MPB-ja e Maqedonisë së Veriut ngadalë po i hap dyert për gratë në radhët e saj

Qasja në raportet zyrtare dhe informacionet për numrin e grave pjesëtare të sektorit policor në Maqedoni është mjaft e vështirë. Për shkak të klasifikimit të numrave dhe rrjedhimisht mosdisponueshmërisë të statistikave zyrtare, pjesërisht për shkak të paraqitjeve jo reale të numrit të tyre, nuk është e mundur të tregohet publikisht dhe saktë numri i grave […]

dhjetor 7, 2024 - 21:00
 0  9
MPB-ja e Maqedonisë së Veriut ngadalë po i hap dyert për gratë në radhët e saj
Policia e RMV-së, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qasja në raportet zyrtare dhe informacionet për numrin e grave pjesëtare të sektorit policor në Maqedoni është mjaft e vështirë. Për shkak të klasifikimit të numrave dhe rrjedhimisht mosdisponueshmërisë të statistikave zyrtare, pjesërisht për shkak të paraqitjeve jo reale të numrit të tyre, nuk është e mundur të tregohet publikisht dhe saktë numri i grave në polici. Pavarësisht deklaratave, strategjive dhe memorandumeve të nënshkruara progresi real në përfaqësim, si dhe mundësia e avancimit në karrierë për gratë që kanë vendosur ta ndërtojnë karrierën e tyre në strukturat e sigurisë, para së gjithash në polici, si një zone ku tradicionalisht dominojnë burrat, është i ngadaltë dhe nën mesataren e standardeve të rekomanduara evropiane, shkruan Eu.org.mk.

Raporti i fundit për progresin e kushteve të mundësive të barabarta për burrat dhe gratë në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme nga viti 2023 tregon se në poste drejtuese në polici janë 17,8 përqind e grave, ndërsa përfaqësimi i përgjithshëm i grave me uniformë në Ministrinë e Punëve të Brendshme është 7,95 përqind. Përqindja e grave të pauniformuara që punojnë në stacionet policore është 4,91 përqind, ndërsa përqindja e tyre si persona të autorizuar është 7,5 përqind.

Joproporcionale është edhe përfshirja e grave nga komunitetet më të vogla në strukturat e sigurisë, kështu që në pozita të ndryshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme punojnë vetëm 2,2 përqind gra shqiptare dhe vetëm 0,13 përqind gra rome. Në gjeneratën e fundit të punonjësve të policisë 2023-2024 nga 508 punonjës policie të saporekrutuar vetëm 92 prej tyre ishin gra.

Maqedonia, si anëtare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), merr pjesë në Programin e Mentorimit Gjinor, ndërsa një pjesë e madhe e iniciativave dhe reformave për barazi gjinore në sektorin e sigurisë në vend janë iniciuar pikërisht nga OSBE-ja. Qëllimi i kësaj është rritja e ndërgjegjësimit në MPB për dallimet gjinore që bëhen dhe për nevojën e përfshirjes së grave në polici.

Të dhënat e fundit tregojnë se gratë, edhe pse në numër të vogël, tashmë janë të përfshira në sektorë të veçantë si Departamenti i operacioneve speciale të policisë – Njësia speciale antiterroriste “TIGRA” dhe Njësia e shpërndarjes së shpejtë (NjShSh). Megjithatë, edhe pse ka një rritje të numrit sipas Institutit Evropian për Barazi Gjinore Maqedonia si shtet ende mbetet prapa në përmbushjen e pjesëmarrjes së rekomanduar prej 30 përqind të grave.

Por, në vend ka shumë angazhime deklarative për barazi gjinore në radhët e policisë, e kështuqë pothuajse çdo 8 mars thuhet se numri i grave në polici duhet të rritet dhe të mbështetet avancimi i tyre në karrierë në çdo sektor. Kjo duhet të arrihet duke krijuar kushte që gratë të aplikojnë në mënyrë të barabartë për një vend pune në shërbimin policor dhe duke i eliminuar kushtet që i pengojnë gratë ta zgjedhin sigurinë qytetare si profesionin e tyre. Por realiteti është ndryshe.

Rrjeti i grave në polici

Në vitin 2023 në Asamblenë e Përgjithshme të SEPKA (Shoqata e Shefave të Shërbimeve Policore të Evropës Juglindore) u pranua iniciativa për krijimin e një rrjeti të punonjësve femra të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas Regjistrit Qendror të Maqedonisë një shoqatë e tillë është themeluar, por ajo nuk është aktive. Nga MPB konfirmojnë se në MPB nuk është krijuar një iniciativë e tillë.

