Motra e Ukshin Hotit: Zbardhja e fatit të tij duhet të jetë obligim prioritar i Qeverisë dhe i ndërkombëtarëve
“Deri më tani, përpos fjalëve poshtë e përpjetë, nuk ka diçka serioze që të merret me çështjen e tij dhe të zbardhet fati i tij. Unë mendoj që këtë obligim prioritar duhet ta ketë Qeveria dhe faktori ndërkombëtar, kur e dimë se me kë kemi të bëjmë ne, me palën serbe, e cila ka bërë […]
“Deri më tani, përpos fjalëve poshtë e përpjetë, nuk ka diçka serioze që të merret me çështjen e tij dhe të zbardhet fati i tij. Unë mendoj që këtë obligim prioritar duhet ta ketë Qeveria dhe faktori ndërkombëtar, kur e dimë se me kë kemi të bëjmë ne, me palën serbe, e cila ka bërë tërë këtë gjenocid në popull atëherë pa presion nuk besoj që do të zgjidhet kjo çështje”.
Kështu është shprehur në 25-vjetorin e zhdukjes së profesorit Ukshin Hoti, motra e tij, Mirvete Hoti – Kasumi, e cila ka thënë se për të kjo është shumë e vështirë gjersa ka treguar se e kujton si atdhetar të mirë dhe njeri të ditur.
“E kujtoj si burrë të fortë, atdhetar të mirë dhe njëri të ditur, i çeliktë”, ka thënë motra e Ukshin Hotit.
E pyetur se si ndihet kur vepra e tij nderohet nga të gjithë, ajo u përgjigj duke thënë se ndihet mirë kur merren me çështjen e të vëllait, por nëse flasim për kontributin e tyre përpos fjalëve, ajo është shprehur e mërzitur. “Mund t’i falënderoj publikisht ata të cilët merrën më këtë çështje”, është shprehur ajo në emisionin “FIVE”.
Kujtojmë që sot djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti, e ka publikuar një shkrim të babait të tij.
“Të lutem shumë, përqafoi fëmitë e mi për mua, pastaj edhe të tutë, të vëllezërve dhe të motrave: edhe prindët. Përshëndeti të tjerët. U do vëllai: Ukshini”, thuhet në letrën e shkruar nga Ukshin Hoti.
Më 16 maj 1999, në rrethana ende të pandriçuara, është zhdukur Ukshin Hoti. Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti, u lind më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.
Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues në disa universitete të Amerikës, ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar më 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar me pesë vjet burgim.