i popullit shqiptar, pasi sipas partisë së Ahmetit, VLEN është përfshirë në qeveri edhe pse është humbës i zgjedhjeve te kampi politik shqiptar.
Qeveria, nuk dha asnjëherë shpjegime se si do të realizohet destabilizimi, i cili filloi të duket si alibi. Kështu, një sërë skandalesh dhe ndodhish, sidomos me karakter etnik, që ndodhën pas paralajmërimit u mbështollën me “celofanin” e destabilizimit.
Incidenti me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit u quajt tentim për destabilizim, ashtu siç u quajtën protestat në Vrapçisht për kishën në Gallatë. Pjesë të destabilizimit të paralajmëruar, kryeministri do t’i quante edhe iniciativën për miratimin e Ligjit për “Branitellat”, i cili u kundërshtua ashpër nga faktori politik shqiptar.
Kështu, edhe koalicioni VLEN, me të njëjtën retorikë e quajti ngritjen e nismës së Gjykatës Kushtetuese për disa nene të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ashtu sikur edhe për nismën për shfuqizimin e “Balancuesit”.
“Destabilizimit”, nuk i shpëtoi as edhe heqja e tabelës në Pikën Kufitare Bllacë, e cila nuk ishte në gjuhën shqipe e për të cilën, u bë bujë e madhe.
Opozita hodhi dyshimin për seriozitetin e kryeministrit për paralajmërimin për destabilizim dhe propozoi që presidentja Gordana Siljanovska Davkova ta thërret Këshillin e Sigurimit, i cili, në situata të këtilla duhet të mblidhet. Megjithatë, presidentja, e cila ishte e zgjedhura e partisë VMRO-DPMNE, nuk e thirri.
Për çudi, ekzekutivi nuk e quajti destabilizim skandalin me udhëtimin e Afrim Gashit dhe familjes së tij me makinë dhe sigurim zyrtar në një dasmë në Kosovë, i shoqëruar nga vetura të tjera private.
Ngjyrim etnik iu dha edhe rastit të Blerim Ramadanit, ish ushtarit të UÇK-së, i cili u arrestua nga autoritetet e shtetit pas një fletëarresti të lëshuar nga Serbia në Interpol, nën dyshimin për kryerjen e krimeve gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Megjithatë, Ramadani u arratis nga shteti, në pritje të ekstradimit në Serbi.
Çështja, prej pallateve gjyqësore u transferua nëpër shtabet partiake. Opozita maqedonase, akuzonte pushtetin se qëllimisht e ka lëshuar të arratiset, ndërkaq pushteti akuzonte se Gjykata e ka hequr nga paraburgimi efektiv në atë shtëpiak. Kjo, u bë shkas që VMRO-DPMNE për disa ditë me radhë të kërkojë përgjegjësi nga gjyqtari i lëndës Pajazit Pajaziti, të cilin, kryeministri e quajti gjyqtar të dëshiruar të LSDM-së dhe BDI-së. Dëshirën e kryeministrit e mori parasysh Këshilli Gjyqësor dhe hapi lëndë dhe konstatoi parregullsi, e cila është bazë për shkarkim nga detyra.
Kur jemi te drejtësia, reformat në fushën me besim më të ulët të qytetarëve në shtet, kanë qenë ndër temat kryesore, por nuk pamë asgjë konkrete.
Kryeministri disa herë ka insistuar për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve nën arsyetimin se e kanë humbur kredibilitetin. Por, kjo nuk është mirëpritur as nga faktori ndërkombëtar e as nga ekspertët vendorë, nën arsyetimin se kjo është përzierje direkte e pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor. Prandaj, reforma e shumëpërfolur ka ngelur në udhëkryq.
Në rrafshin e luftës kundër korrupsionit qeveria paralajmëroi formimin e një trupi të veçantë dhe një linjë telefonike në të cilën qytetarët do të mund t’i paraqesin korrupsion apo sjellje devijuese nëpër institucione, me qëllim që të ndëshkohen kryerësit e këtyre veprave dhe të ndryshojë perceptimi i qytetarëve se jetojnë në një shtet kriminal. Ekspertët, për këtë ide theksuan se nuk është i nevojshëm në rrethana kur, përveç institucioneve shtetërore ekziston edhe kornizë ligjore për denoncuesit.
Në aspektin e politikës së jashtme, vendi nuk ka bërë lëvizje. Qeveria nuk ka pasur ndonjë qasje serioze për ndryshimet e pritura kushtetuese, nga të cilat varet procesi integrues i vendit në Bashkimin Evropian. Marrëveshjen e qeverisë së kaluar me Bullgarinë, qeveria aktuale e konteston dhe kërkon bilateralizim, për çka Bullgaria, ashtu sikur vendet evropiane nuk pranojnë. Edhe Marrëveshja e Prespës është çështje e cila gjatë kësaj periudhe zuri hapësirë në ambientin politik. Funksionarët refuzojnë ta përdorin emrin e ri të shtetit dhe kjo ka zemëruar Athinën zyrtarë e cila ka kërcënuar me bllokadë në rrugën eurointegruese.
Në fushën e financave, buxhetit të shtetit do t’i shtohen 500 milionë euro borxh nga Hungaria, të cilin Mickoskit ia ka siguruar kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili, e mban ish kryeministrin azilant Nikolla Gruevski. Për borxhin, kishte akuza se Hungaria i ka marrë prej Kine, ndërkaq më pas ia ka transferuar Maqedonisë së Veriut. Gjysma e kësaj kredie, do të shkojë për projekte infrastrukturore për komunat, të cilat, tanimë kanë aplikuar në thirrjen e Qeverisë. Gjysma tjetër, do të shfrytëzohet për financim të kredive të lira për ekonominë.
Gjatë kësaj periudhe qeveria miratoi dhe rebalancin e buxhetit. Të cilit, më së shumti iu gëzuan pensionistët. Atyre, prej shtatorit, qeveria ua rriti pensionet për 2.500 denarë, ndërkaq u ka premtuar se edhe po aq, do t’ua rritë në mars të vitit të ardhshëm.
Në sferën e arsimit, problemet thuajse përsëriten. Çështja e librave vazhdon të jetë sfiduese, pavarësisht premtimit të qeverisë së re. Ministria e Arsimit nuk arriti të sigurojë libra për të gjithë nxënësit, ndërkaq vazhdojnë problemet me objektet shkollore dhe mungesën e kuadrit mësimor, në shkencat ekzakte.
Në fushën e kulturës, 33 artistë të Ansamblit për Këngë dhe Valle Shqipe mbetën pa punë, ndërkaq pas konstatimit të shkeljeve u shkarkua drejtori Shkodran Tolaj.
Përndryshe, Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut u votua nga deputetët më 23 qershor të këtij viti në krye me kryeministrin Hristijan Mickoski. Kjo Qeveri përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja me partnerët koalicionues – koalicionin VLEN dhe partinë ZNAM.