Sipas akteve nënligjore të Ligjit për Policinë pjesëtarët e policisë nuk kanë të drejtë të jenë anëtarë të organeve drejtuese të organizatave joqeveritare, shoqatave dhe fondacioneve që realizojnë projekte që kanë të bëjnë me veprimtarinë e tyre. Kjo do të thotë se çdo shoqatë e formuar nga gra police do të ishte e paligjshme.

Kushte ka në letër, por jo edhe në terren

Ish-ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, dhe ish-zëvendësministri shtesë i punëve të brendshme, Mitko Bojmacalijev, në vitin 2023 kanë deklaruar se është rritur numri i grave në Departamentin e njësive speciale të policisë, konkretisht në NjShSh dhe Tigrat. Mirëpo, në  muajin nëntor të këtij viti drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, në përputhje me programin vjetor për trajnimin dhe ngritjen e aftësisë fizike të pjesëtarëve të njësisë mori pjesë në një marsh me pjesëtarët e NjShSh-së, por në asnjë nga fotot të cilat ishin pjesë e materialit promovues të eventit nuk kishte asnjë pjesëtare grua të njësisë me uniformë.

Sipas informacioneve të marra nga MPB-ja në Departamentin e operacioneve speciale të policisë nga numri i përgjithshëm i punonjësve në Njësinë e Shpërndarjes së Shpejtë, 6,6 përqind janë gra, në Njësinë Speciale Antiterroriste – Tigra 5,6 përqind janë gra, kurse në Njësinë për Trajnim dhe Mbështetje nuk ka gra.

Gratë duan të kontribuojnë për një sektor më të mirë policor

Nga Seksioni i grave pranë Sindikatës së Policisë së Maqedonisë thonë se gra ka në të gjitha departamentet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përfshirë këtu edhe në Departamentin për Operacione Speciale të Policisë (DOSP) dhe Njësinë për Shpërndarje të Shpejtë. Afrodita Denkovska, kryetare e seksionit të grave, pohon se pavijonet për gratë që janë në shërbim janë përshtatur për nevojat e tyre.

“Kandidate gra për t’u bërë pjesë e policisë ka gjithnjë e më shumë, ka edhe më shumë kandidate gra në Fakultetin e Sigurisë. Nëse të gjitha ato do kenë mundësi të krijojnë një marrëdhënie pune, struktura ligjore e ministrisë do të ndryshojë dhe bashkë me të edhe statistikat për numrin e grave në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sa i përket njësive speciale, ka vërejtje se gratë që janë të interesuara për anëtarësim janë ende vajza të reja, por pothuajse asnjëra prej tyre nuk qëndron deri në fund pasi të jenë bërë nëna”, thotë Afrodita Denkovska, kryetare e seksionit të grave në Sindikatën e Policisë në Maqedoninë e Veriut.

Mirëpo Denkovska thotë se disa nga iniciativat e mëparshme, si për shembull aplikacioni “Ji i sigurt” nuk kanë funksionuar.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Policisë (SPP), Martin Efremov, thotë se në letër respektohet diversiteti i karakteristikave biologjike ndërmjet burrave dhe grave që duan të bëhen pjesë e njësive speciale. Ai thotë se ka kushte të veçanta për pranimin e grave, për dallim nga burrat, e që kanë të bëjnë me performacën fizike, siç është numri i pompave – 55 për burrat dhe 27 për gratë.

Por në praktikë, siç thotë ai, nuk ka kushte elementare për policet gra, duke filluar nga fakti që në stacione policore nuk ka tualete grash, ndërsa për punonjëset me uniformë të MPB-së që janë shtatzëna nuk punohen uniforma që përshtaten për ta. Përveç kësaj, në rregulloren për uniforma  ende ka një pjesë që mandaton veshjen e këpucëve me taka për pjesëtaret gra edhe kur kjo nuk është e përshtatshme për kushtet e motit.

“Në Njësinë Speciale për Trajnim dhe Mbështetje nuk ka asnjë grua, edhe pse ato mundohen të konkurrojnë. Ata refuzohen sepse nuk ka pavijone të përshtatura për gjininë femërore, ku këto pjesëtare do të duhet ta kryejnë detyrën, e kjo ndër të tjera nënkupton caktimin e një hapësire ​​për ndërrimin e rrobave dhe një vend për fjetje që do të ishte i ndarë nga ai për kolegët meshkuj. Mendimi im personal është se numri i lartë i grave të punësuara në MPB kryesisht ka të bëjë me punë në zyrë dhe administrative”, thotë Martin Efremov, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Policisë.

Çfarë është koncept gjinor për MPB-në?

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme në sistematizim nuk ka një vend pune për “koordinator për mundësi të barabarta”, edhe pse kjo tashmë është propozuar dhe është pranuar si iniciativë. Mirëpo, nga atje thonë se në shtator të këtij viti kanë emëruar një koordinator dhe një zëvendëskoordinator, të cilët nëse do fillonin me punë do të dorëzojnë të dhëna dhe raporte lidhur me çështjet gjinore për punonjësit e MPB-së. E njëjta gjë vlen edhe për grupin konsultativ dhe këshillues ndërdepartamential për mundësi të barabarta për gratë dhe burrat ku tashmë është emëruar një person.

Ministria e Punëve të Brendshme mban të dhëna statistikore të ndara sipas gjinisë për numrin e përfaqësuesve të tyre që ndjekin trajnime profesionale në fushën e parandalimit të dhunës me bazë gjinore dhe atë të barazisë gjinore. Sipas të dhënave të tyre në trajnime profesionale lidhur me temat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore këtë vit kanë marrë pjesë 29 burra dhe 10 gra. Në vitin 2023, numri ka qenë shumë më i lartë dhe atë 34 gra dhe 18 burra.

Në disa fusha, si në Departamentin për Çështje Kufitare dhe Migracionin, Sektorin e Kontrollit dhe Mbështetjes së Kufirit, ligji dhe rregulloret përcaktojnë se duhet të ketë gra të punësuara pikërisht për shkak të situatave ku dhuna me bazë gjinore është më e përhapur, si p.sh. -tregtia kufitare me njerëz dhe kontrabandimi i migrantëve, ku viktimat shpesh janë gra e ku është e nevojshme që kontrollin ta kryejë një police grua. Por, një përfaqësues i Sindikatës së Pavarur të Policisë që punon në monitorimin kufitar përgjatë vijave kufitare thotë se edhe pse nuk ka asnjë pengesë për të punuar, në departamentin ku ai punon nuk ka asnjë kolege.

“A është kjo për shkak të vlerësimit të MPB-së se femrat nuk do të mund ta menaxhojnë këtë punë, apo nuk janë të interesuara vetë të aplikojnë, nuk mund ta them me siguri”, thotë burimi jonë nga SPP në monitorimin kufitar.

Politika e BE-së për barazi gjinore në polici

Sipas Marrëveshjes kolektive me buxhetin e ri për vitin 2025 edhe burrat do të marrin kompensim në para për lindjen e fëmijës së tyre. Deri më tani me kontratën kolektive gratë merrnin një ndihmë financiare prej 100 euro në denarë për çdo fëmijë të porsalindur, por pas ankesës se kjo ishte diskriminim ndaj burrave nga viti i ardhshëm ndihmë financiare mbi këtë bazë do të marrin edhe ata.

Ndërkohë BE-ja i inkurajon shtetet anëtare që të zhvillojnë politika të ndjeshme gjinore për rekrutimin dhe zhvillimin e punonjëseve të policisë përmes ligjeve adekuate dhe politikave specifike.

Promovimi i politikave për baraspeshë mes punës dhe jetës private, si leja për lindjen e fëmijës dhe orari fleksibël i punës, ndihmon për ta bërë karrierën policore më të aksesueshme për gratë, ndërsa në departamentet e policisë po prezantohen kuotat e detyrueshme. Nëpërmjet kuotave të tilla Suedia ka një nga përqindjet më të larta të grave në polici brenda BE-së – mbi 40 përqind të të punësuarve të rinj në vitet e fundit të jenë gra.

Në vendet e BE-së funksionon edhe bashkëpunimi ndërdikasterial me organizata si Rrjeti Evropian i Grave Police (ENP), që së bashku me programet për financim si Horizont Evropa dhe Programi për të drejtat, barazinë dhe qytetarinë, financojnë projekte që kanë për qëllim përmirësimin e barazisë gjinore në polici. Direktiva Evropiane për Trajtim Barabartë e ndalon diskriminimin gjinor gjatë punësimit, rekrutimit, promovimit dhe kushtet e punës, gjë që prek drejtpërdrejt organizatat e policisë.